I dashur Uidhërs, ke kohë deri në orën 17:00
Në më pak se 24 orë pas bërjes publike të një artikulli në gazetën prestigjioze “Los Angeles Times” të pozicionit të ambasadorit amerikan në Shqipëri, Xhon Uidhërs, në aferën e municioneve kineze të mbërritura në Afganistan nëpërmjet firmës “AEY”, i menjëhershëm ishte dje edhe reagimi i kreu të hetimeve kongresmenit Uoksman. Ai i ka lënë afat vetëm ditën e sotme, deri rreth orës 17:00, ambasadorit Uidhërs, që të fiksojë një takim dhe të pohojë nëse do të sjellë edhe dokumente për një seancë dëgjimore të regjistruar me kongresmenët që po hetojnë dhe dosjen e Efraim Diverolit dhe mashtrimin që ata këmbëngulin se është bërë me shitjen e armëve, me origjinë kineze për firmën amerikane që kishte fituar tenderin e Pentagonit për furnizimin me armë të policisë afgane.
Letra
I dashur ambasador Uidhërs,
“E kam marrë letrën tuaj të datës 11 korrik 2008 dhe kam lexuar me interes komentet tuaja në “Los Angeles Times”. Në letrën tuaj kërkohej një mundësi për t;u takuar dhe unë e mirëpres këtë ofertë. Në letrën time dërguar sekretares Rajs, më 23 qershor 2008, kam kërkuar që Ju të paraqiteni vullnetarisht për një intervistë të regjistruar me stafin e Komitetit për të ndihmuar në hetimet tona. Ju kërkoj që të vini në dijeni stafin e Komitetit deri në orën 5 të pasdites të datës 16 korrik, nëse do të paraqiteni apo jo për këtë intervistë. Kërkoj gjithashtu që të na informoni nëse do të paraqisni apo jo pranë Komitetit dokumente të nevojshme në zotërimin tuaj që do të ndihmonin hetimet. Artikulli i gazetës “Los Angeles Times” konfirmoi disa elemente thelbësorë të dëshmisë që i ka dhënë majori Lerri D. Herrison komitetit.
Sipas “The Times”, ju keni pranuar se keni pasur një takim në orët e mbrëmjes me ministrin shqiptar të Mbrojtjes, më 19 nëntor 2007, që në atë mbledhje është diskutuar për mënyrën sesi do t’i kthehej përgjigje një kërkese të “New York Times”, për të vizituar një zonë në Shqipëri, ku kontraktori amerikan i armëve, “AEY”, ripaketonte municionet për t’i hequr origjinën e tyre kineze, dhe se në atë takim, ministri shqiptar i Mbrojtjes sugjeroi në prani tuaj, që të hiqeshin shenjat kineze nga ajo zonë, përpara vizitës së gazetarit të “New York Times”.
Sipas “The Times”, ju konfirmoni gjithashtu pohimin e majorit Herrison, se ratë dakord me sugjerimin e ministrit të Mbrojtjes. Ju thoni gjithashtu, se nuk e keni informuar Komitetin për këtë incident, pasi nuk doli emri i kompanisë që merrej me tregtinë e armëve.
Por hetimi i këtij Komiteti për atë që ndodhi realisht në Shqipëri në nëntor 2007, po pengohet nga mungesa e bashkëpunimit e zyrtarëve të Departamentit të Shtetit dhe ambasadës. Për t’u veçuar është fakti, se Komiteti nuk ka marrë ende dokumentet e kërkuara dhe as ka mundur të marrë në pyetje zyrtarë të ambasadës. Për këtë arsye, unë e vlerësoj ofertën tuaj për t’u takuar dhe uroj që tani ju do të bashkëpunoni plotësisht me Komitetin. Ju ftoj të kontaktoni me stafi për të vendosur se kur do të takohemi”.