Dioksina në ushqime, rrezikon edhe konsumatorët shqiptarët
Lizeta Duro
Dioksina në ushqime rrezikon edhe konsumatorët shqiptarë. Në një prononcim të dhënë për gazetën “Albania” Islam Cani, Kryetari i Shoqatës së Konsumatorit Shqiptarë (SHKSH) ka theksuar se dhe vendi ynë importon produkte dhe nënprodukte ushqimore nga Komuniteti Europian (KE) dhe Gjermania, shtet në të cilin janë zbuluar elemente të lëndës toksike. Ai i ka bërë apel konsumatorit shqiptar të ketë kujdes me ushqimet që konsumon. Përpara se ta blejë një produkt të lexojë etiketën në shqip për tu informuar për rrezikun, përmbajtjen dhe vendin nga është importuar produkti.
Rreziku
Cani u shpreh se SHKSH nuk ka ende informacion zyrtar nga doganat, për produkte ushqimore të importuara me lëndë toksike dioksinë, por ne duhet ta pranojmë rrezikun dhe duhet të interesohemi përderisa Shqipëria importon produkte si nga KE-ja ashtu edhe nga shtetet ku janë zbuluar produte me dioksinë. Rreziku bëhet edhe më i madh sipas Canit pas liberalizimit të vizave dhe lëvizjes së shqiptarëve në vendet e Komunitetit Europian. “Janë të rrezikuar dhe ndikohen nga këto ushqime edhe qytetarët që udhëtojnë në këto shtete ose e përdorin Gjermaninë si shtet transit, apo shqiparët që kanë emigruar dhe jetojnë në vendet ku produktet ushqimore kanë përbërje dioksine”, theksoi Cani.
Zbulimi
Pas zbulimit të elementit të dioksinës, në shumë produkte ushqimore në alarm janë vënë të gjitha vendet që importojnë produktet nga KE dhe sidomos nga Gjermania. “Qëllimi jonë si organizatë e pavarur është të informojmë qytetarët dhe konsumatorët të kenë kujdes. Ne nuk duam të përhapim alarm ose të krijojmë panik por duam t’i bëjmë apel konsumatorit të këtë kujdes, në mënyrë që të reduktojmë marrjen e ushqimeve me lëndë toksike për të evituar efektet që mund të ketë dioksina në shëndetin e gjithsecilit. Sa më e vogël të jetë doza me dioksinë në produktet ushqimore aq më pak është dëmi në organizëm. Çdo produkt toksik ka ndikim në shëndetin e njeriut, edhe pse ndikimi nuk është i menjëhershëm apo vdekjeprurës, dioksina shkakton efekte anësore negative në sistemin nervor dhe ndikon në krijimin e qelizave të kancerit”, u shpreh Cani. Kreu i Shoqatës së Konsumatorit Shqiptar tha se kjo shoqatë nuk ka komunikim me Ministrinë e Bujqësie, dhe i kërkon kësaj ministrie, si përgjegjëse kryesore për mbrojtjen e konsumatorit të bashkëpunojë më shumë me organizatat e pavarura dhe shoqërinë civile që janë në mbrojtje të konsumatorit dhe të mos qëndrojë indiferente karshi këtyre problemeve.
Dioksina
Dioksinat janë lidhje kimike, që përmbajnë karbon, hidrogjen, oksigjen dhe klor. Ato krijohen si efekt anësor i reaksioneve kimike. Si për shembull gjatë djegies së mbeturinave, gjatë prodhimit të çelikut, të bojërave dhe të benzinës, por ato mund të krijohen edhe prej dukurive natyrore, si nga shpërthimet e vullkaneve, apo zjarret në pyje. Gjithsej ekzistojnë rreth 200 dyoksina të ndryshme, të cilat zakonisht janë pa ngjyrë dhe pa erë. 17 lloje dioksinash paraqesin rrezik toksik. Skandali i dioksinës plasi të mërkurën kur u zbulua se disa ushqime që përdoren për derra dhe pula ishin ndotur në momentin e prodhimit të tyre. Burimi i kontaminimit ishte një uzinë në veri të Gjermanisë. Kimikati i rrezikshëm i gjetur tek vezët është nënprodukt i biokarburanteve që duhet të përdorej për prodhimin e letrës e jo të ushqimit për pulat. Zyrtarët e shëndetësisë në Gjermani vazhdojnë të këmbëngulin se në çdo rast, sasia e dioksinës në vezë nuk është aq e madhe sa të përbëjë rrezik për njerëzit.
Efektet
Çfarë shkakton dioksina?
Veprimi i lëndës në trupin e njeriut varet prej faktorësh të ndryshëm si: mosha, pesha dhe veçanërisht lloji i dioksinës. “Disa dioksina janë ektremisht helmuese edhe në sasi fare të vogla. Normalisht efekti i dukshëm tek njeriu konstatohet vetëm në sasi të mëdha, si p.sh. gjatë helmimeve. Efektet afatgjata janë studiuar gjatë eksperimenteve me kafshët. Mund të shkaktohen deformime në sistemin e fertilitetit, në sistemin e imunitetit, në sistemin nervor, por edhe në sistemin hormonal", u shpreh Cani. Në vitin 1997 u klasifikua prej Organizatës Botërore të Shëndetësisë si shkaktare e kancerit për njeriun. Përveç kësaj mund të dëmtohet mëlçia, metabolizmi, si dhe lëkura.
Gjermani
Vezët me dioksinë, mbyllen 4700 ferma
Autoritetet në Gjermani kanë urdhëruar mbylljen e përkohshme të më se 4700 fermave, në mënyrë që të mund të bëhet kontrolli i sigurisë, pas zbulimeve se ushqimi i kafshëve ishte i helmuar me dioksin. Ministria gjermane e Bujqësisë ka njoftuar se fermat do të mbeten të mbyllura derisa të përcaktohet se nuk janë të prekura nga helmimi me dioksin, që ishte ndërlidhur me zhvillimin e sëmundjes së kancerit te njerëzit. Po ashtu, Bashkimi Evropian, ka bërë të ditur se një sasi e vezëve nga Gjermania, për të cilat ka dyshime se janë të helmuara me dioksin, kishte hyrë në Britani nëpërmjet të prodhimeve të procesuara, e të parapara për ushqim të njerëzve. Megjithatë, zëdhënësi për shëndetësi i Komisionit Evropian, Frederik Vinsent, tha se aktualisht nuk ka dëshmi për rrezik serioz për shëndetin e njerëzve në lidhje me prodhimet. Zyrtarët po zhvillojnë hetime të mëtejshme për këtë çështje. Dioksina u zbulua në fund të muajit dhjetor, por problemi u bë publik vetëm në fillim të kësaj jave kur autoritetet gjermane thanë se mbi 3000 ton ushqime ishin prekur nga dioksina.
Produktet e rrezikshme
1- Ëmbëlsirat.
2- Kremrat.
3- Biskotat.
4- Akulloret.
5- Yndyrnat.
6- Vezët.
7- Mishi i pulës (nënproduktet)
8- Mishi i derrit(nënproduktet)
12 Janar 2011