Requiem për Institutin e Urbanistikës

Arkitekturë / Shkrirja e këtij Instituti me Vendim të Këshillit të Ministrave është një akt i qëllimshëm për të mbajtur larg vëmendjes problemet urbanistike në Shqipëri.
Që të pushtohej pjesa më e madhe dhe më e bukur e territorit, dhe të realizohej masakra urbane, duhej që ai Institut të ishte inekzistent
Duke dashur të përcaktoj titullin e shkrimit vendosa përbri fjalët: Vdekja, kapitullimi, asfiksimi, fundi pa lavdi, dorëzimi, por së fundi zgjodha Requiem jo vetëm se më pëlqen muzika klasike por edhe sepse requiem-ët sikur janë shkruar për ne.
Do t'i shkonte edhe kapitullimi, se kapitullimi është një dorëzim i butë, një fund i detyruar, një humbje disi e justifikuar, në sytë e opinionit publik.
Me kapitullim nënkuptojmë edhe një bashkëfajësi (aq e pëlqyer tani: jemi bashkëvuajtës, por ama jemi edhe bashkëfajtorë, kështu që s'ke kë të dënosh).
Të tjerët na bënë të dorëzohemi po ne humbëm ama.
Me një vendim të Këshillit të Ministrave në fund të Marsit 2010 Instituti i Urbanistikës u shkri. U krijua Agjencia e Planifikimit të Territorit, së bashku me Sekretarinë Teknike të Ministrisë. Kjo Agjenci sikurse kuptohet nuk ka më funksione studimore, projektuese por merret vetëm me planifikimin e territorit.
Instituti i Urbanistikës ishte një nga Institutet më të rëndësishëm të Projektimeve civile në Shqipëri. U krijua në vitin 1955. Në krye të tij qëndruan për një kohë të gjatë Koço Miho dhe me vonë Misto Mele, të dy kishin studiuar në Bashkimin Sovjetik.
Atje punuan urbanistë të mirënjohur si V. Cicko, K. Qano, Gj. Kotmilo, M. Haxhiaj, E. Zaloshnja dhe shumë të tjerë.
Punën e Institutit mund ta ndajmë në dy periudha: 1955-1990 dhe 1990-2010.
Në periudhën e parë Instituti projektoi planet rregulluese të disa qyteteve socialiste që po lindnin si Maliqi, Qyteti Stalin, Laçi etj., më vonë projektoi planet rregulluese të Tiranës, Korçës, Durrësit, Beratit, Vlorës, Bajram Currit, Kukësit të Ri, etj..
Ishte institucioni që vuri rregull në ndërtimet gjatë gjithë periudhës së socializmit.
Ai planifikoi ndërtimin e gjithë veprave industriale. Bëri studime dhe projekte edhe për fermat, bile edhe për fshatra. Fjala e tij dëgjohej dhe ishte me peshë, se ishte një fjalë gjithmonë e studiuar dhe e argumentuar në mënyrë shkencore.
Për të parë punën gjigante që ka bërë ky Institut mjafton të shkosh në Arkivin Qendror të Ndërtimit.
Është gati e pamundur të kalosh nëpër duar qindra e qindra dosje me punën e tij.
Kjo punë kolosale është një eksperiencë e paçmuar, është një memorje që duhet botuar.
Një pamje krejt tjetër paraqet puna e Institutit në periudhën 1990-2010.
Në këtë periudhë të investimeve të jashtëzakonshme si në qytet edhe në fshat, ky Institut nuk u ndje më. Fjala e tij nuk u dëgjua asnjëherë. Nuk di, por nuk mbaj mend, nëse gjatë 20 vjetëve është shkruar ndonjë artikull nga specialistët dhe drejtuesit e tij.
Ata u bënë të papërfillshëm.
Le të marrim vetëm rastin e Projektit Belg, për sheshin "Skënderbe".
U shkruan dhjetëra artikuj dhe reportazhe, e u bënë dhjetëra emisione televizive në gjithë gazetat dhe televizionet e vendit, por asnjëherë nuk u dëgjua prononcimi i këtyre specialistëve që duhet të ishin të parët që të sqaronin opinionin publik.
Ose për rastin e fundit që kam ngritur në Gazetën "Shekulli": objekti para Stadiumit "Qemal Stafa", ata nuk prononcohen fare.
Kur i pyet të thonë në konfidencë, fajin e ka politika; problemet i dimë po nuk prononcohemi dot.
Kjo edhe është e vërtetë, por mendoj se ka edhe një dinjitet profesional, i cili duhet të ngrihet edhe mbi interesin e çastit. Kjo duhet të jetë në bazë të veprimtarisë së ç'do specialisti.
Si mund të shpjegohet që drejtoresha e Institutit firmosi dy herë edhe bërjen edhe prishjen e mbikalimit të Zogut të Zi?
Problemet urbanistike në Shqipëri janë kryesoret, më të rëndësishmet dhe neglizhimi i Institutit nuk mund të mos quhet i qëllimshëm.
Që të pushtohej pjesa më e madhe dhe më e bukur e territorit, dhe të realizohej masakra më e madhe urbane që është kryer ndonjëherë në një shtet, duhej që ai Institut të ishte inekzistent.
Dhe kjo u arrit.
Tani u shkri fare.
Nuk u ngjit asnjë lajmërim vdekjeje. Kush do ta shkruajë historinë e tij?
Në vitin 1992, kryeministri i dha urdhër Institutit të merrej me një projekt "Kompleksi fushash golfi" në Ksamil. Do të bëhej në bashkëpunim me portugezët.
Erdhën dhe ata këtu, e gjeten territorin të jashtëzakonshëm. Shkuan edhe tanët atje.
Nuk u bë asgjë. Si me çekun e bardhë.
Më ngjajnë me "gjellën strategjike", PATATEN e famshme të rrethimit social-imperialist. Po këtë radhë kokëposhtë. Ëndërronim kokëposhtë.
E vetmja gjë që nuk e kam zgjidhur dot është: kur ishim kokëposhtë, atëhere apo tani?
Përfundimin e përrallës e dimë të gjithë: Ksamili është bërë simboli i rrëmbimit, simboli i shëmtimit, simboli i shkatërrimit të natyrës.
A ka faj Instituti i Urbanistikës për këtë?
Si realizohen planet e një qeverie është kontrolli më i saktë i mirëqeverisjes ose jo të saj.
Me rastin e shkrirjes së Institutit duhet të kish një raportim të hollësishëm nga Ministri përkatës. Kjo nuk u bë.
Nuk kemi asnjë raport qeveritar, asnjë deklaratë të botuar në shtyp.
Nuk më mbetet vçse një REQUIEM për Institutin e Urbanistikës që nuk ekziston më.