Cana te Hamburgu për 12 milionë euro?Loriku u shtohet kolonisë shqiptare që kanë luajtur në kampionatin gjerman, si Altin Lala, Ervin Skela, Edmond Kapllani, Fatmir Vata, teksa tri vite me parë te Hamburgu ka luajtur edhe Besart Berisha.

Mediat franceze raportuan se transferimi i Lorik Canës te Hamburgu do të finalizohet në shumën e 12 milionë eurove, më e shtrenjta e paguar për një lojtar shqiptar në merkaton evropiane. Kapiteni aktual i Olimpikut të Marsejës, sipas gazetës franceze “La Provance”, duhet të nënshkruajë për klubin e njohur gjerman brenda kësaj jave. Loriku u shtohet kolonisë shqiptare që kanë luajtur në kampionatin gjerman, si Altin Lala, Ervin Skela, Edmond Kapllani, Fatmir Vata, teksa tri vite me parë te Hamburgu ka luajtur edhe Besart Berisha, përpara se ky i fundit të transferohej në Angli të Bërnli i Championship-it (kategoria e dytë angleze). Për Lorikun, Hamburgu shënon klubin e tij të katërt në karrierën e tij futbollistike pas fillimeve me Lausane Sport në Zvicër (ende një fëmijë), Paris Sën Zhërmenin e Olimpikun e Marsejës, ku u dallua si lojtar me vlera dhe fitoi një personalitet në Francë.
Kastrati, pranë firmës me Dinamon e Drezdenit
Bekim Kastrati, ish-sulmuesi i Kombëtares shqiptare në kohën e e Hans Peter Brigelit e Oto Bariçit, duket se ka fituar për momentin një vend te Dinamo e Drezdenit. Lajmi jepet nga faqja online e tabloidit popullor gjerman “Bild”. 30-vjeçari Kastrati, ka luajtur më parë në Bundesligë me Borusian e Mynshengladbahut (4 ndeshje) dhe Eintraht Braunshvajgun në Bundesligën 2 (6 ndeshje).
Blerim Xhemaili, pranë Fiorentinës
Shqiptari Blerim Xhemaili, aktualisht në forcë me Torinon e rënë në Serinë B, mund të transferohet te Fiorentina në Serinë A. Felipe Melo do të largohet nga “vjollcët”, dhe mesfushori 23-vjeçar nga Maqedonia, shihet si zëvendësuesi ideal i tij. Xhemaili ka qenë i kërkuar gjatë këtij viti edhe nga Napoli, Udineze, Juventusi, Sampdoria, Lacio e Bari. Torino bleu kartonin e Blerimit nga Uest Bromuiçi. Xhemaili pritet të nënshkruajë një kontratë katërvjeçare, deri në vitin 2013, duke përfituar 1 milion euro në sezon.
E Enjte, 09 Korrik 2009