Shorti i Kupës prodhon përballjet Teuta-Vllaznia dhe Besa-Shkumbini
Vllaznia ka shmangur një përplasje të mundshme me një nga skuadrat më në formë të këtij sezoni, Besën, por goglat e kanë vendosur përballë Teutës. Ndërkohë që kavajasit, që një tur më parë eliminuan Tiranën, do të përballen me Shkumbinin, që nxori nga ky kompeticion Dinamon. Të premten në mesditë, në prani të drejtuesve të FSHF-së, por edhe të klubeve që kaluan me sukses turin çerekfinal të Kupës së 58 të Shqipërisë, u hodh shorti për dy çiftet gjysmëfinaliste. Shorti kanë vënë përballë Besën dhe Shkumbinin, ndërsa Teuta ndeshet me Vllazninë. Besa-Shkumbini parashikohet si një nga ndeshjet më të nxehta, pasi zakonisht përballjet mes këtyre dy ekipeve kanë pasur tension dhe incidente. Shkumbinit ishte dhe surpriza e kompeticionit të dytë për nga rëndësia në futbollin shqiptar. Ekipi peqinas arriti të siguronte kualifikimin, pasi mundi në dy ndeshje, 2-1 dhe 0-1 Dinamon. Në sfidën tjetër, Vllaznia do të kërkojë suksesin në Kupën kundër Teutës, duke u nisur nga ndeshja e parë që do të zhvillohet në “Niko Dovana”. Vllaznia arriti të eliminonte në çerekfinale Skënderbeun dhe Kupa e Shqipërisë është objektivi i vetëm i mbetur i shkodranëve, e cila kërkon një vend për në Kupat e Europës në sezonin e ardhshëm. Që të katërta ekipet janë jashtë luftës për titullin kampion, pasi këtë të fundit e ka pronësuar Dinamo. Interesant është fakti se gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë nuk kanë në gjirin e tyre asnjë skuadër të kryeqytetit, që kanë mbetur rrugës, ndërkohë që në këtë fazë të këtij trofeu, gjendet për herë të dytë Shkumbini i Peqinit. Sa u takon këtyre katër skuadrave gjysmëfinaliste të Kupës së 58 të Shqipërisë, për edicionin 2009-2010, Vllaznia e Shkodrës e ka fituar 6 herë, në vitet 1965, 1972, 1979, 1981, 1987 dhe 2008, Besa e Kavajës e ka fituar këtë trofe 1 herë, në vitin 2007, Teuta e Durrësit 3 herë, në vitet 1995, 2000 dhe 2005. Nga katër skuadrat gjysmëfinaliste vetëm Shkumbini nuk e ka fituar asnjëherë kupën. Ndeshjet e para do të luhen më 24 mars dhe ato të kthimit më 7 prill. Finalja e Kupës së Shqipërisë do të luhet më datë 9 maj. Asnjë nga ekipet gjysmëfinaliste nuk i përket kryeqytetit, kështu që finalja pritet të luhet në “Qemal Stafa”.
#