Partizani, misioni 4-vjeçar drejt fundit
Skuadra legjendare e futbollit shqiptar është në prag të rikthimit në elitën e futbollit shqiptar, ku mungon prej shumë kohësh
Demat e kuq kanë marrë një trepikësh të vyer përballë Mamurasit në baltën e Qemal Stafës, duke u afruar së tepërmi ngjitjes në Superligë. Skuadra e kuqe i mungon kategorisë superiore prej katër vitesh, mungesë e cila ka ndikuar ndjeshëm edhe në cilësinë e përballjeve në këtë kampionat, kjo për vetë emrin që mbart ky ekip.
Tashmë kur kanë mbetur edhe gjashtë javë nga mbyllja e Kategorisë së Parë, Partizani ndodhet në vendin e dytë, pesë pikë përpara Pogradecit. Faza e dytë ka qenë me dy fytyra për skuadrën, e cila e nisi shumë keq, duke barazuar me Adën në shtëpi dhe duke u larguar katër pikë nga Mamurrasi, që mbante vendin e dytë.
Humbja në Pukë solli dhe shkarkimin e Shpëtim Duros nga drejtimi i skuadrës. Me ardhjen e Hasan Likës, skuadra ndryshoi fizionomi, ku arriti të marrë një fitore ndaj Burrelit në fushën e Yrshekut. Kjo ishte dhe pika e kthesës për të kuqtë kryeqytetas, të cilët me atë trepikësh kaluan dhe gjendjen e rënduar psikologjike.
Më pas do të vinin dhe dy fitore të tjera në javët pasardhëse, ndaj Dinamos dhe Ilirisë po në fushën e Yrshekut, e cila duhet theksuar se ka qenë fatsjellëse për Partizanin. Nga ana tjetër, fitoret e skuadrës u shoqëruan dhe me humbjet e papritura dhe të çuditshme të Mamurrasit, i cili i liroi vendin e dytë Partizanit.
Në ndeshjen e katërt nën drejtimin e Likës, skuadra arriti një barazim të vlefshëm përballë Pogradecit në transfertë, duke ruajtur pozitat në vendin e dytë të renditjes. Fitorja e fundit ndaj Mamurrasit e ka derguar në pesë ndeshje radhazi positive ecurinë e demave të kuq. Me këtë paraqitje, Partizani është fare pranë realizimit të objektivit final, rikthimin midis më të mirëve në Superligë.
Në gjashtë ndeshjet e ardhshme, kalendari i Partizanit nuk përmban vështirësi, pasi ata do ndeshen ndaj skuadrave që kanë realizuar objektivat e tyre në këtë kampionat. Gjithsesi, stafi teknik ka kërkuar ndaj skuadrës përqëndrim për mënjanimin e euforisë, e cila duket se do të jetë dhe kundërshari kryesor i demave të kuq në javët në vijim.
