Dinjitet apo histori korrekte!
Intervistoi: Violeta Murati
Duke nisur që nga dita e sotme, Galeria Kombëtare e Arteve do të jetë linjë muzeale. Nuk do t’i ndryshojë emri, por çdo cep i saj do të vëzhgohet nga kamerat në 24 orë.
E ndodhur në qendër të Tiranës, godina - ku për herë të parë i ka kthyer mjediset e saj në funksion të pasqyrimit të mbi 100 viteve arte pamore në Shqipëri - do të jetë sugjerimi i parë për guidë turistike, si për vizitorë të huaj, ashtu dhe shqiptarë. Nga fondi prej 6 mijë veprash arti që zotëron Galeria, vetëm 200 prej tyre janë ekspozuar për të qëndruar përgjithnjë të varura - si shenjë e periudhave ku kanë kaluar artistët shqiptarë. Është shfrytëzuar vetëm fondi i Galerisë, prandaj dje drejtuesit e saj janë “mbrojtur” që të mos ndodhë asnjë keqkuptim mbi historitë devijante, amatore, apo profesioniste të artistëve që krijuan prej viteve ‘800 e deri në ’90-ën. Ky është kufiri i fundit, që siç njihet prej të gjithëve i takon soc-realizmit, ku nuk u janë bërë “unblock” të gjithë veprave të krijuara në këtë periudhë. Fryma, forma e drejtimeve artistike pavarësisht përmbajtjes – është argumenti kuratorial, por dhe i studiuesve që këto vepra varen si përfaqësuese. Është histori korrekte e përfaqësimit të arteve pamore shqiptare në 100 vjet - është thënë dje. Ndërsa studiuesja e GKA-së, Suzana Varvarica, që punon prej 15 vitesh në këtë institucion dhe është një nga zërat kryesorë që ka ndikuar në kthimin e Galerisë në linjë muzeale, flet për një zhvillim të arteve pamore brenda kushteve që ky institucion ndiqte gjatë periudhave.
Kjo linjë muzeale është një hap fillestar, përpjekje e parë për të sistemuar artin pamor shqiptar. Por a mund të jetë kjo përfaqësuese e zhvillimeve pamore në Shqipëri, a ka pasur ndonjëherë lindje të drejtimeve artistike, a është zbuluar gjithë krijimtaria edhe ajo e censuruar në diktaturë dhe e zhdukur nga faqja e dheut(?) - nëse do ishim korrekt, ky muze i ka të theksuara këto mangësi dhe nuk mund të flitet as për dinjitet, as për histori reale. Por, gjithë këtë na e përmbys studiuesja Varvarica, duke na shpjeguar se i takon tani akademikëve, studiuesve, historianëve që të nisin debatin, të vendosin historinë në binarë dhe të merren me antologjinë e arteve pamore. Kjo linjë muzele thjesht mban datat, respekton periudhat kur veprat janë krijuar - por nuk shoqërohet me asnjë katalog, apo antologji që na shpjegon historinë krijuese. Deri këtu, thotë Varavarica, është bërë mjaft dhe kjo quhet arritje, që nuk duhet t’i shembem muret nga pasardhësit, por vetëm t’i shtohet historia dhe luksi i të qenit muze dinjitoz, të paktën t’i afrohemi imazhit evropian.
Galeria më në fund realizon përpjekjen që ka pasur stafi “underground”, pavarësisht drejtorëve, për hapjen e linjës muzeale. A mendoni ju si studiuese se kjo shënon nisjen e historisë korrekte, të arteve pamore?
Unë mendoj se 99% kjo është e drejtë. Kjo është një nisje që iu ofrohet të gjithë historianëve të artit që jetojnë në Shqipëri dhe jashtë, që të kenë akses për të punuar për një histori të artit shqiptar, e cila është e domosdoshme të shkruhet jo thjesht si moment për të trashëguar kulturën tonë në artet pamore, por edhe për të njohur atë çka njerëzit sot jetojnë dhe nuk e dinë. Dhe ky muze, ose kjo Galeri Kombëtare e Arteve, me këtë linjë që ka shtruar, pavarësisht nga mënyra se si është konceptuar, ajo ka të domosdoshme shkrimin e historisë së artit ose shkrimin e katalogut, ose të antologjisë së artit për të cilën nuk flitet kurrë, por flitet vetëm për antologji në letërsi, por asnjëherë nuk është folur për një antologji të artistëve shqiptarë, të atyre më të shquar të periudhave të caktuara që të përmblidhen në këtë histori arti.
U tha nga drejtori i Galerisë, Rubens Shima, që ishte njëkohësisht dhe kuratori, se ky muze do të jetë një pikë shënimi për guidë turistike. Qëndroj sërish tek fakti në do të marrin këta vizitorë, shqiptarë dhe të huaj, të qartë historinë e paideologjizuar të arteve pamore, dhe a janë përfaqësuese këto vepra, meqë e konsideroni si fillesë të artit pamor?
Unë mendoj dhe e kam bindje për këtë, se kjo linjë muzeu është përfaqësuese. Në qoftë se ne në koleksion kemi 5 mijë ose 6 mijë vepra arti, duke përfshirë të të gjitha drejtimeve që janë zhvilluar brenda Shqipërisë, mendoj se në këtë linjë me inteligjencë janë nxjerrë disa vepra arti, të cilat do të na çojnë edhe në periudha, pra në vite dhe në kronologji, por dhe në artistë të veçantë - duke na dhënë një pamje të përgjithshme, të asaj çfarë ka ndodhur me artin pamor në Shqipëri.
Fazat e para, flas gjithmonë sipas kuratorit të Galerisë, dhe në këtë rast ka qenë drejtori Rubens Shima, ka menduar ta shënojë me linjën e re, pra po e quaj linjë të re të vitit 2009, me fillesat e artit. Ka menduar ta quajë të tillë dhe konkretisht me Rilindjen Kombëtare dhe pavarësinë shqiptare. Kuratori e ka hedhur këtë gjë dhe nëse jemi apo nuk jemi ne dakord, tani, le të diskutohet a do të ketë fuqi për të mbijetuar, apo jo?!
Kuratori ka dhënë një vizion të vetin, tani le të diskutojmë dhe le të ngrihen akademikët të thonë nëse këtë ta quajmë fillesë të artit pamor, apo do të mbetet siç është quajtur Rilindja Kombëtare. Kjo kërkon simpoziume. Ka ardhur koha që të mblidhen dhe të diskutohet për artin pamor shqiptar, të ketë diskutime të shkruara, dokumente të shkruara dhe të bisedohet në mënyrë tolerante për të arritur në opsionin që ne duam të kemi mbas viteve ’90-të. Fillimisht mund të mendojmë se kemi të bëjmë me para vitet ’90-të, se gjithçka është menduar dhe konceptuar si për ato vite. Por, në vitet që jetojmë është një ndryshim gjigand do ta quaja dhe nuk mund të mendësojmë me atë kohë. Do të mendësojmë me këtë kohë që kemi, se kush do të fitojë – është ai që do të rezistojë.
Pra kemi dy situata brenda fillesës së artit. Në sallën e fillesave të artit do të gjeni edhe punë amatore dhe punë të artistëve që u shkolluan në Itali dhe vende të tjera të Evropës. Pra, si të thuash tani është një informacion më i gjerë se sa më parë, merret dhe informacioni i naivitetit, i amatorizmit në atë kohë, por merret dhe informacioni i një të shkolluari në brigjet jashtë Shqipërisë. Më pas vjen salla ku përsëri ka një lidhje me fillesat e artit, por që mbetemi në ato fillesa ku hyn shekulli XX deri në vitet ’30-të, edhe pak më tepër, ku atje shikon disa artistë, që vijnë të informuar nga jashtë, por që zgjerohet spektri i shkollave si në shkollat greke, në Rumani, Itali dhe në Francë duke qëndruar së bashku, duke na sjellë një atmosferë të drejtimit më romantik, ose të një drejtimi më demokratik të pikturës në atë kohë.
Dhe shkojmë menjëherë tek arti i realizmit socialist, i cili ndahet në dy salla ose në tre salla do thosha, por që rrinë të gjitha bashkë - sepse ka një periudhë, duke filluar që nga vitet ’44 e duke u mbyllur me vitet ’90-të.
Brenda trupit të realizmit socialist kanë ekzistuar ato fenomene që në përgjithësi ne i quajmë shfaqjet e huaja, dhe që shumë artistë u dënuan në mënyra të ndryshme. Por pati një dyvjeçar të suksesshëm, ku artistët shqiptarë filluan të pikturonin me këtë mendësi jashtë realizmit socialist, por dhe brenda realizmit socialist.
Për cilat vite bëhet fjalë që nuk i keni bërë “unblock” të gjitha veprave të realizmit socialist? Mund të flitet për lindje të ndonjë drejtimi artistik që po ngjiste edhe në Evropë në atë kohë?
Bëhet fjalë për vitet ’69-’72, por mund të flasim edhe për ndonjë vepër nga viti 1973. Janë këto tre vite ku mund të shkëpusim disa vepra nga ndikimi i realizmit socialist, por që nuk rastisin me asnjë rrymë evropiane. Në formë janë totalisht të huazuara nga fryma evropiane, sepse arti shqiptar në atë kohë ishte shumë i mbyllur, gjithë Shqipëria në atë kohë ishte shumë e mbyllur. Artisti në vetvete kërkonte diçka më tepër, të dinte diçka më tepër se çfarë kishte ndodhur në shekullin XX. Ai vinte i formuar në mënyrë letrare, por për ta ekzekutuar iu dha shansi në mënyrë krejt të rastësishme. Pra, ishin pikërisht këto vite që përmenda më lart kur jeta u liberalizua, por përsëri shteti ndërhyri dhe e pa si një frikë, se kjo jetë që po hapej mund të ishte një bumerang për të, një goditje. Por vepra e artit mbetet, ky është fakti. Ata pikturuan dhe ekspozuan në ekspozitat tradicionale të pranverës dhe u morën në Galerinë Kombëtare të Arteve. Ky ishte suksesi që këto vepra edhe u konservuan, por e quajtën fondi i zi, sepse në ato vepra po t’i shikoni, tregohet punëtori, fshatari, ushtari, rinia etj., por ka një mendësi, një frymë, të cilën ne e quajmë moderniste. Të gjithë këta artistë u munduan “të devijonin” në formë, kurse në përmbajtje në asnjë mënyrë. Sepse ata nuk mund të dilnin nga ajo përmbajtje që shihnin, nga ato subjekte. Dhe mënyra e të mendësuarit ishte kështu, por në formë ata tentuan të ishin pak më të lirë, dikush është pak minimalist, dikush pak surrealist, dikush është “pjatë” në pikturimin e vet, një tjetër dekorativ, ku kanë sjellë secili në mënyrat e veta të gjitha format dhe drejtimet e artit - pra, duke parë formën e të tjerëve, por jo duke lindur këtu forma të ndryshme. Këtë nuk duhet ta pranojmë. Në artin shqiptar nuk ka si të thuash lindje të drejtimeve artistike. Lindja e drejtimit artistik shqiptar dhe realizmit socialist është e importuar, por e integruar tek artistët që fillimisht studiuan në Moskë, erdhën dhe më pas sollën secili ndjesinë e vet.
Pra, ju jeni me mendimin se këtu nuk ka lindur asnjëherë ndonjë drejtim artistik përfaqësues, por ka pasur vetëm frymë siç e quani?
Për në Shqipëri e kam bindje dhe mund ta mbroj mbi atë çfarë kam studiuar deri tani, që nuk mund të lindnin drejtime artistike të veçanta. Në asnjë mënyrë, ato ishin të gjitha eksperienca të ndodhura në mesin e shekullit të 19-të deri mesin e shekullit të 20-të dhe të mendoni se në këtë kohë shqiptarët filluan artin, siç janë fillesat e artit, ndër ata i kishin zbuluar të gjitha drejtimet artistike. Kur ata filluan të zbulonin drejtimet artistike, siç janë artet konceptuale e të tjera, deri në kinetik art, në Shqipëri zhvillohej arti i realizmit socialist. Informacioni merrej, por nuk mundje ti të bëheshe pjesë e këtyre rrymave, ose nuk kishe ti fuqi të lindje rryma të tilla në formë. Sepse gjithmonë, lindja e një fryme të caktuar, apo e një forme, që ka lindur në Evropën Qendrore ka pasur disa kushte të rëndësishme ekonomiko-sociale, politike që kanë influencuar tek artistët. Kurse ne nuk kishim, kushtet tona ishin vetëm realizmi socialist, forma jonë ishte e gjitha socialiste. Ne ideonim, mendonim dhe frymëzoheshim nga ajo çka shkruhej në plenumet e partisë. Po të shfletosh të gjitha plenumet shikon se jepeshin referime se si duhej të ishte arti, kultura dhe letërsia. Po të lexosh ato, do të shikosh dhe kuptosh brumin që kemi ne në art, në pikturën, ose skulpturën tonë.
Drejtori i GKA-së, që është dhe kurator, na u mbrojt në konferencën e shtypit, për të mos lindur keqkuptime për sa thatë më lart, se këtu kemi të bëjmë vetëm me një linjë muzeu ku është shfrytëzuar vetëm fondi që ka Galeria. Por nga ana tjetër, ekzistonte dhe një grup artistësh që e kishin kuptuar ç’do të thotë të pikturosh në mungesë lirie, dhe nuk mund të dilnin hapur dhe për këtë arsye kanë koleksione private, të panjohura, që mund të jenë më përfaqësuese sesa këto të soc-realizmit dhe përmbushëse të atyre zhvillimeve të arteve pamore, frymës, drejtimeve artistike që ishin në Evropë. Sa është konsideruar kjo dhe ju si studiuese, sa e njihni këtë situatë?
Ne si studiues i kemi pothuaj të gjitha të piketuara, ku janë, kush i ka dhe çfarë kanë. Por, duhet të kemi parasysh një gjë, që i gjithë muzeu është i ndërtuar me brumin çfarë ka brenda, me koleksionin e tij. I mbetet një procesi të mëtejshëm, që të jetë si një projekt, apo bashkëpunim i Ministrisë me Galerinë, apo i bashkive të rretheve, e individëve që e kanë këtë fond. Ky projekt mendoj se ka një kosto financiare nga mbrapa, sepse këto vepra duhen të përzgjidhen fillimisht, të debatohen ndërmjet historianëve dhe studiuesve, të nxirret se kush është më e rëndësishmja që duhet blerë nga koleksioni i caktuar dhe më pas të vendoset një çmim, i cili nuk vendoset nga muzetë, por nga ai që e posedon dhe më pas të vendoset mënyra e marrëdhënieve, kontaktit ekonomik, nëse do ta marrë Galeria nëpërmjet blerjeve.
A ka pasur Galeria fonde për të blerë vepra të tilla?
Në përgjithësi, në këto dy-tre vitet e fundit ka pasur fonde për të blerë vepra arti. Dhe ato janë shfrytëzuar për të blerë dhe pasuruar fondin, sidomos pas viteve ’90-të, sepse dhe ajo pjesë është shumë e varfër. Duke menduar që artistët janë shumë aktivë në këto momente, u bënë gati 19 vite që artistët punojnë dhe Galeria ka pasur shumë pak mundësi për të blerë nga veprat e tyre. Ka blerë, por nuk ka mundësi të madhe, që siç e patë është fondacioni “Fava” dhe MTKRS, që kanë dhënë para për ta rikonstruktuar këtë godinë, për të hequr gjithë shasitë që ishin gati të kalbura dhe po merrnin në qafë veprat e artit. Pra, janë bërë ndërhyrje si të thuash të shëndetësisë së asaj që kemi brenda, për të rritur jetën e veprave që kemi përmes parave që kemi marrë. Kështu që ky është një proces shumë i domosdoshëm për ta pasuruar fondin.
Janë ndryshuar kornizat e tablove dhe kjo mund të na sjellë një debat mbi ruajtjen e origjinalitetit të tyre. Pse u bë kjo?
Është një problem, por janë hequr ato korniza që kanë qenë shumë të dëmtuara, të cilat e deformonin në shasinë e vet veprën, pra ushtronin dhunë fizike mbi veprën. Ju do ta shikoni se ato vepra që e kanë në gjendje të mirë kornizën, janë ruajtur, nuk kanë ndryshuar. Por, atyre veprave që iu është hequr korniza, kanë pasur gjithmonë një problem. Nuk është ndërhyrë për të krijuar dhunë ndaj veprës, apo për të mos qenë ne profesionale a diçka tjetër, por ka pasur gjithmonë një problem shumë të madh me veprën që jemi detyruar t’ia ndryshojmë kornizën. Mund të them vetëm një rast, që tabloja “Dasma shkodrane” është hequr nga një kornizë po e re, sepse nga kuratori është gjetur me një kornizë që ishte bërë nga viti 2005, që ishte jashtë karakterit të veprës. Kurse “Motra Tone” vazhdon të jetë me kornizën origjinale, se vazhdon t’i qëndrojë kohës.
Pse e quani arritje kaq të madhe për Galerinë hapjen e kësaj linje muzeale?
Mendoj se linja ka arritur të ketë maksimumin e mundshëm në kushtet që ne jetojmë, puna është bërë nga të gjithë në mënyrë shumë serioze. Unë e quaj një arritje, sepse kam pasur gjithmonë dëshirë që Galeria, ose siç mund ta quajmë tani muze, të përfaqësohet me një linjë të vetën, që gjithkush kur të vijë të shikojë nga një vepër e parë deri në një vepër të fundit se çfarë ndodh me këtë histori arti që ju thatë ose me këtë histori të veprave që ruan ky muze. Mendoj se është bërë mjaft mirë që ka mbetur vetëm një sallë ekspozimi ashtu siç funksionojnë të gjithë muzetë e botës, kombëtare ose nacionale, ose muzetë që mbrohen nga shteti, që në këtë sallë të ekspozohen të paktën një herë në dy muaj, artistë ose grup artistësh që do të përzgjidhen me dosjet e tyre përkatëse për arritjet që kanë pasur, suksesin dhe për mesazhin që duhet të sjellin për këtë vit, ose për disa vite krijimtari. Dhe ajo që dua të them është se, ata që duhet të vijnë më mbas, kushdo qofshin, ta ruajnë këtë institucion, mos ta shkelin, t’i ruajnë këto mure dhe t’i çojnë më tutje, t’i bëjnë po të duan më luks, - kjo akoma më mirë dhe më muzeale.
Pyetja e fundit ka të bëjë me masat e sigurisë, kur tani flasim për një linjë muzeu dhe akoma nuk është krijuar në vend kultura e mbrojtjes, që veprat unikale shpesh janë pre e vjedhjeve?
Në mbledhjen e parë të stafit, me drejtorin ose kuratorin e institucionit, bashkë me fondacionit “Fava”, për t’i hyrë kësaj pune, ka qenë pika e parë: siguria. Është vendosur pulti qendror i komandimit dhe vëzhgimit të sallave - kjo u bë, që ishte pika e parë dhe u përfundua si pika e parë. E kemi pasur, por jo të shtrirë në të gjitha mjediset, edhe në fond, tani është kudo në çdo cep që mund të kalojë dikush. Është vazhdimisht në funksion, punon në 24 orë, mblidhet në kaseta të veçanta dhe ruhet sipas të gjitha rregullave që ka një sistem sigurimi i Galerisë.
Arti shqiptar në 120 vjet
I gjithë rrugëtimi që kanë përshkruar artet pamore shqiptare është përfshirë në një linjë të vetme muzeale. Linja e një periudhë 120-vjeçare e artit shqiptar prezantohet dje në GKA, duke filluar me veprën më të hershme të autorit Kolë Indromeno “Motra Tone” (1883) e deri në fillim të shek XXI. Linja e re muzeale vjen e konceptuar mbi një formulë të re të seleksionimit të pikturës dhe skulpturës në vendin tonë. Janë krijuar gjashtë seksione që përcjellin në mënyrë historike historinë e artit shqiptar si “Fillesat e pikturës në qytete shqiptare”, (1930-1950) “Piktura realiste dhe shkolla e vizatimit”, “Piktura, skulptura akademike dhe tabloja me temë historike” (1950-1986), “Realizmi Socialist, Ndërtimi i modelit të njeriut” (1960-1974), “Pikturë formaliste e realizmit socialist (1969-1974) si dhe piktura dhe skulptura moderniste (1989-2001)”.
Koleksioni që prezantohet në të gjashtë sallat e GKA-së përbëhet nga 184 vepra arti, pjesë e koleksionit të trashëgueshëm të këtij institucioni. Projekti “Linja e re” e ekspozimit të koleksionit në GKA është realizuar në një periudhë kohore njëvjeçare, maj 2008-2009.
Gjatë kësaj faze janë përzgjedhur 500 vepra nga në pikturë dhe skulpturë nga fondi në salla, ndërhyrja mbi veprat e koleksionit, dokumentimi, si dhe faza e parë e pastrimit gjithashtu janë mbyllur edhe kartelat shoqëruese të pas ndërhyrjes së veprave të koleksionit të ekspozueshëm, duke përmbledhur 184 kartela që prezantojnë “Gjendjen fizike të veprave” në momentin e ekspozimit.
Për çeljen e linjës së re muzelae në GKA, rinovimin e sallave dhe ekspozimin e veprave të koleksionit të përhershëm të saj është akorduar një shumë prej 15.063.733 lekësh. Ky projekt është mbështetur nga FAVA (Fondacioni për artet pamore pa kufi), e cila ka dhënë një kontribut prej 8.652.264 lekë, nga MTKRS-ja duke akorduar shumën prej 2.807.101 lekë, vetë GKA-ja ka shtuar 1.800.000 lekë dhe sponsorë të tjerë.
S.F