Një shekull: Serbia mbeti pa det, Kosova kthehet te deti
Ndër vendet pa det, ai që e përjeton si gjëmë humbjen e tij dhe vetëtorturohet prej asaj mungese, është vetëm Serbia. Shtet të dytë, si ai, ne shqiptarët nuk njohim në rruzull. Dhe zor të ketë. Luftërat e saj, me politikë e kishë, me armë e aleatë, historianët i kanë përcaktuar si përpjekje të ethshme shekullore për të dal në Adriatik, përgjithmonë, e për të mos u tërhequr prej andej, kurrë. Këtë Serbia nuk e kreu dot me ushtri. Me strategji hegjemoniste, po. Kjo, që me ngjizjen e Mbretërisë Serbo - Kroato - Sllovene dhe, më pas, me Republikën Federative Socialiste të Jugosllavisë. Serbia ishte zemra e perandorisë së vogël ballkanase, me një vijë detare që zbriste nga kreu i Adriatikut, kufiri veri - perëndimor i Jugosllavisë, ndarë me Italinë, e deri në derdhjen e lumit të Bunës, në jug - perëndim, ndarë me Shqipërinë. Aq e jashtëzakonshme qe për të kjo mbërritje strategjike sa, duhet të jetë e sigurtë që, ideologët dhe politikanët serbë më në zë e të disa brezave, përveç që menduan e punuan për përjetësimin e zhgjëndrrës, ata edhe janë ndjerë në një ëndërr të mrekullueshme nga e cila nuk kanë dashur të zgjohen asnjëherë. Por, fundi i hegjemonisë ndodhi me shpërbërjen e përgjakshme të Jugosllavisë dhe, çdo shpresë u shua me pavarësimin e Malit të Zi. Zhvillimet u zmbrapsën tek deri në fillesë, edhe më përtej, sepse, Serbia përveç që mbeti pa det, asaj i vdiq sidomos ëndrra. Ky mospajtim me të vërtetën historiko - gjeografike të sotme, Serbisë ia errëson tërësisht logjikën politike. Ajo u detyrua të kthehej brenda kufijve të vet tokësorë nga forca, duke i përgjakur me tërbim popujt e tjerë, vetëm si ndëshkim mbi ta, për humbjen e vet të dëshpëruar.
Më 31 maj 2009, kur u hap tuneli gjigand Thirrë - Kalimash, dryni i shkurtësisë magjike të largësisë Durrës - Kukës - Prishtinë, në parashikimet e thëna nga foltorja zyrtare, vetëm sa u cek që, kjo vepër inxhinierike e vështirë e nxjerr Republikën e Kosovën në ujërat e Adriatikut. Kjo është diçka madhëshore, por arsyetimi sillet të jetë një nyjëtim harrese mbi gjeografinë e historinë. Kosova nuk shkon në detin e tjetërkujt - siç Serbia pati dalë me ushtri, por pas një shekulli Kosova kthehet në detin e vet. Edhe pse politiko - administrativisht Kosova është shtet më vete; edhe pse gjeografikisht Kosova rrethohet vetëm me kufij tokësorë; për të, nuk mund të thuhet se, tuneli Thirrë - Kalimash ia hapi portat e ujërave adriatike.
Ndryshe nga Serbia , që u bë copë e copë bëri edhe popujt fqinj, për të pasur det, Kosova kurrë nuk ka hartuar memorandume për dalje në det e nuk zbarazi asnjë pushkë për ujëra të njelmëta. Ndërsa Serbia kishte plotësuar ëndërrën e saj detare në fillim të shekullit të kaluar, Kosova ëndërroi plot një shekull të mbërrinte detin e lirisë. Mëgjithëkëtë, kthimi i Kosovës te Adriatiku, edhe pse diçka mëse historike, gjeografike e natyrore, i kërkoi asaj të bënte sakrifica edhe më të tmerrshme se sa Serbia për plotësimin e synimeve hegjemoniste për bregdet. Kthimi i Kosovës te deti i vet (deri më 1912, ajo ka qenë pjesë e territorit me dy detra), i kushtoi plot një shekull luftëra e qendresë, jo për t’iu bashkëngjitur detit, por për t’i ikur pushtimit. Pa pavarësinë, edhe dhjetë tunele Thirrë - Kalimash të çaheshin, asnjë nuk do të vlente për të. Kthimi i Kosovës te Adriatiku, nuk do të mund të ndodhte përmes tunelit, por nga çlirimi. Nëse Shqipëria politikisht e ka ndihmuar pavarësinë e Kosovës - kjo mbështetje, edhe pse shumë e rëndësishme, nuk ka qenë përcaktuese - autostrada Durrës - Kukës - Morinë është veprim përcaktues gjigand i Shqipërisë për paspavarësinë e saj.
Siç, midis Kosovës dhe Lirisë kishte dalë mish i huaj pengesa Serbi, edhe midis Kosovës së pavarur dhe detit Adriatik ngrihej një pengesë e hatashme - malet. Nëse për çlirimin dhe pavarësinë Kosova pati SHBA dhe NATO-n faktorë të jashtëzakonshëm, për Kosovën pjesë domethënëse të Adriatikut, Shqipëria kreu një akt kombëtar - çau malet. Të gjithë ato zëra, që gërthasin papushuar apo bëjnë llogarira zhurmuese për pushtet, u duhet thënë që, çdo vend ballkanik, t’i lëmë mënjanë shtete më të mëdha të gadishullit, edhe Mali i Zi i vogël, edhe Maqedonia problematike, edhe Sllovenia e përparuar, nuk do të ishin vonuar as një ditë, e do të kishin nisur ndërtimin e rrugës e hapjen e tunelit që të nesërmen e pavarësisë. Merita i përket qeverisë Berisha, për ndërtimin e shpejtë të autostradës, por si shtet nuk na takon mburrja, sepse kjo rrugë u krye dhjetë vjet pas përfundimit të luftës. Vonesa ishte drejtpërdrejt përgjegjësi e qeverisjes së majtë, për mosveprimin gjatë plot tetë viteve rresht në pushtet, e për mosmbështetjen dhe pengimin e ndërtimit të saj edhe gjatë të qenit në opozitë. Por, të gjitha qeverisjet bashkë, do të ishin të turpëruara sikur Rruga e Kombit të mos qe e ndërtuar në 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisësi!
Faktori tjetër që plotëson kthimin e Kosovës në Adriatik, është porti i Shëngjinit, tashmë i përcaktuar si zgjidhje, për të cilin punon një grup i përbashkët ndërqeveritar Shqipëri - Kosovë. Ashtu, siç pavarësia është kompromisi më i skajshëm i shqiptarëve - duke sakrifikuar bashkimin me Shqipërinë për hir të çlirimit dhe pranimit shtet nga bota - kthimi i Kosovës te Adriatiku nëpërmjet tre kushteve - Pavarësisë, Autostradës Durrës - Kukës - Morinë dhe Portit të Shëngjinit - përbën skajin e më të mundshmes, që Kosova, ish-territor me det, të prekë detin e vet pa e cekë bashkimin shtetëror me të. Por, kthimi i Kosovës te Liria dhe te Deti - dy çështje jetike për shtetin - e para për ekzistencën kombëtare, e dyta për sigurinë e mosbllokimit kurrë nga stinët politike të fqinjëve, janë dy caqet më të epërme të të mundshmes nga shqiptarët, në plot një shekull.
Serbia, me nervozizëm të theksuar nacionalist dhe dëshpërim të thellë gjeostrategjik - sepse luftoi e nuk mundi t’i përjetësonte kufijtë e saj me det - ka edhe xhelozi ndaj Kosovës e cila, përveç që u bë shtet brenda kufijve të vet, është kthyer edhe te deti, gjë për të cilin Serbia as nuk guxon të ëndërrojë më. Por, përmendja do të vijë, sepse të gjithë serbët e dinë që Serbia kurrë s’ka pasur e s’do të ketë det. Sa më rrallë e ftohtësisht të përjetohet kjo e vërtetë e vjetër, aq më shpejt do të kapërcehet vuajtja. Mendjet e mprehta arrijnë të shquajnë shenjëza që, të dy popujt fqinj, shqiptarët dhe serbët, kanë filluar të “shërohen” pas kirurgjisë ushtarako - politike: Kosova ka sakrifikuar për Lirinë e munguar - dhe e ka; Serbia është strapacuar për Adriatikun që s’i ka takuar - dhe nuk e ka. Kjo është e drejta dhe, drejtësia fillimisht dhemb, pastaj vjen qetësimi e, dikur edhe shërimi.