E Diel, 1 Nëntor 2026

Dinamo, me Skënderbeun për të reaguar pas disfatës në Kupë

Ndeshjet

Java e 24-t e Kategorisë Superiore do të vazhdojë sot me tri sfida të tjera. Me transfertën në fushën e Skënderbeut, Dinamo ka shansin të harrojë zhgënjimin në Kupën e Shqipërisë, pas eliminimit nga Shkumbini. Blutë po kalojnë momentin më negativ të sezonit: edhe pse kanë luksin që të mos jenë të detyruar të fitojnë (diferenca nga ndjekësja më e afërt është 17 pikë), të besuarit e Shkëlqim Muçës duhet të reagojnë. Kjo është edhe thirrja që trajneri i ka bërë futbollistëve: “Do të përpiqemi të reagojmë. Ekipi është në gjendje të mirë dhe shkojmë në Korçë për rezultat”. Gjithsesi, trajneri e ka të qartë se sfida me bardhekuqtë nuk do të jetë një shëtitje. Skuadra e Mirel Josës kërkon dëshpërimisht pikë për të mbijetuar, ndërsa në fazën e parë ata kanë arritur t’i marrin një pikë Dinamos. “është një ndeshje e vështirë, pasi Skënderbeu kërkon pikë dhe do të bëjë të pamundurën që të mos gabojë në fushën e tij. Ata janë një skuadër e fortë përpara publikut korçar dhe këtë e treguan në fazën e parë, kur arritën të na merrnin barazimin edhe pse ishin në vështirësi”, tha Muça. Në takimet e tjera, Apolonia pret Shkumbinin: një sfidë që vlen për t’u larguar nga “zona e ftohtë” e klasifikimit. Peqinasit dhe fierakët mbajnë vendet gjashtë dhe shtatë, respektivisht me 31 dhe 30 pikë. Teuta luan në Durrës me Gramozin, skuadrën të cilën e eliminoi nga Kupa gjatë kësaj mesjave.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›