Dinamo rrezikohet ndeshja me eliminim, jo rënia direkte
Ekipi i kryeqytetit ndodhet pesë pikë para Gramshit, i cili mban dhe vendin e parafundit që të dërgon në një kategori më poshtë
Ekipi i shumë titujve të fituar në futbollin shqiptar, Dinamo po kalon momente të vështira, ku tashmë rrezikon për të luajtur ndeshje me eliminim direkt me një nga skuadrat e dyta të renditura në grupet e kategorisë së dytë, Olimpikun ose Tepelenën. Gjithsesi, ku kanë mbetur edhe dy ndeshje nga fundi i kampionatit, Dinamo do të udhëtojë në Fushë-Krujë dhe në fund do të presë Pogradecin në shtëpi.
Do të mjaftonte një pikë për të siguruar ndeshjet shtesë, por Dinamo ka shumë mundësi që të shpëtojë pa qenë nevoja të luajë ndeshjet shtesë, pasi ajo do të luajë ndaj dy skuadrave që nuk kanë më objektiva konkrete në kampionat. Sipas rregullave në këtë kategori, dy vendet e fundit bien direkt nga kategoria, ndërsa skuadrat që renditen në vendin e 13-të dhe të 14-të, luajnë ndeshje me eliminim direk me skuadrat e renditura në vendet e dyta në grupet e kategorisë së dytë.
Gjithsesi, renditja e skuadrës blu nuk është ajo e denja, pasi ky ekip meriton të jetë diku tjetër, pikërisht në elitën e futbollit shqiptar. Gjendja e saj ka ardhur si pasojë e mungesës totale të mbështetjes, ku ajo është lënë tashmë në mëshirë të fatit. Edhe pse shpëtimi në kategorinë e parë duket i arritshëm, ajo që të shqetëson më shumë është pikërisht e ardhmja e skuadrës.