Ish-ushtarakët, emrat e 133 përfituesve të rinj
Instituti i Sigurimeve Shoqërore publikon emrat e ish-ushtarakëve për të cilët ka përfunduar procesi i llogaritjes dhe caktimit të pensionit deri në datën 29 prill. Në total bëhet fjalë për 133 përfitues, të cilëve u kanë kaluar tashmë pagesa sipas qendrave përkatëse. Ndërkohë që një javë më parë ISSh-ja publikoi emrat e 115 ish-ushtarakëve, për të cilët procesi i caktimit dhe lidhjes së pensioneve kishte përfunduar pas 15-ditëshit të parë të muajit prill. Me gjithë numrin e përfituesve të fundit, në total, deri më tani, numri i ish-ushtarakëve që kanë përfituar nga ligji ri 10142, datë 15.5.2009 ka arritur mbi 800. Ndërkaq, ISSh-ja vazhdon të jetë në pritje të dokumenteve nga ministritë e linjës, për të vijuar me përllogaritjen e pensioneve për përfituesit e mbetur sipas kategorive. Megjithëse numri i përfituesve ka ardhur në progres rritjeje, sipas ish-ushtarakëve, ky proces po ecën me ritme të ngadalta, dhe për këtë ata fajësojnë institucionet përgjegjëse që nuk përcjellin në ISSh dy dokumentet kryesore që kërkohen, që janë vjetërsia në punën dhe paga referuese. Përpos nisjes së procesit për ushtarakët, që do të përfitojnë për herë të parë pensione të parakohshme, burime nga ISSh-ja bëjnë të ditur se tashmë ky institucion është gati të llogarisë dhe ndajë pensionet edhe për ushtarakët e tjerë që trajtohen me këtë lloj përfitimi, por pritet vetëm konfirmimi i të dhënave nga institucionet përkatëse. Në fazën e parë të rillogaritjes së pensioneve të ish-ushtarakëve, ISSh-ja ka parashikuar të përfundojë sa më shpejt procedurën për të gjithë ata persona të cilëve u ka lindur e drejta qysh prej datës 1.7.2009, por nuk kanë përfituar të drejtën e pagesës. Këta janë për pension të parakohshëm për lehtësi shërbimi. Faza e dytë janë personat të pensioneve suplementare të ish-ushtarakëve para 30 qershorit 1991, të cilët kanë dalë në rezervë. Kryesisht, këta janë kategoria e personave të cilët kanë dalë që të gjithë në pension, por nuk kanë përfituar nga ligjet e mëparshme.