Diplomat do të ndryshojnë emërtim
Titujt e diplomave universitare, si dhe të cikleve të dyta të studimit, do të ndryshojnë. Kjo sipas propozimeve të bëra nga specialistët e arsimit, pjesë e një drafti që do të diskutohet, për t’iu dërguar më pas qeverisë për miratim.
Konkretisht, sipas propozimeve, është kërkuar që të bëhet një rikonceptim i titujve të diplomave.
Programet e studimeve në institucionet e arsimit të lartë organizohen në tre cikle të njëpasnjëshme: cikli i parë, cikli i dytë dhe cikli i tretë. Drafti me propozime i është dërguar për shqyrtim grupeve të interesit, ndërkohë që grupi i punës i mbledhur për diskutimet dhe formulimet përfundimtare, do t’i japin edhe “dorën” e fundit “projektit”, për disa ndryshime në ligjin e arsimit të lartë.
Sipas propozimeve, programet e studimeve të ciklit të parë synojnë të japin njohuri bazë mbi metoda e parime shkencore të përgjithshme dhe aftësi specifike në një varietet të gjerë profesionesh e specialitetesh.
Programet e studimeve të ciklit të parë realizohen me 180 kredite dhe zgjatja normale e tyre është tre vite. Në përfundim të programeve të studimeve të ciklit të parë lëshohet diplomë universitare “Bachelor” në fushën e arsimimit të kryer.
Cikli i dytëDrafti fillestar kërkon që programet e studimeve të ciklit të dytë t’i japin të diplomuarve që zotërojnë diplomën universitare “Bachelor” njohuri të thelluara, teorike dhe praktike, si dhe trajnim për kërkim shkencor në një fushë brenda një specialiteti.
Programi i ciklit të dytë realizohet me 120 kredite dhe zgjatja normale e tyre është dy vite. Në përfundim të programeve të studimeve të ciklit të dytë lëshohet diplomë universitare “Master i shkencave” në fushën e arsimimit të kryer.
Specialistët, të cilët prej vitesh ndjekin ecurinë e proceseve integruese në arsim, kanë propozuar që institucionet e arsimit të lartë në fushat e mjekësisë, veterinarisë dhe arkitekturës ofrojnë programe të integruara të studimeve të ciklit të parë dhe të dytë së bashku. Po ashtu, programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë realizohen me jo më pak se 300 kredite dhe zgjatja normale e tyre është jo më pak se pesë vite.
Në përfundim të programeve të studimeve lëshohet diplomë universitare “Master i shkencave” në fushën e arsimimit të kryer.
Master“Programet e studimeve ‘Master’ u ofrojnë të diplomuarve, me një diplomë universitare së paku “Bachelor”, arsimim dhe trajnim të mirëfilltë profesional”, është një nga propozimet për ndryshim për amendimet që do të pësojë ligji i arsimit të lartë.
Kërkohet që programet e studimeve “Master” të realizohen së paku me 60 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është së paku 1 vit.
Në përfundim të këtyre programeve të studimeve jepet diploma universitare “Master” në fushën e arsimimit dhe trajnimit profesional të kryer.
Doktorata“Programet e studimeve të doktoratës janë programe të studimeve të ciklit të tretë, me karakter plotësisht akademik, që kanë në bazë kërkimin shkencor dhe veprimtarinë krijuese”, vlerësojnë specialistët. Sipas ekspertëve që kanë bërë disa prej propozimeve për ndryshimin e ligjit, në studimet e doktoratës duhet të pranohen kandidatë që kanë fituar diplomë universitare “Master i shkencave”. “Këto programe të studimeve zgjasin të paktën 3 vite dhe përfshijnë 40 deri në 60 kredite për studime të organizuara teorike. Në përfundim të ciklit të tretë lëshohet diploma për gradën shkencore ‘Doktor’”, shkruhet në draftin fillestar.
#