Sfidat për mbijetesë, aty ku luhet për jetë a vdekje
Përballjet mes Skënderbeut dhe Flamurtarit dhe Gramozi-Kastrioti janë ndër më të fortat, që ofron kjo javë, jo dhe aq për nga niveli i lojës, se sa për luftën mes tyre, për t’i shpëtuar rënies nga kategoria. Zona e ftohtë e renditjes ofron edhe sfidat më interesante. Nëse do të shikonim renditjen “klasike” të statistikave, prej së cilës “bastexhinjtë” bëjnë analizat e tyre, pra të gjashtë ndeshjeve të fundit, Skënderbeu ka regjistruar gjashtë fitore (18 pikë, 100 për qind të pikëve), ndërsa Flamurtari vetëm 3 fitore në po aq ndeshje. Të dyja skuadrat kanë pikë të barabarta pas 26 javësh: nga 33, dhe ndeshja në Korçë do të vendosë shumë për fatin e dy skuadrave në Kategorinë Superiore. Në fazën e parë, Skënderbeu fitoi 1-0, ndërsa në të dytën në Vlorë, takimi u mbyll 1-1. Një fitore e Skënderbeut do të thotë + 3 ndaj Flamurtarit. Sfida e dy skuadrave të vendit të fundit Gramozi-Kastrioti. Nëse kolonjarët (22 pikë) vetëm matematikisht nuk kanë zbritur një kategori më poshtë (në të Parën), krutanët (30 pikë) ende shpresojnë për mbijetesë në Superiore. Takimi i vetëm në Ersekë ka përfunduar 0-0 (ai në Krujë, 1-0 për Kastriotin). Kjo ndeshje do të luhet pa shikues, pas vendimit të Disiplinës pas incidenteve në ndeshjen Gramozi-Skënderbeu. Gjithsesi, Kastrioti është më i favorizuar në luftën për të shpëtuar, ndërkohë që kolonjarët duket se mbahen gjallë vetëm falë shpresave matematike.
#