Diplomacia ekonomike
Oferta më e fundit e Putinit drejtuar ish-kryeministrit italian Prodi për të drejtuar projektin "Rryma e Jugut" (South Stream), të sjell ndërmend postin e ofruar Gerhard Shrëderit për të drejtuar projektin paralel të "Rrymës së Veriut" (Nord Stream) në 2005-ën kur ky i fundit u largua nga pushteti për t'u zëvendësuar me kancelaren e fortë dhe energjike, Anxhela Merkel.
Por ndërkohë që Shrëderi e pranoi me kënaqësi ftesën, ish-kryeministri dhe ish-kryekomisioneri Prodi e refuzoi me delikatesë këtë ofertë tunduese të një projekti që mendohet të kushtojë rreth 7 miliardë euro. Megjithëse refuzimi i Prodit tashmë të larguar nga skena politike aktive italiane nuk mund të konsiderohet kategorik, ajo që vlen të përmendet është dimensioni etik i tij në lidhje me "pazaret" që afrohen në këtë mënyrë për t'i shtuar një koracë legjitimiteti projekteve fitimprurëse ruse. Politika e jashtme ruse e erës Putin udhëhiqet para së gjithash nga pragmaticiteti dhe vlera e shtuar që i sjellin ekonomisë së këtij vendi, duke bërë realitet atë që zakonisht quhet diplomacia ekonomike.
Jo se kjo mungesë boshti më substancial filozofik në diplomaci ka ndonjë gjë të keqe në vetvete. Diplomacia ekonomike-pragmatiste, e cila duket se po zëvendëson atë tradicionale realiste apo idealiste është kthyer tashmë në modë dhe ndiqet nga një sërë vendesh që shohin te rritja e shkëmbimeve tregtare apo ofrimin e resurseve të tyre kombëtare, armën më të fortë që mund të sigurojë edhe pozitën e tyre gjeostrategjike, duke përcaktuar edhe vendin e tyre në marrëdhëniet ndërkombëtare. Për shembull, pak kohë më parë, Rusia shtiu në dorë më shumë se 50 për qind të kompanisë shtetërore të naftës së Serbisë, si dhe nënshkroi një kontratë që e kthen Serbinë në pikë nevralgjike të kalimit të tubacionit verior të gazit, ndërkohë që ai jugor (South Stream) mendohet të lidhë Greqinë me Italinë, duke lënë në pikëpyetje Shqipërinë, e justifikuar kjo në bazë të kalkulimeve racionale kosto-benefit, të paktën sipas Ambasadorit Rus në Tiranë në një intervistë të dhënë para pak ditësh gazetës "Shekulli".
Një shembull tjetër i suksesshëm i diplomacisë ekonomike është kryeministri turk Erdogan, i cili nuk shkon gjëkundi pa shpurën e tij të biznesmenëve dhe ofertave konkrete për investitorët e huaj. Kjo e kombinuar me reformat e brendshme, si për shembull zhvendosja e pjesës më të madhe të industrisë nga zonat bregdetare në pjesën e brendshme dhe të prapambetur të vendit, për t'i dhënë njëkohësisht hov turizmit, por edhe rigjeneruar pjesë të "vdekura" të territorit, janë lëvizje shumë inteligjente të Kryeministrit turk që arriti ta rikthejë Turqinë brenda pak kohe në vend me rritje ekonomike edhe më të madhe nga shtete të reja të BE-së si Rumania apo Bullgaria.
Kohët e fundit, duke kombinuar këtë qasje ekonomike-pragmatiste në diplomaci me një të bazuar në principet e real-politikës, ai arriti të bëjë realitet njëherazi dy objektiva në takimin e fundit me Presidentin sirian Bashar Al-Assad. Nga njëra anë, nënshkroi një kontratë ekonomike mjaft të leverdishme për të siguruar tregun sirian për produktet e veta të eksportit, ndërsa nga ana tjetër shërbeu si urë lidhëse ndërmjet aleatit të tij strategjik në Lindjen e Mesme, Izraelit me Sirinë, një konflikt që vazhdon tashmë prej katër dekadash dhe që e ka zanafillën të pushtimi izraelit i Lartësive Golan, pas një sulmi të dështuar nga ana e Sirisë. Pas shumë armiqësive, konfliktesh dhe akuzash të ndërsjella që konsumoi edhe energjitë e tre presidentëve të fundit amerikanë, duket se palët janë në prag të arritjes së një marrëveshje së fundmi, çka do i hapte rrugën Izraelit për të shtuar listën e shteteve "mike" në rajon, rreth i cili aktualisht kufizohet me Egjiptin dhe Jordaninë.
Shembuj të tjerë që mund të sillen janë të pafundmë, duke filluar nga vizita e fundit e kryeministrit grek, Karamanlis, në Moskë para disa ditësh për të siguruar në mënyrë përfundimtare mbështetjen ruse për përfshirjen në projektin e "Rrymës së Jugut" deri te lëvizjet e Sarkozisë sa në Kinë, në Indi apo edhe Iran, për të siguruar tregje të reja, kontrata fitimprurëse dhe për të kombinuar synimet strategjike dhe konsolidimin e zonave të interesit për Francën me përfitimet ekonomike në periudha afatshkurtra. Në Shqipëri, ndonëse ish-ministri i Jashtëm, Mustafaj, përmendi në fillim të mandatit të tij në 2005-ën se orientimi i diplomacisë shqiptare do ishte kah i asaj ekonomike, e kombinuar kjo natyrisht me atë kulturore (që njihet ndryshe edhe si diplomacia publike), shumë pak është bërë në këtë drejtim dhe edhe sot mungojnë qasjet vizionare që do mund të garantonin një qasje më pragmatike të politikës sonë së jashtme. Në një artikulli të tij të para disa ditëve, ambasadori ynë në Londër dhe diplomati i karrierës, z.Zef Mazi pasi përmendte arritjet e diplomacisë shqiptare të kohëve të fundit që sipas tij kulminonin me pavarësinë e Kosovës dhe futjen në NATO, bënte thirrje për nevojshmërinë e një ri-orientimi të politikës së jashtme shqiptare për t`u përshtatur me problematikat dhe sfidat e reja.
Ndonëse i saktë në thelb, artikulli gjithsesi nuk specifikonte se kush duhet të ishte ky orientim i ri apo në ç'kah duhet të shkonte. Një ridimensionim i rolit dhe objektivave të diplomacisë shqiptare për t`i bërë ballë sfidave të reja që gjithmonë e më tepër do kenë natyrë ekonomike në vorbullën e një globalizimi përherë e më dinamik, është sa i mirëpritur, aq edhe i domosdoshëm. Për të mundësuar këtë ri-fokusim dhe evolucion të natyrshëm duhet të ketë një debat konstruktiv, profesional dhe përfshirje të aktorëve shoqërorë të interesuar, për të agreguar më pas idetë dhe dalë me një sintezë të përgjithshme që do jetë edhe boshti filozofik i qasjes së re.
Ky është nja parakusht i nevojshëm që të arrihet koherencë e mëpasshme në qëndrimin e trupit tonë diplomatik dhe ku edhe mediokriteti individual (që shpesh vjen edhe si rrjedhojë e ndryshimeve mbi baza militanto-partiake), të mos dëmtojnë infrastrukturën e përgjithshme dhe unitetin e qëndrimit dhe veprimit diplomatik të shtetit shqiptar.