E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinjiteti i cenuar me dialog të mohuar

Opinioni publik ka ndryshuar prej kohësh për karakterin dhe vlerat pozitive të ligjit. Ndërsa dikur ky konsiderohej si shprehje e vullnetit të popullit, gradualisht njerëzit e kuptuan që ligji nuk është veçse shprehje e interesave të pushtetmbajtësve, çka në ditët tona miratohet nga shumicat parlamentare. Kjo ka sjellë qysh para disa dekadash që – sipas shprehjes së goditur të profesorit francez Zhan Riberol – ideja e vjetër e ruajtjes së lirisë me anë të ligjit, të zëvendësohet me atë të mbrojtjes së lirisë kundër ligjit.
Përqafuesve të kësaj ideje të fundit i përket edhe në Shqipëri shtresa e njerëzve, të cilët pas rrëzimit të sistemit totalitar dhe zëvendësimit të tij me atë pluralist fituan statusin e ish-të përndjekurve politikë. Atë status të fituar nëpërmjet kundërshtimit dhe atakimit që i bënë regjimit komunist, duke marrë në sy përvuajtjet që do t’u shkaktonte ky regjim me izolimin nëpër burgje dhe kampe internimi, ku më së shumti kontribuuan për të nxjerrë me thonj krom e bakër, për të tharë këneta dhe bonifikuar sipërfaqe të mëdha toke, për të ngritur të tjera vepra publike dhe apartamente banimi, për të cilat atë kohë nuk fitonin gjë tjetër përveç përçmimit dhe urrejtjes. Prandaj vlerësohej si plotësisht e arsyeshme dhe e drejtë që këta njerëz të shpërbleheshin nga e gjithë shoqëria. Të shpërbleheshin me mirënjohje dhe të mira materiale për vitet që u kanë mbetur nga kjo jetë, apo me integrim të plotë e të shpejtë të tyre dhe familjeve të veta. Për integrim të plotë e të shpejtë në një shoqëri që respekton të drejtat e njeriut dhe propozon zgjidhje, të cilat përmbledhin rregullat e sjelljes së qytetëruar dhe postulatet që u referohen veçantisë së qenieve njerëzore me ndërgjegje dhe arsye, shtetit të së drejtës dhe të drejtës pozitive. Zgjidhje, të cilat do të siguronin në vazhdimësi që shkeljet e një kohe të perënduar të mos përsëriteshin në të ardhmen.
Por, përgjatë këtyre 22 viteve të tranzicionit të zgjatur demokratik të Shqipërisë, përkujdesja ndaj kësaj shtrese u kufizua më së tepërmi në shfrytëzimin e funksionit elektoral të saj, veçanërisht nga Partia Demokratike, për t’u sjellë në pushtet një kastë uzurpatorësh, që dikton mbi këdo dhe gjithçka diskursin e vet të grabitjes së të gjitha të drejtave dhe lirive të këtij populli. Pra, kështu, të kthyer pothuajse në një mjet të thjeshtë, premtimet e dhëna për zhvillimin e personalitetit dhe përparimin ekonomik të tyre u zvarritën në atë masë sa të kapërceheshin edhe kufijtë e durimit. Prandaj, në tejkalim të këtyre kufijve, disa ish-të burgosur politikë zgjodhën grevën e urisë, si formë proteste ndaj mosrealizimit të përbetimeve qeveritare për nevojat e së paku një pjese të kësaj shtrese, apo injorimit përsëritshëm të kërkesave të saj me bazë logjike. Këto kërkesa që, veç të tjerash, bazohen te e drejta e njeriut për të mos u trajtuar si mjet i thjeshtë bëjnë të mundur që të përcaktohen limitet e asaj çka është e pranueshme, ndërsa çdo kompromis përtej këtyre limiteve, si një shprehje tipike e hipokrizisë dhe e mashtrimit, pa dyshim që bie në kundërshtim me respektimin e dinjitetit të secilit individ, duke çuar drejt shkeljes së të drejtave të tij. Ndërkohë që këto të drejta janë të rrënjosura në atë çka është specifike për qeniet njerëzore. Edhe të ashtuquajturat ‘të drejta të shtazëve’ apo ‘të drejta të bimëve’ përmenden ndonjëherë për të theksuar, se ato e meritojnë një farë respekti ngaqë nuk u nënshtrohen tërësisht vullnetit tonë dhe se nevojitet ndonjë arsye për të ndërhyrë në zhvillimin e tyre, posaçërisht për t’u dhënë fund jetës së tyre. Megjithatë, në rrethana të veçanta, shtazët dhe bimët mund të trajtohen si një mjet i thjeshtë për të mirën e njerëzve ose të shoqërisë, por në kohën moderne është e qartë si drita e diellit, se kjo nuk duhet të ndodhë kurrsesi me qeniet njerëzore. Përndryshe, kriminalitetit s’ka nevojë t’i dalin brirët, për t’u dalluar se çfarë është!
Njohja e faktit që të tilla limite ekzistojnë dhe nuk duhen kaluar as prej urdhërimeve të çartura të ndonjë autoriteti shtetëror, qoftë edhe për çfarëdo veprimi të bazuar në të drejtën pozitive (në fuqi), është një prej ideve që nënvizon, thekson dhe qartëson akoma më tepër konceptin e sotëm të të drejtave të njeriut, i quajtur ndryshe ‘fondamentalizmi’ specifik i tyre. Në rastin e grevistëve të urisë, kërkesat e tyre bazohen te nevojat tërësisht ekonomike elementare dhe karakterizohen si një situatë komplekse ligjore, që përfshin fuqitë, liritë, të drejtat e mbrojtura me ligj etj, të cilat të gjitha së bashku përbëjnë një tërësi funksionale për aftësitë njerëzore që duhen zhvilluar dhe të mirat e caktuara që duhen mbrojtur e siguruar. Prandaj, në mungesë të përfitimit të kësteve që parashikonte një ligj i miratuar në 2007–ën (i ndryshuar hileqarisht më 2009, pas rimarrjes së pushtetit të koalicionit aktual), grevistët në fund të fundit zgjodhën rrugën e një tubimi paqësor, edhe kjo një e drejtë e tyre, në përputhje me Nenin 11 të Konventës Europiane, ku Shteti shqiptar ka aderuar prej kohësh pa asnjë rezervë. Ata u ngujuan në çadra të thjeshta, u ndanë nga jeta aktive dhe ngrohtësia ngushëlluese familjare, me shpresën që një ditë qeveria do t’i vinte gishtin kokës dhe të kujtohej për plotësimin e këtyre kërkesave.
Mirëpo ndodhi ajo që shumëkush nuk mund ta priste. Vetë Kryeministri Berisha, në vend që t’i vizitonte grevistët që shpresonin për një dialog të mundshëm, apo të autorizonte bashkëpunëtorët e tij për t’u ulur këmbëkryq me ‘ta, (së paku të ndërhynin për sigurimin e jetës së tyre), vijimësisht lëshoi një sërë akuzash, se kjo grevë qenka politike, se grevistët i paskan marrë dikur dëmshpërblimet nëpërmjet atyre që janë quajtur letra me vlerë (apo me vrimë), se disa prej tyre janë bixhozxhinj dhe tutorë ose trafikantë prostitutash, se ndonjë nga radhët e tyre ose koordinator i grevës është kriminel ordiner, duke arritur deri në epitetimin më poshtërues të të gjithë atyre që lëngonin çadrave nën shi, duke i quajtur ‘fundërrina’. Pra, kur kryeministri dhe mëkëmbësit e vet duhej të argumentonin kontrollimin e detyrimeve ndaj këtyre personave, ata cenuan rëndë dinjitetin e tyre. Atë ‘dinjitet imanent’ të njeriut, që si nocion dhe term është bërë prej mbi shtatë dekadash kategoria themelore e plot instrumenteve normative të së drejtës ndërkombëtare, e cila sidomos në këtë fushë ka fituar epërsi mbi të drejtën e brendshme të çdo shteti demokratik. Ndërkohë që edhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë i referohet qysh në nenin 3 dinjitetit të njeriut, duke e vendosur konceptin e tij në një radhë dhe në një rrafsh me tiparet moderne të shtetit dhe me karakteristikat e veta themelore.
Ishte pikërisht ky cenim i rëndë që iu bë dinjitetit të grevistëve, që mesa duket ndikoi, veç urisë, që të humbnin shpresat dhe të kalonin disa prej tyre në një depresion aq të thellë, sa dy vetë të vetëdigjeshin publikisht dhe një tjetër të tentonte ta kryente atë veprim. Por, rrjedha e ngjarjeve nuk ka përfunduar me kaq. Në këto rrethana, kur Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë deklaroi gjatë një interviste televizive, se qeveria duhet të dialogojë me grevistët, ose të largohet nga pushteti, poshtërimet dhe kërcënimet ndaj tyre vijuan me tone më të larta dhe u thelluan me forma më të ashpra. Kur një prej “banorëve” të moshuar të çadrës u dërgua në urgjencë spitalore, mjekët e atjeshëm i hidhnin romuze përvetësuese, aq sa e detyruan të ngratin të hiqte serumin nga damarët dhe të kthehej në banesën e përkohshme të tij dhe të shokëve të vet. Ndërsa atje, forcat e rendit që i rrethojnë grevistët, për t’u kujtuar dhe përjetuar kohën e dikurshme të burgjeve, nuk e lejojnë tani as të përdorë mjekimin më të domosdoshëm për sëmundjen që 81 vjeçari e vuan. Dhe, kur kështu? Në një kohë, kur e drejta ndërkombëtare humanitare ka vendosur qysh pas Luftës II Botërore, kryesisht nëpërmjet katër Konventave të Gjenevës të vitit 1949 dhe dy Protokolleve shtesë të tyre, detyrime ligjore për ruajtjen e jetës së robërve dhe të plagosurve nga të gjitha palët ndërluftuese, ashtu sikurse ndalon në mënyrë eksplicite çfarëdo cenimi të dinjitetit njerëzor (neni 3 i përbashkët për konventat, si edhe neni 75 i Protokollit 1 dhe neni 4 i Protokollit 2).
Po për Shqipërinë në kohë paqeje, që po nxit apo injekton përpëlitjet midis jetës dhe vdekjes, çfarë duhet thënë? A duhet vështruar gjendja aktuale e saj sipas elementeve të drejtimit tiranik nga një regjim autokratik, që turfullon dhe kërcellit dhëmbët edhe për të frenuar një shoqëri të tërë nga solidarizimi i fuqishëm me grevistët dhe kërkesat e tyre thelbësore? Në vend të përgjigjes, hë për hë le t’u kujtojmë eksponentëve të këtij regjimi që në teorinë e së drejtës, edhe termat e veçantë luajnë rol si parime dhe rregulla në sistemin ligjor. Për rrjedhojë, ‘dinjiteti imanent i njeriut’ përmbush dy funksione bazike normative. Si parim, ai tregon qëllimin aksiologjik të tërë sistemit ndërkombëtar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe imponon zgjidhje normative që ndihmojnë implementimin optimal të tyre. Si rregull, ai është një direktivë specifike për interpretim dhe në rast dyshimi, interpretimi bëhet mbi bazën e lokucionit latin: “In dubio pro dignitate”. 

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›