E Diel, 1 Nëntor 2026

Bye bye Nereida!

Numri shtatë i Djajve të kuq i ka dhënë fund lidhjes me bukuroshen spanjolle, me të cilën formonte një çift, fiks që nga janari

Historia e dashurisë mes yllit të Mançesterit, Kristiano Ronaldo dhe modeles seksi, Nereida Gajardo, ka përfunduar. Këtë e ka bërë të ditur tabloidi britanik “The Sun”, që ka marrë si burim bazë gazetën portugeze “24 horas”. Sipas asaj që bëhet e ditur, numri shtatë i “Djajve të kuq” i ka dhënë fund lidhjes me bukuroshen spanjolle, me të cilën formonte një çift, fiks që nga janari. Duke u qëndruar mediave portugeze, ende nuk janë bërë të ditura motivet e kësaj ndarjeje, por me shumë mundësi, lojtarin më të përfolur të momentit do ta ketë shqetësuar lidhjet e kaluara të Nereidës. Kandidatit për “Topin e artë” nuk i ka pëlqyer aspak që e ka marrë vesh nëpërmjet mediave për lidhjen që Nereida ka pasur me lojtarin e Realit të Madridit, Serhio Ramos, të cilin shumë shpejt mund ta ketë dhe shok skuadre. Por një rol kryesor në ndarjen e çiftit mendohet se ka luajtur edhe mamaja e lojtarit portugez, e cila vetëm kohët e fundit është mësuar se nuk e duronte aspak spanjollen, për të cilën mendonte se ishte lidhur me djalin e saj vetëm për para dhe famë. Shenjat e para të ndarjes janë vënë re para pak ditësh, pasi Nereida nuk ka shkuar për t’i bërë vizitë të dashurit të saj teksa ai qëndronte i shtruar në spital.

Portugezi, tre muaj jashtë fushave

Kristiano Ronaldo do të qëndrojë për të paktën tre muaj jashtë fushave të lojës. Diagnoza është konfirmuar nga fizioterapisti i Portugalisë, Antonio Gaspar, i cili po ndjek rikuperimin e lojtarit të Mançester Junajtid, i operuar në kaviljen e djathtë. “Po bëjmë të pamundurën për ta rikuperuar sa më shpejt që të jetë e mundur, - është shprehur Gaspar, - por Ronaldo nuk do të jetë në formën e tij më të mirë përpara 12 javësh. Po punon shumë mirë dhe është optimist”. Gaspar ka shpjeguar më pas, se në katër javët e para portugezi do ta bëjë rehabilitimin në klinikën e tij. “Pas muajit të parë, Mançester Junajtid do të bëjë ekzaminime të tjera. Dua të them se unë jam i përfshirë vetëm në rikuperimin e lojtarit dhe jam gjithmonë në kontakt me stafin mjekësor të Mançester Junajtid dhe mjekun e Portugalisë Henrique Jones”, ka theksuar fizioterapisti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›