Dinamo ndalet një gol larg ëndrrës
Një derbi i “Dinamove” (Dinamo e Zagrebit-Dinamo e Tiranës) në Ballkan do të ishte shumë i bukur për t’u parë në turin e tretë eliminator të Champions Leagues. Kjo nuk ka për të ndodhur, pasi kampionët e Shqipërisë kanë bërë gjithçka mirë në ndeshjen e kthimit në “Qemal Stafa” ndaj FC Sheriff Tiraspolit, por në fund ka qenë e detyruar të ndalet vetëm një gol larg realizimit të kësaj ëndrre. Përballja e djeshme u fitua me rezultatin 1-0 nga Dinamo, por kjo nuk ka mjaftuar që kampionët e Shqipërisë të vijojnë më tej në Champions League. Kjo sepse humbja në ndeshjen e parë, me rezultatin 3-1, u ka dhënë mundësinë moldavëve për t’u përballur në turin tjetër me Dinamon e Zagrebit. Fitorja e djeshme ka vlejtur pak, sepse rezultati total i të dyja ndeshjeve është 3-2 për FC Sherif, që kualifikohet për më tej, ndërkohë që në ndeshjen e kthimit, në kryeqytetin shqiptar, nuk ka bërë shumë gjëra, por vetëm është munduar ta vonojë sa të mundej lojën dhe të mbronte epërsinë e sfidës së parë. Dinamo ka luajtur fort, e mobilizuar, dhe e ka gjetur golin në minutën e 19-të të ndeshjes, me anë të Emiljano Vilës, që ka rritur kështu edhe adrenalinën e bluve për një rezultat pozitiv dhe të mjaftueshëm për t’u kualifikuar. Por, pavarësisht dominimit të lojës nga ana e kampionëve të Shqipërisë gjatë gjithë 90 minutave të ndeshjes, ka munguar konkludimi në rastet e tjera, që gjithsesi nuk kanë munguar në portën e moldavëve. Por mungesa e sulmuesit kryesor të bluve, Elis Bakaj, që u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen e parë, ka bërë që goli i dytë, ai i kualifikimit, të mos dilte në dritë. Një ndër më të mirët në këtë takim ka qenë loja e mesfushorit Gjergji Muzaka, i cili, edhe pse kthehej në ekip vetëm pak ditë pas ndarjes nga jeta e të atit, ka shkëlqyer në fushën e lojës, duke tërhequr vëmendjen e të gjithëve. Talenti i futbollit shqiptar ka dalë mbi dhimbjen dhe ka vendosur t’i japë një dorë Dinamos së tij, ku ka kaluar këtë sezon. Por ai i vetëm nuk i ka mjaftuar kësaj Dinamoje për të siguruar kualifikimin për në turin tjetër. Pavarësisht lojës së mirë dhe dominuese në gjysmëfushën e miqve, Dinamo nuk ka shkuar dot më tej se fitorja minimale, 1-0 ndaj FC Sherif, duke i thënë lamtumirë Champions Leagues, kur ishte vetëm një gol larg ëndrrës për të luajtur në turin e tretë të kompeticionit më prestigjioz për klube në Europë. E drejta për të vijuar më tej u takon moldavëve të FC Sherif Tiraspolit, që në stadiumin “Qemal Stafa”, në ndeshjen e kthimit, nuk është se bënë një paraqitje për ta merituar të drejtën për të vazhduar më tej. Por fatkeqësi e Dinamos është se fati i kualifikimit u vendos nga rezultati i ndeshjes së parë, ku moldavët morën maksimumin (një fitore 3-1) falë shfrytëzimit të gabimeve të Dinamos. Nëse Pisha dhe Hidi nuk do të bënin ato dy gabime fatale në ndeshjen e luajtur një javë më parë në Tiraspol, ku pësuan edhe dy gola, FC Sherif nuk do të kishte “kalëruar” dot më tej, por kampionët e Shqipërisë do të kishin nderin të ballafaqoheshin më tej me Dinamon e Zagrebit. Gjithsesi, tani bluve nuk u mbetet gjë tjetër veçse të nisin përgatitjet për sezonin e ri të kampionatit shqiptar.
#