E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diploma profesionale, pa u miratuar ligji

Hapet kolegji i parë ku do të trajnohen dhe formohen specialistët e rinj që do të mbajnë diplomë “të avancuar”

Edhe pse mund të duket si zanat që mund “të vidhet” duke i ndenjur pranë mjeshtrit të fushës, parukieria dhe estetika po marrin një dimension të ri në vendin tonë. Profesionalizmi dhe shkalla e formimit për të dhënë këto dy shërbime po rriten edhe më tej. Kështu, për të parën herën në vendin tonë do të kryhen studime me kohë të plotë për dy vjet për këto dy fusha dhe në fund do të jepen diplomat me tituj “Parukieri e avancuar” dhe “Estetikë e avancuar”. Kohëzgjatja e studimeve është plot 2 vite akademike me 120 kredite.

Vendimi i qeverisë

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4, pika 2, 26, 43, 44 e 45, të ligjit nr. 9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave vendosi hapjen në kolegjin profesional privat “New Generation” (“Brezi i Ri”), Tiranë, të programeve të studimit jouniversitare, në formën e studimeve me kohë të plotë në “Parukieri të avancuar”, “Estetikë të avancuar”.
Këto programe studimi jouniversitare realizohen me 120 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është 2 (dy) vite akademike. Në përfundim të programeve të studimit lëshohet diplomë në
“Parukieri të avancuar”, “Estetikë të avancuar”.

“Kolegji profesional privat të fillojë veprimtarinë mësimore për programet e studimit, të përcaktuara në pikën 1 të këtij vendimi, vetëm pasi të ketë marrë, jo më vonë se tri javë para fillimit të vitit akademik, lejen përkatëse nga ministri i Arsimit dhe Shkencës”, thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave. Sipas VKM, ky institucion duhet t’i nënshtrohet procesit të akreditimit të këtyre programeve të studimit, brenda afateve të përcaktuara në ligjin në fuqi. “Ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Shkencës për kontrollin periodik të ligjshmërisë në institucion dhe për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në ‘Fletoren Zyrtare’”, thuhet në VKM, miratuar javën e kaluar nga qeveria.

Diplomat profesionale

Drafti i projektligjit të arsimit të lartë parashikonte se do të jepeshin diploma profesionale.
“Institucionet e arsimit të lartë kanë të drejtë të ofrojnë edhe programe të studimeve jouniversitare, profesionale, pas arsimit të mesëm, me jo më pak se 120 kredite. Kohëzgjatja e këtyre programeve është jo më pak se dy vite akademike dhe në përfundim të tyre lëshohet ‘Diplomë Profesionale...’ në fushën e arsimit të kryer”, thuhet në projektligjin që është kthyer mbrapsht për rishikim. Kreditet e akumuluara gjatë studimeve pas arsimit të mesëm mund të transferohen në studime universitare të ciklit të parë në përputhje me kriteret që vendosin institucionet e arsimit të lartë.

Po ashtu, në projektligj parashikohet që institucionet e arsimit të lartë duhet të kenë të drejtë të propozojnë kritere të veçanta për përzgjedhjen e kandidatëve të cilët kanë mbaruar maturën shtetërore, për t’u pranuar në ciklin e parë të studimeve. Këto kritere shqyrtohen dhe vlerësohen nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, në këshillim me Konferencën e Rektorëve dhe Këshillin e Arsimit të Lartë dhe të Shkencës, dhe mbi këtë bazë ministri miraton me udhëzim kriteret dhe procedurat e pranimit në ciklin e parë të studimeve.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›