E Diel, 1 Nëntor 2026

Familjet që kanë shptëpitë mbi amfiteatrin e Durrësit, brendfa dy viteve zhvendosen në një pallat të ri

Këshilli i rregullimit të territorit në Bashkinë e Durrësit miratoi dje (të premten) lejën për ndërtimin e një pallati banimi ku do të strehohen familjet që jetojnë në shtëpitë e ndërtuara mbi arenën e amfiteatrit antik të qytetit.
Procedurat e shpronësimit dhe sistemimit në apartamentet e rinj do të kryhen në bashkëpunim me Qeverinë shqiptare, bëri të ditur për ATSH-në nënkryetari i bashkisë, Adrian Çela.
Pallati i ardhshëm me 24 apartamente do të ndërtohet pranë rrugës në hyrje të qytetit dhe kati i parë do të shfrytëzohet për administratën bashkiake të rajonit, ndërsa pesë katet e tjera si dhe garazhet do të vihen në dispozicion të familjeve që banojnë në shtëpi private të ndërtuara në vitet 1940-1950 mbi rrënojat e amfiteatrit.
I njëjtit burim bëri të ditur se gjatë vitit 2008 bashkia ka akorduar një fond prej 50 milionë lekësh për ndërtimin e pallatit të ri dhe se një fond tjetër, përsëri 50 milionë lekë, do të miratohet në vitin 2009 që të plotësohet shuma e vevojëshme për të përfunduar ndërtimin brenda dy viteve të ardhshme. Çela sqaroi se numri i familjeve që do të sistemohen në pallatin e ri është rreth 20.
Prishja e shtëpive mbi arenën e amfiteatrit do të mundësojë vazhdimin e gërmimeve arkeologjike në monumentin më të madh të antikitetit të zbuluar në vendin tonë. Gjatë periudhës korrik-gusht, për pesë vite radhazi, një ekspeditë italo-shqiptare e drejtuar nga arkeologët e universitetit të Parmës (Itali), ka zbuluar struktura mjaft të rëndësishme në pjesën juglindore të mureve të amfiteatrit. Kjo ekspeditë do të vazhdojë gërmimet me financimin e qeverisë italiane edhe në vitet 2009-2010. 
Bashkia e Durrësit ka vendosur që 35 për qind të investimeve të vitit 2009 t'ia kushtojë zbulimit të plotë të arenës, përmes largimit dhe sistemimit të familjeve në një pallat të ri. Sipas Çelës, Bashkia e Durrësit po kërkon të bashkëpunojë me Qeverinë shqiptare për të zgjidhur ligjërisht procedurat e shpronësimit dhe pajisjes me apartamente falas për familjet që banojnë mbi arenën e amfiteatrit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›