E Shtunë, 31 Tetor 2026

Azili, 69-vjeçari plagos me thikë të dashurën e tij për xhelozi

KAVAJE - Duket se xhelozia nuk është një problem vetëm mes të rinjve, por edhe mes të moshuarve. Kjo gjë është konfirmuar ditën e djeshme ku dy të moshuar, banor të Shtëpisë së të Moshuarve në qytetin e Kavajës janë konfliktuar mes tyre, konflikt i cili ka degjeneruar deri në plagosjen e 66-vjeçares Sulltane Muharremi nga i dashuri i saj Maliq Tafaruçi, 69-vjeç.

Ngjarja është zhvilluar në ambientet e Shtëpisë së të Moshuarve në Kavajë, vend në të cilin dy protagonistët kishin vendosur të kalonin vitet e fundit të jetës. Por, as aty nuk kanë mundur të shkojnë mirë me njëri-tjetrin, pasi sipas banorëve të tjerë të shtëpisë 66-vjeçarja ndihej e kërcënuar me jetë herë pas here nga 69-vjeçari.

Ndërkaq, lajmi në fjalë është konfirmuar dhe nga drejtori i kësaj Shtëpie, Mehmet Rrapi, i cili tregon të gjithë rrjedhën e ngjarjes. Sipas tij, 66-vjeçarja është qëlluar me thikë për motive banale nga një tjetër banor i shtëpisë së të moshuarve, me të cilin ajo kishte pasur një lidhje të hershme. Ndërkohë, raportohet se 66-vjeçarja Sulltane Muharremi ndodhet në Spitalin Rajonal të Durrësit në repartin e Reanimacionit.

Sipas mjekëve të këtij Spitali mësohet se, gjendja e saj nuk është e mirë për shkak të plagës së marrë, por shprehen optimist për shpëtimin e jetës së saj. Nga ana tjetër Maliq Tafaruçi është prangosur nga Policia e Kavajës nën akuzën e "vrasjes" të mbetur në tentativë.

Gjithashtu, efektivët e Komisariatit të Kavajës kanë marrë në pyetje të gjithë banorët e tjerë të Shtëpisë së të Moshuarve, të cilët kanë dhënë dëshminë e tyre në lidhje me ngjarjen dhe konfliktet e vazhdueshme që çifti ka pasur gjatë viteve të qëndrimit në këtë Shtëpi. Tafaruçi, i cili është prangosur menjëherë pas ngjarjes, pritet të përballet gjatë ditëve në vijim me gjykatën ku dhe do t'i caktohet masa e sigurisë për tentativën e vrasjes së të dashurës së tij.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›