E Diel, 1 Nëntor 2026

Sulmohet Banka Qendrore në Bagdad, 12 të vdekur dhe shumë pengje

Masakra Sipas burimeve, nuk dihet ende nëse bëhej fjalë për akt terrorist, apo grabitje

Një sulm i armatosur në selinë e Bankës Qendrore irakiane në qendër të Bagdadit ka shkaktuar vdekjen e 12 personave dhe plagosjen e 40 të tjerëve. Sipas burimeve nga Ministria e Brendshme, sipas së cilës nuk është e qartë ende nëse bëhet fjalë për një sulm terrorist, apo për një grabitje, sulmi u parapri nga një numër i madh shpërthimesh përpara selisë së Bankës Qendrore, në lagjen “Rasheed”, dhe pasoi me një shkëmbim zjarri mes kriminelëve dhe forcave të sigurisë. Viktimat mendohet se janë të gjithë punonjës të bankës. Brenda ndërtesës shumë prej tyre u morën edhe pengje. Sipas një burimi vendas, një grup njerëzish të armatosur ishin vendosur mbi tarracën e bankës dhe teksa hapnin zjarr, u bënin thirrje forcave të policisë të mos dorëzoheshin. “Njerëz të armatosur kanë sulmuar bankën, por ende nuk është e qartë nëse bëhet fjalë për një grabitje, apo akt terrorist”, deklaroi një zëdhënës i komandës ushtarake të Bagdadit. Të vdekurit dhe të plagosurit, bën me dije qeveria, janë të gjithë punëtorë të Bankës Qendrore. Po sipas informacioneve që ajo ofron, shpërthimi i njëpasnjëshëm i bombave, që parapriu sulmin, ndodhi në kohën kur punëtorët ishin duke dalë nga selia e institucionit më të madh financiar të vendit. Ky atentat ndodhi në prag të hapjes së Parlamentit irakian tre muaj pas zgjedhjeve të 7 marsit. Sot Parlamenti është thirrur për të zgjedhur Presidentin e Republikës. Por, para se të arrihet një marrëveshje për formimin e qeverisë, ka shumë mundësi, thonë analistët, që të duhen edhe disa javë të tjera marrëveshje.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›