E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo, frikë nga e panjohura

Trajneri i Dinamos, Shkëlqim Muça, nuk e fshehu aspak shqetësimin e tij ndaj një skuadre tërësisht të panjohur si ajo finlandeze, FC Lahti. 'Nuk e doja këtë skuadër, pasi e njoh shumë pak. Më mirë do të ishte të na kishte rënë sllovenia Nova Gorica', - u shpreh Muça për mediat sportive.

Në ndeshjen e fundit në Europë, Dinamo humbi në turin e parë të turit të parë të Ligës së Kampioneve kundër Modricës 2-0 (gola të Miljkoviç në të 65’ dhe Stokiç në të 80’).

Në takimin e kthimit blutë shqiptarë humbën sërish 2-1 (gol i Daniel Xhafës për Dinamon). Nga gjashtë barazimet e arritur nga Dinamo në aktivitetet europiane, pesë prej tyre janë mbyllur me rezultatin 0-0, ndërsa një në barazimin 1-1, Dinamo-Austria Vjenë, Kupa e Fituesve të Kupave, 1971-1972. Barazimi i fundit është ai i arritur në turin e parë eliminator të edicionit 2002-2003 të Ligës së Kampioneve: Dinamo - FBK Kaunas (0-0). Nëse do të kualifikohet për në turin e dytë, Dinamo do të përballet me Nova Gorican, një kundërshtar i njohur në Shqipëri pasi sllovenët janë ndeshur më parë me Tiranën e Teutën.

KOSOVARI SHALA

Klubi finlandez, FC Lahti, në lajmin e publikuar në faqen zyrtare të klubit, iu referua deklarimeve të lojtarit të tij, kosovarit Drilon Shala, në lidhje me ndeshjen kundër Dinamos.

Sulmuesi 22-vjeçar kosovar shprehet shumë i entuziazmuar në lidhje me aventurën kundër Dinamos, por dhe faktit se takimin në Tiranë mund ta ndjekin shumë të afërm të tij nga Kosova. “Të afërmit e mi do ta ndjekin sigurisht ndeshjen. Shqiptarët janë tifozë shumë fanatikë. Nuk do të jetë një ndeshjen e lehtë”, - është shprehur Shala. Më parë me Lahtin ka luajtur edhe Njazi Kuqi, i cili sot aktivizohet te Koblenz në Bundesligën 2 gjermane.

Lahti është një skuadër e përbërë kryesisht me lojtarë finlandezë, por në gjirin e tij ka dhe një hungarez (portieri Viktor Szentpéteri), një afrikan nga Guinea (mesfushori Mohamed Fofana ) dhe një brazilian (sulmuesi Rafael). Klubi finlandez vë në dukje se pak lojtarë të tij kanë eksperiencë ndërkombëtare, si Kale Eerolalla, Hakasa, Forfnba. Kampionati finlandez është në zhvillim e sipër dhe pas 10 javëve, Lahti ndodhet në vendin e 8-të me 13 pikë (3 fitore, 4 barazime, 3 humbje), por ajo që duhet theksuar është fakti se Lahti nuk fiton prej katër ndeshjesh (3 humbje, 1 barazim). Lahti është një klub relativisht i ri, pasi është themeluar në vitin 1996, por në fakt është “krijim” i një bashkimi të dy klubeve më të vjetra: FC Kuusysi dhe Reipas. Në kampionatin e fundit u rendit në vendin e tretë. Lahti si klub ka zhvilluar 28 ndeshje ndërkombëtare në të gjitha kompeticionet.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›