E Diel, 1 Nëntor 2026

Gripi i derrit, dyfishohen rastet në dy ditë: 2099 të prekur, 44 të vdekur



Deklaratat e para pak ditëve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë se vala e përhapjes së gripit të derrit ishte drejt fundit, janë përgënjeshtruar dje nga vetë statistikat e OBSH-së. Brenda dy ditësh, numri i të prekurve nga sëmundja u katapultua nga 1 mijë në afërsisht 2100, ndërkohë që sëmundja është zbuluar edhe në Suedi. Sakaq, rasti i dyshuar në Kosovë, ku një 27-vjeçare vdiq, nuk rezultoi me H1N1 nga analizat e kryera në Prishtinë. Por, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka marrë kampionin e 27-vjeçares dhe do të kryejë sërish analizat.

Rasti në Kosovë

Rezultatet e analizave të vajzës 27-vjeçare që humbi jetën në Qendrën Spitalore të Prishtinës, dolën negative. Mjekët e kësaj qendre, duke folur për mediat paraditen e djeshme, thanë se në bazë të analizave të kryera, vajza nuk ka humbur jetën nga gripi i derrit, porse nuk është zbuluar ende sëmundja që çoi në humbjen e jetës së saj. Për këtë arsye, dyshimet e mjekëve bënë që një analizë e re të kryhet, kësaj radhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për të qenë të sigurt për sëmundjen. Rezultatet e këtyre analizave pritet të dalin sot në mëngjes.

Rasti në fjalë u zbulua dy ditë më parë, kur një njëzeteshtatëvjeçare është paraqitur në Qendrën Spitalore Universitare të Prishtinës me simptomat e gripit të derrit, ku fatkeqësisht, humbi edhe jetën në orët e para të pasdites. Vajza nga Stublla e Vitisë ishte kthyer nga Zvicra, ku mendohet që edhe mund të kishte marrë sëmundjen, sipas dyshimeve të para, që rezultuan alarm fals.

Dyfishimi i rasteve

Por, rreziku i gripit të derrave duket se është shtuar. Nga më pak se 1 mijë të prekur dy ditë më parë, në komunikatën e fundit të OBSH-së, rezultojnë 2099 të prekur, deri në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Vetëm në dy shtete ka pasur të vdekur, në Meksikë, me 42 të vdekur dhe 1112 raste të infektuarish dhe në SHBA me 2 të vdekur dhe 642 të infektuar.

Në vende të tjera, gjendja vijon të jetë problematike. Në Kanada u zyrtarizuan dje 50 raste të reja, duke e çuar numrin e të infektuarve në 201, ndërsa në Spanjë 20 raste të reja, duke e çuar numrin e të prekurve në 73. Në vendet e tjera numri është më i ulët, me 28 raste në Mbretërinë e Bashkuar, ku numri ka mbetur konstant prej disa ditësh, 9 në Gjermani, 5 në Itali, Francë dhe Zelandën e Re, 4 në Izrael, 2 në El Salvador dhe Kore dhe nga një në Austri, Hong Kong të Kinës, Kolumbi, Kosta Rika, Danimarkë, Guatemala, Irlandë, Holandë, Portugali, Suedi dhe Zvicër.

Edhe dje, OBSH-ja këshilloi shtetet që të mos vendosin pengesa në udhëtimet e rregullta e as të ndalojnë kalimin në kufij. Sipas OBSH-së, është “e këshillueshme për personat që janë të sëmurë të shtyjnë udhëtimet ndërkombëtare dhe personat që kanë simptomat, pas një udhëtimi jashtë shteti, të kërkojnë kujdes mjekësor, nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të autoriteteve shtetërore”.

Si të ndalohet përhapja e sëmundjes

Me shpërthimin e tanishëm të gripit, zyrtarë të shëndetësisë po u bëjnë thirrje personave që janë sëmurë të qëndrojnë në shtëpi për të shmangur infektimin e të tjerëve. Por një studim i botuar në numrin e fundit të revistës së sëmundjeve epidemike tregon se nga qëndrimi në shtëpi përfiton shumë edhe vetë i sëmuri. Mjekët në Danimarkë vëzhguan mijëra punëtorë dhe arritën në përfundimin se kur personat shkonin në punë gjatë periudhës që nuk ndiheshin mirë, ata përballeshin me sëmundje të rënda në të ardhmen.

Ndërsa rastet e prekjes nga virusi i gripit A-H1N1 në Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të shtohen, zyrtarë qeveritarë të shëndetësisë po u kujtojnë njerëzve të sëmurë që të qëndrojnë në shtëpi për të ngadalësuar përhapjen e këtij virusi të ri. Studimi i ri tregon se duke qëndruar në shtëpi, këta të sëmurë mund të shmangin prekjen nga sëmundje edhe më të rënda në të ardhmen.

Shkencëtarët vëzhguan rreth 12 mijë punëtorë, duke i pyetur se sa herë kishin shkuar në punë gjatë vitit të kaluar kur kishin qenë të sëmurë edhe pse mund të qëndronin në shtëpi. Afro 1 mijë prej tyre pohuan se ata kishin vendosur të shkonin në punë, më shumë se 6 herë megjithëse kishin qenë të sëmurë. Krahasuar me personat që kishin qëndruar në shtëpi, kur kishin qenë të sëmurë, ata që kishin shkuar vazhdimisht në punë të sëmurë, kishin 74 për qind më të ngjarë që të sëmureshin në të ardhmen aq rëndë sa të qëndronin në shtëpi të paktën 2 muaj.

Shkencëtarët mendojnë se duke marrë pushime 1 a 2-ditëshe kur ndihen të sëmurë, njerëzit kanë rast për të pushuar e shëruar dhe pakësojnë kështu mundësitë e prekjes nga sëmundje kronike në të ardhmen.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›