E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diploma, prokuroria test gjuhe shqipe për Renzo Bossin

TIRANE - Prokuroria e Përgjithshme kërkon si dëshmitar “sa më shpejt të jetë e mundur” Renzo Bossi-n, djalin e ish-kreut të Lega Nordit, Umberto Bossi-t, për të zbardhur të vërtetën e marrjes së diplomës universitare pranë institucionit privat arsimor “Kristal”. Prokurorët po punojnë mbi dy hipoteza: “Falsifikim të dokumentit zyrtar”, e mbi të gjitha “për korrupsion”. 

“Tani për tani nuk ka ende asnjë person nën hetim”, - bëjnë të ditur burimet në Prokurorinë e Përgjithshme. Pritet që të ketë edhe “ndonjë sqarim nga konsultimi që do bëhet me listë prezencën e studentëve në leksione”, - bëjnë të ditur burimet pranë organit të akuzës. Kjo prokurori pritet që këtë javë t’u kërkojë Prokurorisë së Milanos dhe asaj të Napolit “aktet e hetimit që i përkasin diplomës së Renzo Bossi-t dhe Pier Moscagiuros”. Duket që Prokuroria e Përgjithshme, e cila filloi hetimin e kësaj çështjeje pikërisht të premten e kaluar, në bashkëpunim edhe me ekspertë të Ministrisë së Arsimit do të veprojë shumë shpejt mbi këtë çështje e cila vë në dyshim pikërisht një sistem arsimor i nxitur si nga qeveria ashtu edhe nga kryeministri Berisha. 

Prokurorët duan të sqarojnë nga kolegët e tij italianë “mospërputhjen kohore mes kohës së marrjes së gjimnazit, regjistrimit dhe diplomimit në universitet”. Ata duan të zbardhin faktin nëse djali i Umberto Bossi-t i ka ndjekur me të vërtetë kurset, për të cilat ka marrë edhe notat. Prokuroria pritet të dëgjojë edhe personelin e universitetit, të cilët e kanë regjistruar Renzo Bossi-n, që në Itali njihet edhe me nofkën “Trofta”. 

Prokurorët shqiptarë, që merren me këtë hetim, bëjnë të ditur se “mund t’i bëhet edhe një testim Renzo Bossi-t, për të ditur se sa e njeh ai gjuhën shqipe”. Një pikë tjetër që duhet të sqarohet është edhe fakti që diploma e djalit të Umberto Bossi-t është vlerësuar nga ambasada italiane në Shqipëri. “Materialet që kemi ne ua kemi dërguar Prokurorisë së Milanos dhe Napolit”, - thonë në ambasadën italiane të Shqipërisë. Por, mbetet ende sekret fakti se si u ka mbërritur në dorë zyrtarëve të ambasadës diploma e Renzo Bossi-t.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›