Tafaj: Partizani, bukuria e futbollit
Sipas kapitenit të kryeqytetasve, elementi i ri është i domosdoshëm në skuadër, pasi ai është perspektiva e së ardhmes
Rikthimi i Partizanit pas tri vitesh mungese është një ngjarje e madhe për futbollin shqiptar, të cilit i ka munguar shumë një emër i tillë, kjo për vetë historinë që mbart klubi. Ky është mendimi i kapitenit të skuadrës, Fatjon Tafaj, i cili shpreh bindjen e tij se skuadra do të paraqesë një futboll të bukur dhe të fortë në Superligë. Është një kënaqësi për ne, pasi mundi i gjithë sezonit u këmbye me ngjitjen në Superligë.
Tashmë duhet të bëjmë maksimumin, për të qenë në nivelin e duhur sezonin e ardhshëm, tha Tafaj. Për këtë duhet dhe një merkato e fortë, në mënyrë që skuadra të jetë sa më kompetitive. Për këtë drejtuesit e kuq kanë nisur që tani hartimin e planit për afrimin e elementëve të rëndësishëm në ekip.
Kapiteni e mbështet afrimin e lojtarëve më eksperienë, por thekson nevojën për tu mbështetur te lojtarët e rinj. Afrimi i lojtarëve cilësorë në skuadër është i domosdoshëm, por të rinjtë duhet te kënë vendin e tyre, pasi ata janë e ardhmja e klubit. Partizani nuk ka si opsion për të luajtur vetëm në dy tri sezone në nivele të larta, kështu që për këtë nevojiten lojtarët e rinj, theksoi Tafaj.
Kapiteni i skuadrës së kuqe theksoi dhe rëndësinë e derbit me Tiranën, duke e konsideruar atë si kthimi i futbollit të vërtetë. Në ndeshjet e kupës unë nuk kam qenë në formacion, kështu që do e dëshiroja shumë një ndeshje të tillë, aq më tepër në Superligë.
Rikthimi i Partizanit ka rikthyer bukurinë e derbit dhe të futbollit, theksoi Tafaj. Lidhur me ndeshjet e mbetura në kampionat, kapiteni theksoi se Partizani do ta respektojë deri në fund edicionin. Që në fillim të kampionatit kemi rënë dakord, për të cilën kemi nënshkruar se në çdo ndeshje do të hyjmë për të fituar kundrejt çdo kundërshatari.
Kështu që edhe në dy ndeshjet e fundit do të hyjmë për të fituar, theksoi kapiteni i skuadrës së kuqe. Partizani do të luajë ndaj Bësëlidhjes në fundjavë, skuadër e cila ndodhet pranë zonës së ftohtë. Në sfidën e fundit, Partizani do të luajë ndaj Lushnjes në Roza Haxhiu, stadium i cili do të hapet për herë të parë pas rikonstruksionit.
