Dinamo për titullin, Vllaznia për Europën
Kryesuesja e padiskutueshme e Kategorisë Superiore, Dinamo, do të presë Vllazninë në javën e 27. Blutë janë vetëm një fitore larg zyrtarizmit të titullit 18, 6 javë para mbylljes së sezonit, nëse do të mposhtin shkodranët sot në “Qemal Stafa”. Dinamovitët nuk janë aspak të shqetësuar, pasi titulli është thuajse 100% i siguruar, mungon vetëm llogaria matematike, ndërkohë që atmosfera në klubin blu nuk është edhe aq premtuese, pas polemikave të fundit mes drejtuesve dhe trajnerit Shkëlqim Muça, i cili edhe pse ka bërë më së miri detyrën e tij, duket se në fund të sezonit do të duhet t’i thotë lamtumirë pankinës. Situata në shtëpinë e kryesuesve është komplikuar jo pak nga ardhja e argjentinasit Luis Manuel Blanco (zyrtarisht në rolin e menaxherit). Blutë vijnë në përballjen e tretë sezonale me shkodranët (dy të parat: 0-0 në Shkodër, 4-2 në Tiranë) pas një serie jo të kënaqshme rezultatesh, ku nuk fitojnë prej tri ndeshjesh, pavarësisht se kanë krijuar një diferencë prej 18 pikësh ndaj Besës së vendit të dytë. Vllaznia, që nga ana e saj ka koleksionuar në 25 javë, 10 fitore, 10 humbje e 5 barazime, tashmë nën drejtimin e trajnerit të tretë sezonal, Edi Martini, ka rigjetur ritmin dhe rezultatet e nuk pëson humbje prej shtatë ndeshjesh. Shkodranët janë shndërruar në një ekip të frikshëm, pavarësisht se në transfertë kanë fituar vetëm 2 nga 13 ndeshjet e luajtura. Megjithatë kuqebluve u mungon loja e mirë, e cila mund të shihet si një tregues që çon te rezultatet pozitive. Takimi i radhës është 126 midis dy ekipeve. Në 125 ndeshjet e përfunduara është ky bilanc: 49 fitore Dinamo, 41 fitore Vllaznia, 34 barazime. është një tjetër supersfidë e javës së 27. Një nga sfidat që meriton vëmendje këtë javë është ajo mes Laçit dhe Shkumbinit, dy skuadrave me pikë të barabarta (38) dhe shikojnë si objektiv të mundshëm sigurimin e një vendi në Europë. Diferenca midis tyre ndahet në raportin e ndeshjeve brenda-jashtë: secila ka fituar 1-0 në shtëpinë e vet, Shkumbini në fazën e parë, Laçi në të dytën. Laçi, duke luajtur në shtëpinë e tij, mund të shfrytëzojë ngarkesën psikologjike të rivalit të tij, Shkumbinit, pas eliminimit nga Kupa. Por peqinasit do të synojnë të hedhin një hap përpara, për të harruar incidentet e takimit gjysmëfinal me Besën (0-1). Tirana do të presë në “Selman Stërmasi” Teutën, që pas eliminimit në gjysmëfinale nga Kupa e Shqipërisë, ndodhet vërtet në një pozitë të vështirë: vendi i 9, 32 pikë, 2 më shumë se Kastrioti i vendit të 11 e që bie direkt nga kategoria. Bardheblutë kanë në drejtim Sulejman Starovën (trajnerin e pestë sezonal), teksa ai, sezonin e kaluar drejtonte me sukses Teutën. Ndërsa Besa do të presë në shtëpinë e saj sot Apoloninë, e rrezikuar për të rënë nga kategoria.
#