E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinozauri i ri

Gjatë gërmimeve, që filluan në vitin 2002, paleontologët francezë zbuluan një lloj të ri të dinozaurit, të vjetër 75 milionë vjet. Dinozauri i ri u zbulua në brigjet mbi qytezën Velaux, afër Aix-en-Provence, në juglindje të Francës.

Në lokacionin me sipërfaqe prej 300 metrash katrorë, hulumtuesit gërmuan në fshehtësi të plotë në vitet 2002, 2009 dhe 2012, me qëllim që të shmangnin ndonjë plaçkitje eventuale të materialeve të zhgroposura. Atsinganosaurus velauciensis (ose Dinozuari Rom) është quajtur kështu për shkak të ngjashmërisë së tij me dinozaurët e zbuluar në Rumani.

Ky lloj i dinozaurëve i përket familjes së Titanozaurve - tri lloje të të cilëve janë të regjistruara deri më tani në Europë.

“Kemi zbuluar mbi 70 përqind të skeletit, por, fatkeqësisht, jo edhe skeletin e kafkës së dinozaurit. Megjithatë, besoj se do të mund të bëjmë një rikonstruktim besnik të saj”, theksoi paleontologia Geraldine Garcia, nga Universiteti Poitiers, e cila udhëhoqi hulumtimin, së bashku me Institutin Mbretëror të Shkencave Natyrore, nga Brukseli.

Sipas të dhënave të para, ky dinozaur barngrënës, që ka dhëmbë të vegjël në formë cilindrike, është i gjatë 12 metra, dhe ka një konstruksion joagresiv.

Eshtrat e tij do të studiohen në Universitetin Poitiers dhe në Bruksel, e pastaj do të ekspozohen në Muzeun e Qytetit, në Velaux.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›