E Diel, 1 Nëntor 2026

Institucionet fetare, presion MASH-it për projektligjin parauniversitar



Anilejda Shëmbitraku

Institucionet fetare bëjnë “presion” ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për ndryshime në projektligjin për arsimin parauniversitar. Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë dhe Këshilli i Xhamive shprehin hapur shqetësimin ndaj ligjit për arsimin parauniversitar. Në reagimet për mediat ata thonë se projektligji nuk shërben për laicitetin e shkollave, por rrezikon të cenojë harmoninë fetare. Pas prezantimit të projektligjit për arsimin parauniversitar, institucionet fetare, si ato islamike, ashtu dhe ato ortodokse, kanë bërë deklarata mediatike kundër kufizimeve të simboleve fetare në shkolla që përcaktohen në nenin 36.

Kisha
Projektligji i arsimit parauniversitar ka sjellë reagimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Nëpërmjet një deklarate publike, Kisha Ortodokse shpreh shqetësimin për nenin 36, paragrafi 4 i këtij projektligji, i cili ndalon simbolet fetare për nxënësit e shkollave. Sipas Kishës, kjo përbën “cenim të së drejtës së mendimit, bindjeve dhe ushtrimit të fesë, të drejta këto të garantuara për të gjithë qytetarët e Shqipërisë nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, si edhe nga konventat dhe rezolutat ndërkombëtare të njohura dhe ratifikuara nga shteti shqiptar”, - thuhet në deklaratën e shpërndarë sot nga Kisha Ortodokse. “Bindjet fetare dhe, për rrjedhojë, dhe mbajtja e simboleve, - vijon më tej deklarata, - nuk mund të përbëjnë pengesë ose kërcënim për nxënësit dhe shkollat, pasi shoqëria shqiptare edhe pse multifetare është e njohur për harmoninë dhe bashkëjetesën paqësore ndërfetare. Për më tepër, në Shqipëri ne nuk kemi konflikte rreth simboleve fetare”.

Xhamitë
Edhe përfaqësuesit e 76 xhamive në vend kanë shprehur shqetësimin ndaj projektligjit për arsimin parauniversitar. “Ky përcaktim në ligj cenon praktikimin e lirë të fesë. Ligji është diskriminues dhe duhet të riformulohet nga MASH-i”, - janë shprehur përfaqësuesit fetarë në një konferencë për shtyp. “Këshillat e xhamive kërkojnë nga MASH-u të bëjnë riformulime apo shtesa në projektligj, nga të cilat të kuptohet qartë, pa lënë hapësira për interpretime, se vënia e shamisë së kokës nga femrat myslimane nuk ndalohet në institucionet arsimore", - deklaroi teologu Genc Plumbi. Ai shtoi se “ky hap nuk prek laicitetin e shkollës, ruan pa cenuar harmoninë fetare, tolerancën mes palëve, shmang tensionet sociale dhe garanton vazhdimin pa luhatje të procesit të nisur të bashkëpunimit mes shtetit dhe bashkësisë fetare në vend”.

NENI I DEBATUESHËM
Në nenin 36 të projektligjit për arsimin parauniversitar përcaktohet se në institucionet arsimore ndalohet organizimi i veprimtarive partiake dhe/ose fetare me nxënësit ose punonjësit e tyre. Sipas këtij projektligji, në institucionet arsimore ndalohet indoktrinimi ideologjik i nxënësve. Ndërkaq, ndalohet që nxënësit të detyrohen nga punonjësit e institucionit arsimor që të marrin pjesë në veprimtari partiake dhe/ose fetare ose në veprimtari të tjera që nuk janë parashikuar në planin e veprimtarive të institucionit. Dhe së fundi, projektligji përcakton se ndalohet ekspozimi i simboleve fetare në institucionet arsimore, përveç shkollave ku mësohen lëndë fetare.

KËRKESA
“Këshillat e xhamive të Tiranës dhe imamët e tyre i kërkojnë Ministrisë së Arsimit të bëjë disa shtesa në projektligjin e ri për arsimin parauniversitar, të cilat të sanksionojnë lejimin e shamive të femrave myslimane në shkolla, pasi, sipas tyre, kjo nuk e cenon laicitetin e institucioneve arsimore”.

12 Janar 2011

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›