E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo, nga parajsa në ferr!

SHKRUAN: Jeton Selimi 02-05-2011 11:36

Dikur kryeqyteti krenohej me tre skuadrat e tij, që i jepnin jetë 6 përballjeve shumë emocionuese, që ndiznin kampionatin shqiptar. Por, prej dy sezonesh (dhe mbase do të presë ende shumë sezone), kryeqyteti jetonte vetëm 2 përballje derbi dhe, mbase nga sezoni i ardshëm nuk do të ketë më një derbi të kryeqytetit që prej vitit 1947, vit në të cilin Partizani militoi për herë të parë në superligë dhe ndezi derbin me Tiranën, që u shndërrua dhe në ndeshjen më emocionuese të kampionatit tonë (Dinamo u krijua dhe mori pjesë në kampionatin e vitit 1950).

Situata që po kalon klubi blu është vërtet e rëndë, thuajse e ngjashme me atë që pësoi Partizani, që tashmë është degdisur në Kategorinë e Dytë, pasi është matematikisht i rënë nga Kategoria e Parë. Analogjia ekziston. Nëse Partizani tashmë ekziston vetëm si logo, pasi terrenet u janë kthyer pronarëve dhe ish-selia e klubit është shndërruar në shkollën “Flabina”, në kompleksin blu, më të madhin dhe më modernin që është ndërtuar ndonjëherë në Shqipëri, janë futur “egërsisht” të githa federatat e vogla dhe, mbi të gjitha, ekziston një projekt ndërtimi që do t’i zinte frymën pjesës dërrmuese të ambienteve të klubit.

Situata në kampionat

Thënë këto, është fare e qartë të kuptohet edhe situata që po kalon në kampionat Dinamo, ku ndonjëherë e ka hapur portën vetë e ndonjëherë tjetër ia kanë hapur me urdhër. Por të gjitha këto janë pikë që po pasqyrohen në renditjen e superligës. Momentalisht Dinamo mban vendin e gjashtë, pozicion ky që duket shumë komod krahasuar me vendet 12-të 11-të, që të zbresin direkt nga supeliga, dhe 10-të, 9-të, që të çojnë në play-off me vendet 5-6 të Kategorisë së Parë. Por, distanca në pikë është aq e vogël, sa Shkumbini, që mban vendin e 11-të (vendi i 12-të është i prenotuar nga Elbasani, që ka rënë prej disa javësh në Kategorinë e Parë), është vetëm 2 pikë larg Dinamos, dhe, në këtë hapësirë të ngushtë gjenden edhe 4 skuadra të tjera, Besa, Bylis, Kastrioti dhe Teuta, çka e bën vërtet të fortë luftën për mbijetesë. Dhe mos harrojmë: në lojë janë vetëm 6 pikë të mbetura! Padyshim që një faktor shumë vendimtar për këtë rënie të bluve është edhe largimi i Elis Bakajt në janar, që u transferua te adashja e bluve në Rumani, Dinamo e Bukureshtit. Ish-lojtari i Partizanit ishte golashënuesi më i mirë i kampionatit sezonin e shkuar dhe golashënuesi më i mirë i Dinamos edhe në këtë sezon, çka do të thotë se me largimin e tij, blutë humbën vërtet shumë.

Pret Teutën

Një derbi mbijetese do të jetë në javën e 32-të me Teutën. “Djemtë e Detit” janë në të njëjtën kuotë pikësh sa edhe Dinamo, 38, por blutë kanë golavarazh më të mirë. Formacioni i Edi Martinit, i përbërë nga elementë të rinj, është padyshim një kërcënim serioz për skuadrën e drejtuar nga Mërgjyshi, por, kjo mund të shikohet dhe si ura e vetme e shpëtimit për blutë, pasi, nëse dështojnë me Teutën, atëherë transferta e Kastriotit në javën e fundit bëhet edhe më e ethshme.

Të tjerat

Lajmi i keq për Dinamon është se të gjitha rivalet e tjera, kanë ndeshje të favorshme. E përkthyer në shqipen e kampionatit tonë, ndeshje ku do të marrin fitoret sepse rivalët nuk pretendojnë më asgjë. Besa udhëton në Laçi me kurbinasit që i kanë mbyllur hesapet në këtë kampionat dhe luajnë vetëm për statistika (përveç ndeshjes me Flamurtarin). Shkumbini dhe Kastrioti do të ndeshen me njëri-tjetrin në një ndeshje që do të përcaktonte shumë për të dyja këto skuadra, ndërsa Bylisi udhëton në “Selman Stërmasi”, ku do të ndeshet me Tiranën, tjetër skuadër e përfshirë në favore këtë fundsezoni.

Finalja e Kupës

Më 19 maj, kur kampionati të jetë mbyllur dhe Dinamo do të ketë mësuar fatin e saj, do të zhvillohet finalja e Kupës së Shqipërisë, ku blutë do të gjejnë Tiranën. Të dyja skuadrat do ta kërkojnë këtë trofe sit ë vetmen trampolinë për të luajtur në Kupat e Europës në verë, por, me një Dinamo të rrënuar psikologjikisht nga rënia një kategori më poshtë, bardheblutë do ta kishin të lehtë të triumfonin.

Sidoqoftë, der atëherë janë edhe 180 minuta kampionat. 180 minuta shpresë për Dinamon, e jo vetëm për të, por për të gjitha skuadrat të përfshira në këtë valle.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›