E Diel, 1 Nëntor 2026

Olimpiku, një Milan i vogël. Gjipali, talenti që shkëlqen

Një “Milan” i vogël në kryeqytet. Kështu mund të etiketohet Olimpiku i Tiranës, i cili ka afruar tashmë në gjirin e tij disa nga talentet më të mirë shqiptarë, pikërisht katër nga pesë të përzgjedhurit e edicionit të parë shqiptar të “Milan Junior Kamp”. Ai që e tërhoqi “këmbën zvarrë” ishte Alketo Gipali, i cili pak më vonë do të ndiqej nga Erli çupi, Andriko Gurma e Mikel Brahlika. Prindërit e këtyre futbollistëve të vegjël, të cilët shihen si e ardhmja e futbollit shqiptar, janë bindur t’i çojnë fëmijët në Akademinë e Olimpikut, pasi pohojnë se aty fëmijët e tyre do të mund të gjejnë kushtet ideale për t’u rritur e përmirësuar. Olimpiku është klubi i parë privat në Shqipëri, i cili aktualisht ofron kushte të denja të stërvitjes, që prindërit i konsiderojnë të parametrave europiane dhe në drejtim janë trajnerë cilësorë të pajisur më licencat “A” dhe “B” të FIFA-s. “Në çdo ekip kombëtar U-15, U-17, U-19, Olimpik ka nga 4-5 lojtarë të saj, nënvizon presidenti i Olimpikut, Kujtim Beqiri. Veç katër talenteve të Milanit, këtu ne punojmë për të rritur edhe të tjerët. Sukseset tona janë të mbështetura te puna si një ekip europian, sigurisht në miniaturë, por e plotë për Shqipërinë”. Kemi trajnerë atletikë dhe punojmë me strategji për të furnizuar me lojtarë ekipin kombëtar. Mjafton të ndjekësh për pak minuta stërvitjen në Akademi dhe vëren se në fushë është dikush që të tërheq menjëherë vëmendjen. Alketo Gjipali, kapiteni 14-vjeçar, mban nr. 10 në fanellë, si yjet më të mëdhenj të futbollit botëror. Luan në kufirin midis mesfushës dhe sulmit, tipike për lojtarë si Ronaldinjo e Kaka. Por ngjashmëria me Kaka nuk ka kufi. Luan në pozicionin e brazilianit, organizator, më i miri në Shqipëri në këtë rol, ku nuk njeh rivalë. Lëviz si Kaka, sillet si ai, madje edhe ditën e lindjes e kanë të përbashkët, data 22. Ndërsa trajnerët e Olimpikut shprehen të bindur në talentin e 14-vjeçarit. “Ka një lëvizje të topit sikundër të ishte një lojtar i rritur. Për mua ka një të ardhme të mirë dhe të padiskutueshme”, pohon trajneri Luan Sengla. “Sipas meje është ndër të rinjtë më të talentuar që kam stërvitur gjatë 18 viteve të fundit”, thotë trajneri tjetër, Irfan Bujari. Përveç Milanit, që po e mban nën vëzhgim, për të interesohen Olimpiakosi dhe AEK-u, por ka sinjale edhe nga Juventusi.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›