Dinamo, kundër “sherifëve” moldavë

Kampionia e Shqipërisë, Dinamo, do të nisë te merkuren (19:00) për herë të gjashtë aventurën e saj në Ligën e Kampioneve (nga edicioni 1980-1981), kur do të përballet në Tiraspol me kampionin e Moldavisë, Sherif Tiraspol, një ekip dukshëm më favorit dhe me më shumë eksperiencë ndërkombëtare se ekipi shqiptar.
Dinamo e drejtuar nga Luis Manuel Blanko, argjentinasi i katërt që drejton blutë (tre të parët: Pedro Pablo Paskuli, Ramon Kabrero dhe Marsel Havier Zuleta) dhe i pesti nga vendi i Diego Armando Maradonës, përfshirë edhe kampionin e botës së vitit 1978, Mario Kempesin (trajner te Lushnja në fillim të vitit 1997), zhvilloi një fazë të fortë përgatitore në Maribor të Kroacisë me pesë ndeshje miqësore (3 fitore, 2 humbje).
18-herë kampionët e Shqipërisë dështuan në edicionin 2008-2009, kur me argjentinasin Marcelo Havier Zuleta në bankinë u eliminuan nga kampionia e Bosnjës, Modrica, pas dy humbjeve: 0-2 në Tiranë dhe 2-1 në Zenica, ndërkohë që gjatë edicionin të kaluar në Ligën e Europës u eliminua nga finlandezët e Lahtit (1-4, 2-0).
Sherif Tiraspol është një prej skuadrave më të njohura në Moldavi. Merr pjesë rregullisht në Ligën e Kampioneve nga edicioni 2001-2002, ku vazhdimisht ka kaluar turin e parë.
Në edicionin e fundit të Ligës së Kampioneve, Sherif Tiraspol kaloi në turin e dyte finlandezët e Inter Turkut, në të tretin eliminoi Sllavian e Pragës dhe në play-off u eliminua nga Olimpiakosi i Pireut, kundërshtarit aktual të Besës në turin e dytë eliminator të Ligës së Europës.
Dinamo ka në gjirin e saj pesë lojtarë të kombëtares shqiptare (Hidi, Bakaj, Vila, Muzaka dhe kapitenin Pisha), si dhe shtatë lojtarë të huaj, pesë argjentinas, një serb (Putinçanin) e një senegalez (Diop).
Sherif Tiraspol ka një skuadër të përzierë, ku përveç futbollistëve moldavë bëjnë pjesë serbë, gjeorgjianë, rusë, rumunë, ukrainas, malazezë, afrikanë nga Burkina Faso, bullgarë, madje edhe një brazilian.
Dinamo e kaluar për herë të fundit një tur në Ligën e Kampioneve në sezonin 2002-2003. Dinamo e drejtuar atëhërë nga Faruk Sejdini fitoi në transfertë 2-3 me FK Kaunas në Lituani (17 korrik 2002: golat Ahmataj 55’, Pisha 56’, Qorri 76’ )dhe barazoi 0-0 në Tiranë (24.07.2002). Në turin e dytë Dinamo u eliminua nga Brondby e Danimarkës (dy humbje 0-1, 0-4).
Dinamo e ka nisur historinë e saj në Ligën e Kampioneve (atëherë quhej Kupa e Kampioneve) me takimet kundër Ajaksit të Amsterdamit, dy humbje: 0-2 dhe 0-1, dhe në pesë ballafaqimet e saj të deritanishme janë edhe Olimpiku i Marsejës (1-5, 0-0) dhe Beshiktashi i Turqisë (0-2,0-1). Bilanci i saj në Ligën e kampioneve numëron 12 ndeshje, nga të cilat ka arritur 1 fitore, 2 barazime dhe 9 humbje
Kjo do të jetë ndeshja e 39-të në Europë e Dinamos në të gjitha kompeticionet (përfshirë Ligën e Kampioneve, 12 ndeshje; Kupën e Kupave, 8 ndeshje; Ligën e Europës, 16 ndeshje dhe Kupën Intertoto, 2 ndeshje).
Edhe një statistikë tjetër: Dinamo është ekipi i gjashtë shqiptar që ka zhvilluar ndeshje në Ligën e Kampioneve, duke përfshirë këtu Tiranën (13 pjesëmarrje, 5 herë ka kaluar turin e parë), Partizanin (8 pjesëmarrje), Vllazninë (3 pjesëmarrje, 1 herë e ka kaluar turin e parë), Elbasanin (2 pjesëmarrje) dhe Flamurtarin (1 pjesëmarrje).
DINAMO NË LIGËN E KAMPIONEVE
2008-2009: Dinamo-Modrica (Bosnjë): 0-2, 1-2
2002-2003: Dinamo-Kaunas (Lituani): 3-2, 0-0
Dinamo-Brondbi (Danimarkë):0-4, 0-1
1990-1991: Dinamo-Marsejë (Francë): 1-5, 0-0
1996-1987: Dinamo-Beshiktash (Turqi): 0-2, 0-1
1980-1981: Dinamo-Ajaks (Holandë): 0-1, 0-2
Bilanci: 12 ndeshje, 1 fitore, 2 barazime dhe 9 humbje
Besa
Besa e Kavajës do të përballet të enjten me Olimpiakosin e Greqisë në turin e dytë eliminator të Ligës së Europës. Takimi i parë do të luhet në stadiumin “Qemal Stafa” (20:30).
Tirana
Pasi eliminoi hungarezët e ZTE-së (0-0, në Tiranë, 1-0 në Hungari), Tirana do të përballet me holandezët e Utrehtit, ekipi i dytë portokalli pas Ajaksit në edicionin 1970-1971.
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Marte, 13 Korrik 2010
Shto dhe ti komentin tend
Emri dhe e-maili