E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkohej për trafik heroine, kapet me pushime në Sarandë

Tiranë Pronari i 7 kg drogë, që u kap gjatë operacionit “Taksisti 2”

Ishte dënuar me afërsisht katër vjet burg për trafik droge, por bënte pushime në Sarandë. Bëhet fjalë për Ilir Malajn, të shpallur në kërkim që prej fundit të tetorit të vitit 2008, kur u realizua operacioni “Taksisti 2” dhe që është dënuar nga krimet e rënda me tre vjet e tetë muaj burg. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se specialistët e seksionit kundër narkotikëve bënë ekzekutimin e vendimit penal, në zbatim të urdhrave të Prokurorisë për Krimet e Rënda, mbi ndalimin e shtetasit Ilir Ismail Malaj, 35 vjeç, banues në Tiranë. Ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Apelit Tiranë, me vendim të datës 25 nëntor të vitit 2009, e ka dënuar me 3 vjet e 8 muaj burgim, për veprën penale të “trafikimit të narkotikëve”, po ashtu në ngarkim të tij, Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë, me vendimin e datës 07 korrik 2010, ka caktuar në mungesë masën e sigurimit “arrest me burg”, duke e akuzuar për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”. Sipas të dhënave, prej kohësh 35-vjeçari i fshihej policisë dhe tashmë kishte nisur pushimet në Qeparo të Sarandës. Specialistët e antidrogës së Tiranës kanë marrë informacion mbi këtë person dhe në bashkëpunim me kolegët e Sarandës kanë bërë arrestimin e tij në një shtëpi pushimi. Sipas të dhënave, më 30 tetor të vitit 2008, Nga Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar në Departamentin e Hetimit të Krimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Berat, u finalizua me sukses operacioni i koduar Taksisti 2”, gjatë të cilit u bë i mundur arrestimi i shtetasit Fatbardh Luftar Dulla, 39 vjeç, lindur e banues në Uznovë, Berat, me profesion taksist. Arrestimi i këtij personi është bërë, pasi rreth orës 06.15 të asaj dite, te pika e kalimit kufitar Kakavijë-Gjirokastër, gjatë kontrollit të automjetit të drejtuar prej tij, u gjetën të fshehura në pjesën e brendshme të këtij mjeti 14 pako me lëndë narkotike të dyshuar heroinë, me një peshë prej rreth 7 kg e 255 gramë. Me cilësinë e provës materiale u sekuestrua sasia e lëndës narkotike, automjeti tip “Mercedes Benz”, me targë BR 2627 B, shuma prej 300 eurosh, një mijë lekë, si dhe dy aparate celularësh. Më tej, policia zbuloi se poseduesi i lëndës narkotike ishte Ilir Malaj që u shpall në kërkim dhe Dulla ishte vetëm korrieri i lëndës narkotike.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›