E Diel, 1 Nëntor 2026

Dinamo fiton 2-0, por kualifikohet LahtiDinamo u duk se ishte shumë pranë realizimit të një përmbysjeje epike të një deficiti prej tre golash kundrejt finlandezëve të Lahtit (2-0), falë dy golave të realizuar nga mbrojtësi gjigant Pape Diop (13

Dinamo u duk se ishte shumë pranë realizimit të një përmbysjeje epike të një deficiti prej tre golash kundrejt finlandezëve të Lahtit (2-0), falë dy golave të realizuar nga mbrojtësi gjigant Pape Diop (13’ e 70’), por që rezultuan të pamjaftueshëm për t’i çuar blutë e Besnik Sulajt (premtoi 50 mijë USD për kualifikimin) në turin e dytë kualifikues të Ligës së Europës, pasi Lahti kishte fituar ndeshjen e parë 4-1 (4-3 rezultati i përgjithshëm i dy takimeve). Dinamo u bë kështu skuadra e parë shqiptare që i dha lamtumirën Europës.

Pjesa e parë

Dinamo ushtroi presion nga minuta e parë në drejtim të portës finlandeze, kur pas ekzekutimit të goditjes së këndit nga Elis Bakaj (2’), Bekim Kuli, autori i golit të vetëm të Dinamos në Finlandë, u përpoq të shënonte sërish në “Qemal Stafa”.

Lahti reagoi dhe Litmanen brenda dy minutash ekzekutoi dy goditje rresh nga këndi (4’ dhe 5’), përpara se Haara, edhe ky një golashënues në ndeshjen e parë, të godiste portën e mbrojtur nga Kotori në minutën e 6-të.

Dinamo u rikthye në zotërim të mesfushës, dhe pas përpjekjeve të Bakajt (9’), Pishës (11’), Allmuçës (11’), erdhi edhe goli i parë i bluve shqiptarë, që pati autor jo një sulmues, por një qendërmbrojtës, senegelazin gjigant Pape Diop, i cili u zhyt me gjithë top në rrjetë në minutën e 13-të.

Shifrat e përgjithshme, përfshirë dhe takimin e parë shkuan në 4-2, duke i dhënë më shumë shpresë vijës së parë dinamovite në kërkim të golave të tjerë dhe përmbysjes së rezultatit. Mesfushori Gentjan Muça shfaqet me një goditje drejt portës (17’), ndërkohë që sërish shtatlarti Diop, përpiqet pesë minuta më pas të realizojë golin e dytë për Dinamon, për t’ia lënë radhën Sead Haxhibuliçit në minutën e 29-të.

Diop mund të kishte shënuar në minutën e 41-të, por topi i goditur prej senegalezit preku shtyllën, duke e kursyer skuadrën finlandeze nga pësimi i golit të dytë. Pjesa e dytë u mbyll me përpjekjet e Elis Bakajt, si nga goditja e këndit ashtu dhe ajo e lirë në të 45’+2.

Pjesa e dytë

Trajneri Muça e nisi me një zëvendësim fraksionin e dytë, duke hedhur në fushë sulmuesin Sebino Plaku në vend të Bekim Kulit (u ndëshkua edhe me një karton të verdhë në minutën e 17-të). Nga ana e tij, trajneri i Lahtit, Ilka Makela, zëvendësoi kosovarin Driton Shala.

 Pjesa e dytë ka qenë e ashpër, kjo u pa qartë edhe nga kartonët e verdhë të dhënë nga gjyqtari grek Vasilios Pamporidis: Allmuça (Dinamo), Putincani (Dinamo), Fofana (Lahti).

Goli i dytë për mban firmën e askujt tjetër, por sërish te senegalezit Pape Diop, i shndërruar në një gjahtar të jashtëzakonshëm, duke dyfishuar shifrat në minutën e 70-të e rritur në maksimum adrenalinën në “Qemal Stafa” e të një publiku entuziast në kërkim të golit të tretë blu, që do të sillte edhe kualifikimin. Tri minuta më pas ishte Haxhibuliç që shënjestroi portën finlandeze të mbrojtur nga Szentpeteri, i ndëshkuar më pas edhe me një karton të verdhë.

Trajneri Muça bëri edhe zëvendësimin e tretë, duke futur në fushë mesfushorin Ferraj në vend të mbrojtësit Vrapi (78’), por përpjekjet si të Bakajt me dy goditje të lira (82’, 85’) ashtu dhe të Plakut në minutën e 89-të, nuk prodhuan golin e tretë dhe kualifikimin e shpresuar të Dinamos, që u shfaq në “Qemal Stafa” agresive, ndryshe nga apatia e një jave më parë në Finlandë.

Përfundimisht me rezultatin e përgjithshëm 3-4 për Lahtin, Dinamo i dha fund aventurës së parë në Ligën e Europës, duke mos e kaluar dot turin, kur për herë të fundit e ka realizuar në edicionin 2002-2003 në Ligën e Kampioneve përballë Kaunasit.

E Enjte, 09 Korrik 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›