Epidemia e gripit sezonal prek më shumë se 15 mijë persona në të gjithë vendin
Lizeta Duro
Autoritetet shëndetësore, bazuar në statistikat e ditëve të fundit bëjnë të ditur se numri i të prekurve nga virusi i gripit sezonal i kalon 15 mijë. Kohët e fundit situata epidemike e përhapjes së virusit të gripit sezonal po rritet me ritme të shpejta. Sipas specialistëve po ritet gjithashtu edhe numri i të prekurve nga Virusi AH1N1 ndërsa nuk përjashtohen rastet e shfaqjes së rëndë shëndetësore tek disa pacientë. Pacientët në Spitalin Infektiv në QSUT shprehen se janë në panik nga rastet e fundit e të prekurve. Sipas direktivave të OBSH-së në fund të muajit janar dhe në fillim të muajit shkurt do të ketë fluks akoma më të lartë të prekurish nga gripi sezonal, si dhe virusi A/H1N1. Për këtë Ministria e Shëndetësisë kanë bërë të ditur se duhet treguar më tepër kujdes ndaj rasteve që shfaqin simptomat e virusit të gripit të zakonshëm dhe gripit të derrit. Pak ditë më parë ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili në takimin që ka pasur pak ditë më parë me mjekë të poliklinikave të kryeqytetit ka kërkuar vëmendje maksimale dhe ka kërkuar nga të gjitha strukturat përgjegjëse marrjen e masave përkatëse. Vasili u bëri apel dhe qytetarëve, që cilët nuk duhet të neglizhojnë asnjë prej simptomave dhe në çdo rast të kërkojnë ndihmë të kualifikuar pranë mjekut të familjes.
Specialistët
Mjekët bëjnë apel për kryerjen e vaksinimit të të gjithë personave dhe njëkohësisht të mos neglizhojnë situatën. Sipas tyre, gripi sezonal po shfaqet i rrezikshëm, pasi mjaft persona kanë rezultuar në gjendje të rëndë. Gripi i zakonshëm, prek rreth 250 persona në ditë. Ndërkohë që vetëm në Pediatrinë e Tiranës, numri i fëmijëve me simptomat e gripit të zakonshme ka shkuar në 300 raste në ditë. Simptomat e gripit të zakonshëm janë temperaturë, kollë, të vjella, bark, këputje, dhimbje koke, dhimbje fyti etj. Nga shfaqja e të njëjtave simptoma është evidentuar edhe gripi i derrit. Por këto simptoma janë të njëjta edhe me virusin AH1N1, prandaj mjekët shprehen se është e domosdoshme vizita tek mjeku infeksionistë.
Masat
Për shkak të epidemisë në të gjitha qendrat shëndetësore dhe poliklinikat e vendit ofrohen të njëjtat shërbime si në spitalet rajonale. Madje, në të gjitha poliklinikat e Tiranës është krijuar mundësia që pacienti të marrë serum pa pasur nevojë të shkojë në spital. “Mjekë të cilët operojnë si mjekë familje do të marrin kontaktin e menjëhershëm me gjithë kontingjentet që ata mbulojnë. Lidhur me fëmijët në moshën pediatrike në të gjitha qendrat shëndetësore do të aktivohet sistemi i rehidrimit” tha ministri Vasili. Nga ana tjetër, në urdhrin i Ministrisë së Shëndetësisë lidhur me përballimin e gjendjes gripale, të gjithë mjekët e familjes apo dhe ata pediatër duhet të marrin si të dyshuar me A/H1N1 çdo rast gripi edhe të zakonshëm, me qëllim që mostrat e tyre të analizohen pranë laboratorit të ngritur në ISHP. Autoritetet shëndetësore u bëjnë thirrje qytetarëve që të mos neglizhojnë asnjë simptomë të gripit, por të paraqiten menjëherë pranë mjekut të familjes. Sipas specialistëve në Institutin e Shëndetit Publik çdo ditë rreth 20 raste të dyshuar se janë prekur nga gripi i derrit kryejnë analizat në laboratorin e ISHP-së. Mosha mesatare e rasteve të dyshuara ka qenë nga 15 deri 45 vjeç ndërsa numri më i madh i personave të konfirmuar me AH1N1 i përket moshës nga 15 deri 25 vjeç. Asnjë rast të konfirmuar në fëmijë. Të gjithë rastet e mësipërme janë trajtuar në spitalin infektiv dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore. Ndërkaq institucionet e kujdesit parësor janë të pajisura me medikamente të urgjencës dhe perfuzione dhe janë porositur të gjithë mjekët e sistemit parësor veçanërisht mjeku i familjes që të tregojnë një kujdes të veçantë ndaj grupeve të riskut si moshat pediatrike, të sëmurët kronikë dhe grupmosha mbi 60 vjeç.
Shkup
Instituti i Shëndetit Publik në Shkup njofton se dy fëmijë kanë vdekur nga gripi sezonal i ashtuquajtur i tipit “B”. ISHP në Maqedoni nuk ka publikuar moshën e fëmijëve, por gjithashtu është njoftuar se edhe dy pacientë të tjerë janë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe gjenden në aparatet respiratore. Drejtori i Klinikës së Sëmundjeve Infektive, Zvonko Milenkoviç deklaroi se tek dy personat po bëhen analiza plotësuese laboratorike për të vërtetuar tipin e gripit. Sipas të dhënave spitalore, numri i të infektuarëve nga sëmundja e gripit sezonal ka arritur në 1748 raste, por deri tani asnjë prej tyre nuk janë me simptomat e virusit A H1N1.
Zagreb
Dy persona të infektuar me virusin A(H1N1) humbën jetën në Zagreb dhe Bosnje-Hercegovinë. Me rastet e fundit, numri i të vdekurve nga gripi i tipit A (H1N1) në të dy vendet arriti në pesë. I riu 26-vjeçar që vdiq në spitalin e Zagrebit, vuante nga sëmundje kronike. Ai është viktima e tretë e gripit A (H1N1) në Kroaci, ku janë infektuar rreth 300 persona.
Në qytetin boshnjak, Tuzël ka vdekur një burrë 55 vjeç, ndërkohë që në të gjithë vendin ka 20 persona të infektuar me këtë lloj gripi.
Dioksina, Drejtoria e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Durrës cakton tre grupe kontrolli në port
Prania e lëndës toksike të dioksinës në disa produkte ushqimore të prodhuara në Gjermani dhe të eksportuara në shumë shtete të tjera të Komunitetit Europian Drejtoria e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Durrës cakton tre grupe kontrolli në port. Në pikat e kontrollit në portin e Durrësit, nga ku futen kamionët me produkte grupet e kontrollit kryejnë procedurat e kontrollit fitosanitar dhe merren me sigurinë ushqimore. Drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Durrës, Alfred Çerri u shpreh dje se grupet janë prezent gjatë gjithë praktikave që kryhen në port për çdo lloj produkti me origjinë shtazore që vjen nga jashtë. “Kamionët që vijnë nga vende të ndryshme të rajonit dhe Evropës iu nënshtrohen kontrollit të rreptë të dokumentacionit të mallit, fletës së analizave dhe gjithçkaje tjetër që garanton sigurinë e këtyre ushqimeve”, u shpreh Çerri. Sipas specialistëve edhe pse nga jashtë nuk importohet veza, përsëri ushqimet për komplekset e pularive apo të llojeve të tjera të infektuara me dioksinë janë të dëmshme sepse e transmetojnë lëndën e dioksinës në produktin ushqimor.
12 Janar 2011