E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo dhe Besa, padronët e merkatos

Jetmir Halilaj (Panorama Sport) - Ishte një merkato me lëvizje të shumta ajo e muajit janar për ekipet e Kategorisë Superiore dhe megjithëse nuk u harxhuan shuma të mëdha parash, lojtarët me emër që ndërruan skuadër pa diskutim ishin më tepër se vitet e kaluara. Mjafton të përmendësh transferimet e futbollistëve Sinani, Memelli, Plaku dhe Shkëmbi, për të kuptuar se një pjesë e skuadrave elitare kanë bërë ndryshime të rëndësishme në ekip. Dje u mbyll zyrtarisht merkatoja e dimrit për Kategorinë Superiore dhe skuadra që ka shpenzuar më tepër është Dinamo.
Dinamo
Blutë ishin ndër klubet që shpenzuan më shumë në merkato, por padyshim mbeten ndër klubet që kanë bërë lëvizjet më të goditura. Dinamo mori në formë huazimi Emiljano Vilën nga Dinamo e Zagrebit, për të cilin pagoi 55 mijë euro. Përveç kësaj mori edhe argjentinasin Timpanaro, për të cilin ka paguar një shifër prej 50 mijë eurosh. Klubi i drejtuar nga Besnik Sulaj vendosi ndërkaq të largonte Sebino Plakun, duke e shitur kartonin e tij për një shifër prej 30 mijë eurosh. Përveç tij, kryesuesit e kampionatit larguan edhe Gerhard Prognin dhe Asion Dajën.
Tirana
Blerja më e bujshme është ajo e Sebino Plakut, për të cilin presidenti Halili derdhi 30 mijë euro në arkat e Dinamos. Sulmuesi është e vetmja blerje e bardhebluve. Kampionët në fuqi, nga ana tjetër, vendosën që të mos i rinovonin kontratën ish-sulmuesit të tyre Migen Memelli, i cili përfundoi te Flamurtari. Përveç tij, zyrtarisht në listën e bardhebluve nuk do të jetë më as mesfushori Saimir Pitushi, i cili u transferua me parametra zero te skuadra e Kamzës, që drejtohet nga i mirënjohur Agustin Kola.
Besa
Kavajasit renditen ndër klubet që kanë bërë goditjet më të bujshme gjatë muajit janar dhe duhet theksuar se janë treguar shumë nikoqirë në merkato, duke shpenzuar shumë pak para, ose më saktë, kostoja e merkatos ka qenë e barabartë me rrogat e lojtarëve që ka blerë, por jo me kartonin e tyre. Besa siguroi shërbimet e Vioresin Sinanit pas një shkëmbimi kokë më kokë me mesfushorin Liridon Leci. Kavajasit morën gjithashtu edhe shërbimet e Bledi Shkëmbit, një ndër më të mirët në rolin e tij në Shqipëri. Për këtë transferim, ata nuk i paguan asgjë Skënderbeut, pasi lojtari e prishi kontratën pas shumë peripecish me klubin korçar. Një blerje shumë pak e bujshme ishte edhe ajo e portierit Edvan Bakaj, i cili mbetet një alternativë për kuadratin e portës së verdhezinjve.
Vllaznia
Shkodranët bënë shumë lëvizje në merkaton e dimrit, duke e konsideruar këtë afat transferimesh si të vetmin shpëtim për ekipin e tyre, i cili gjatë pjesës së parë të kampionatit notoi në ujëra aspak të qeta. U larguan nga Vllaznia emra të mëdhenj si Sinani, E.Beqiri, A.Beqiri dhe të tjerë futbollistë me nivel si Hallaçi, të cilët u zëvendësuan aty për aty. Marrja e sulmuesit të Apolonisë, Sead Haxhibuliç, ishte një nga goditjet më të mëdha, por u afruan edhe mbrojtësi Kraja dhe mesfushori Feniks. Sigurisht, ajo që i befasoi të gjithë ishte afrimi dhe largimi i ish-portierit të Kombëtares shqiptare, Ilion Lika.
Flamurtari
Blerja më e madhe ishte ajo e sulmuesit Migen Memelli. Ish-bomberi i Tiranës mësohet se nënshkroi një kontratë gjashtëmujore për katër mijë euro në muaj. Afrimi i Puljizit dhe i Prognit ishin gjithashtu lëvizje për t’u vlerësuar, por klubi vlonjat mban rekord edhe sa i përket largimeve, pasi u ka bërë dalje nëntë lojtarëve. Nga Flamurtari u larguan Guga, Galica, Alvizh, Bashiç, Ngjela, Belisha, Arifaj, Djukiç dhe Zhunior.
Apolonia
Fierakët bënë më shumë largime sesa blerje në merkato. Gjatë merkatos së dimrit morën futbollistë si Korreshi, Mudresa, Miroviç, Jevdeviç dhe Okbona, por larguan edhe lojtarë me eksperiencë. Mjafton të përmendësh dyshen Sead dhe Semir Haxhibuliç, apo futbollistë si Hoti, Capa, Mërtiri, për të kuptuar se drejtuesit e Apolonisë vendosën ta “lehtësonin” grupin gjatë janarit. 
Ata që shkuan me “ngritje”
Në pjesën dërrmuese të rasteve, gjatë merkatos së janarit u larguan nga ekipet e tyre futbollistë që nuk arrinin të gjenin hapësira në ekipet e mëparshme, por nuk munguan edhe rastet kur kishin pakënaqësi për pagat, apo për presionin e madh që kishin mbi vete. Ndër lojtarët që vendosën të ndërronin ekip, duke ngjitur kështu edhe disa vende në tabelën e Kategorisë Superiore, janë Sinani, Shkëmbi, Ngjela, Gjondedaj, Rukavina etj. Skuadrat e mëparshme (Vllaznia, Skënderbeu dhe Flamurtari) hasën në probleme gjatë fazës së parë dhe nuk arritën t’i shkëputeshin fundit të tabelës, ndërsa skuadrat që ata zgjodhën më pas, janë në pozita shumë më të mira. Sinani e ka thuajse të sigurt se do të luajë në Kupat e Evropës sezonin e ardhshëm, ashtu sikundër edhe Shkëmbi. Ky i fundit u largua nga klubi korçar pas problemeve financiare.

Ata që shkuan me “ulje”
Tirana, pavarësisht problemeve që hasi në pjesën e parë të sezonit, mbetet një nga kandidatet më të mundshme për të marrë pjesë në Kupat e Evropës. Megjithatë, Migen Memellin kjo gjë nuk e pengoi për t’u transferuar te Flamurtari, që aktualisht ndodhet i fundit në tabelë. Edhe Sead Haxhibuliç, ish-kapiteni i Apolonisë, zgjodhi të shkonte në një skuadër që gjendej në pozita më të vështira sesa ekipi fierak. Ai vendosi të vishte fanellën e Vllaznisë, e cila megjithëse është një nga skuadrat më me traditë të futbollit shqiptar, po kalon një ndër momentet më të vështira në historinë e saj. Transferime me “ulje” mund të quhen edhe ato të Vilës e Plakut, pavarësisht se në aspektin personal futbollistët mund të kenë bërë lëvizjet e duhura. Durrsaku hoqi dorë nga kampionati kroat për të luajtur me Dinamon, kurse Plaku nga ekipi kryesues vendosi të transferohet tek Tirana, për shkak se nuk arrinte të luante te blutë.
Federata
Ndryshe nga shumë federata të vendeve perëndimore, të cilat vetëm pak orë pas mbylljes zyrtarisht të merkatos publikojnë listën e të gjitha transferimeve, në FSHF kjo nuk ndodh. Zyrtarët e saj kanë shtuar një pikë në rregullore, sipas së cilës listën zyrtare të transferimeve e publikojnë vetëm 10 ditë mbasi është mbyllur merkatoja, duke lënë kështu hapësira për dyshime.

Të huajt
Edhe këtë fillimviti, tendenca e klubeve shqiptare për të afruar futbollistë të huaj ka qenë e madhe. Nestoroviç, Stojanoviç, Leskarovski dhe Kosturanov janë afrimet më të fundit të klubit korçar. Ndërkaq, edhe Dinamo mori argjentinasin Timpanaro, ashtu sikundër edhe Apolonia mori në ekip Miroviç, Jevdjeviç dhe Okbona.

Blutë mbajnë rekordin e shpenzimeve dhe të përfitimeve në muajin janar 
Vila dhe Timpanaro, më të shtrenjtët
Dinamo, përveçse ka marrë dy lojtarë cilësorë si Emiljano Vila dhe Maksimiliano Timpanaro, ka shpenzuar gjithashtu më tepër se të gjitha klubet. Për të dy këta futbollistë mësohet se blutë kanë shpenzuar rreth 105 mijë euro për t’i pasur në dispozicion, shifër që nuk e ka shpenzuar asnjë klub tjetër. Pa diskutim, që edhe shitjen më të shtrenjtë e ka bërë klubi kryeqytetas. Bëhet fjalë për Sebino Plakun, prej të cilit u përfitua një shumë prej 30 mijë eurosh. Blerja e Emiljano Vilës kishte për qëllim që të forconte ekipin në rast se Bakaj do të largohej nga kryesuesit e kampionatit, por kjo gjë nuk ndodhi, edhe pse ofertat në adresë të fantazistit nuk munguan. “Bakaj dëshironte që të shkonte në një skuadër perëndimore, ndërsa ne ofertat më të mira i patëm vetëm nga klube lindore. Bëhet fjalë për ofertat më të mira financiare”, - ka sqaruar presidenti i bluve, Besnik Sulaj.
Besa
Lëvizje të bujshme ka bërë edhe skuadra e Besës, por kavajasit nuk shpenzuan asnjë kacidhe për kartonët e Sinanit dhe të Shkëmbit. Për të parin ofruan vetëm Lecin në shkëmbim, ndërsa i dyti, pas shumë gjyqesh u largua nga Skënderbeu me parametra zero. Presidenti Bizhdili pa diskutim në bashkëpunim me trajnerin Duro, një njohës i mirë i merkatos shqiptare, kanë bërë lëvizje vërtetë të goditura. Një lëvizje e mirë ishte edhe ajo e Flamurtarit që arriti të siguronte shërbimet e Memellit pa paguar asnjë kacidhe për kartonin e tij. Pogradecarit i kishte skaduar kontrata me Tiranën dhe vlonjatët nxituan ta merrnin në ekip, duke i paguar vetëm rrogën për gjashtë muajt e ardhshëm.

Kastrioti ka befasuar në merkaton e janarit, duke bërë numrin më të madh të blerjeve, madje arriti të afronte edhe ish-portierin e Kombëtares shqiptare, Ilion Likën. Krutanët bënë shtatë blerje dhe larguan pesë futbollistë gjatë janarit, duke i dhënë ekipit një pamje të re. Në provën e parë, skuadra e drejtuar nga Ndreu nuk zhgënjeu, duke mundur Gramozin me rezultatin 1-0.
Shkumbini
Peqinasit ndërkaq nuk ngelën duarkryq dhe u konfirmuan si një ndër klubet më aktive në merkaton e dimrit. Drejtuesit afruan katër futbollistë dhe e përforcuan grupin me emra si Shenaj, Feruzoviç, Krasniqi dhe Gërboviç. Për trajnerin Daiu, të gjithë këta lojtarë i kanë dhënë më shumë siguri skuadrës dhe sipas tij largimet e Çapjes dhe Dervishit janë zëvendësuar në mënyrën e duhur. Vendi i katërt në renditje i bën peqinasit të ëndërrojnë Evropën, edhe pse objektivi primar i kësaj skuadre është të evitojë ndeshjet e “play-out”-it në fund të sezonit.
Teuta
Durrsakët janë një nga skuadrat që kanë pësuar më pak ndryshime gjatë muajit janar. Tri afrimet e reja, Varoshi, Çota e Guna, kanë forcuar ekipin dhe mund të quhen lëvizje të mira, duke qenë se drejtuesit durrsakë nuk shpenzuan asnjë lek për kartonët e tyre. Nga “djemtë e detit” janë larguar Ndreka e Berat Hyseni. I pari ka pasur si synim të nënshkruante me një ekip rus, ndërsa Hyseni është rikthyer në kampionatin kosovar.
Laçi
Për kurbinasit, blerja më e madhe mund të quhet... Arlind Nora. Kampionët në fuqi, bardheblutë e Tiranës, ishin të gatshëm të sakrifikonin për të marrë sulmuesin gjirokastrit, por pas këmbënguljes se drejtuesve laçianë, futbollisti qëndroi te bardhezinjtë. Laçi nuk ka bërë asnjë blerje gjatë merkatos së janarit, por trajneri Nica, sidomos pas fitores me Vllazninë, është bindur se nuk ka gabuar. Janë larguar nga ky klub Rezart Maho dhe Fisnik Bllaca, dy lojtarë që nuk mundën të fitonin besimin e trajnerit dhe të drejtuesve.
Gramozi
Afrimi i Marius Ngjelës dhe ai i Semir Haxhibuliçit ishin goditje të mira, të paktën në letër, nga klubi kolonjar. Trajneri Agim Canaj ishte i bindur se skuadrës që ai drejton i duheshin patjetër disa përforcime dhe klubi ia ka plotësuar kërkesat që ka pasur. Erjon Hoti dhe Klement Xhyra ishin dy blerje të tjera që kryen kolonjarët gjatë afatit të transferimeve të dimrit dhe, sipas Canajt, kaq mjafton që skuadra e tij të jetë më solide gjatë pjesës së dytë të kampionatit. Interesant është fakti që nga klubi kolonjar nuk është larguar asnjë futbollist, çka mund të prishte ekuilibrat në ekip. Një lajm i mirë për kolonjarët ishte pa diskutim edhe rikthimi i sulmuesit Dos Santos, i cili pas një arratisjeje “blic” vendosi të kthehej në Ersekë. Ndeshja me Realin e Madridit duket se e joshi së tepërmi futbollistin.
Skënderbeu
Korçarët janë në krizë të plotë edhe sa i përket merkatos. Pas largimit të shtatë futbollistëve, të cilët nuk u zëvendësuan as në numër, Skënderbeu duket se ka prerë një biletë për në Kategorinë e Parë. Është padyshim ekipi që rrezikon më shumë se gjithë të tjerët, kjo edhe për shkak të largimeve të shumta dhe të blerjeve të pakta. Ndërkaq, dje në mbrëmje është bërë e ditur se dy nga lojtarët e huaj që pritej të firmosnin, janë zhdukur pa lënë gjurmë.
Laçi, merkato me veteranë
Kurbinasit nuk kanë bërë asnjë blerje të bujshme gjatë merkatos së janarit, por duhet theksuar edhe fakti që bardhezinjtë nuk larguan asnjë futbollist të rëndësishëm. Përkundrazi, ata luftuan që të mos largohej sulmuesi kryesor Arlind Nora dhe koha u dha të drejtë, sepse ishte pikërisht gjirokastriti ai që u dha një fitore të çmuar kundër Vllaznisë dy ditë më parë. Edhe ekipi i Skënderbeut ka bërë blerje me pikatore, madje emra thuajse të panjohur në futbollin shqiptar, e kjo i bën gjërat akoma më të vështira, pasi vetëm blerjet e Leskarovskit dhe Kosturanovit nuk kanë shanse të kompensojnë shtatë largimet e janarit nga ekipi korçar, ku ndër më të rëndësishmet ishin ato të Shkëmbit, Gjondedës dhe Guerribit.

105
mijë euro ka paguar klubi i Dinamos për të marrë Emiljano Vilën në formë huazimi (55 mijë) dhe Timpanaron (50 mijë). Këto janë shifrat më të larta që u paguan gjatë merkatos së janarit.
30
mijë euro pagoi Tirana për të marrë kartonin e Sebino Plakut nga Dinamo. Ky ishte edhe transferimi më i shtrenjtë për merkaton e Kategorisë Superiore gjatë këtij dimri.
3
blerjet e bujshme të merkatos dimërore arritën që të shënonin gol javën e kaluar. Vila, Plaku dhe Sinani shënuan respektivisht për ekipet e tyre, duke ngjallur optimizëm te fansat.
Sinani
Bomberi shkodran, pas një periudhe të vështirë gjatë pjesës së parë të kampionatit, vendosi të kalonte te ekipi i Besës. 33-vjeçari u transferua në Kavajë pas një shkëmbimi kokë më kokë me Lecin.
Memelli
I skadoi kontrata në fund të dhjetorit dhe tentoi të transferohej në një ekip të huaj, por ofertat nuk e bindën. Pasi nuk arriti akordin për të rinovuar me Tiranën, 30-vjeçari firmosi për Flamurtarin.
Plaku 
Sulmuesi 25-vjeçar u largua nga skuadra e Dinamos në drejtim të Tiranës, për shkak se nuk aktivizohet te blutë. Kampionët në fuqi paguan 30 mijë euro për kartonin e tij.
Vila
Mesfushori i avancuar nuk arriti të përshtatej te skuadra e Dinamo Zagrebit, madje as te Lokomotiva e Zagrebit, ndaj vendosi të kthehej në Shqipëri duke zgjedhur blutë e Shkëlqim Muçës.
Haxhibuliç
U fol se pati probleme financiare te Apolonia dhe se raporti me trajnerin Lika ishte i vështirë, ndaj sulmuesi boshnjak vendosi të ndërronte ekip, duke kaluar në formë huazimi te Vllaznia.
Shkëmbi
Ish-kapiteni i Skënderbeut hodhi në gjyq klubin për shkak të problemeve me rrogat. Komisionet juridike të FSHF-së i dhanë të drejtë dhe ai vendosi që pjesën e dytë të sezonit të luajë për Besën. Burimi: Albania-sport.comE Marte, 02 Shkurt 2010

 
Shto dhe ti komentin tend

Emri dhe e-maili

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›