Pedofilia, Selia e Shenjtë mbron Papën Nuk është përfshirë në asnjë skandal
Përpjekjet për të përfshirë Papa Benediktin XVI në çështjen e priftërinjve pedofilë, “kanë dështuar”. Kështu ka deklaruar at Lombardi, zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, në një komunikatë për shtyp. “Duket qartë se në ditët e fundit ka pasur nga ata që kanë kërkuar ta përfshijnë personalisht Atin e Shenjtë në çështjen e abuzimeve. Për çdo të interesuar, po ju themi se këto tentativa kanë dështuar”, shkruhej në komunikatën e tij. Po ashtu, zëdhënësi i Vatikanit u shpreh se “linja e Ratzigerit ka qenë gjithmonë ajo e rigorozitetit dhe koherencës në përballimin e situatave më të vështira”. Në vitet e fundit janë denoncuar një numër i madh rastesh abuzimesh nga ana e priftërinjve pedofilë, që shpesh janë mbajtur të fshehtë, sidomos në Amerikë. Një ditë më parë, dioqeza e Mynihut dhe Freising bëri me dije se Papa Benedikti XVI ishte përfshirë në vendimin për transferimin e një prifti të dyshuar për pedofili që punonte në dioqezën e tij kur ishte kryepeshkop në vitin 1990, edhe pse nuk ishte dakord që të punonte në një famulli lokale. Që nga viti 2001 janë ekzaminuar më shumë se 300 raste të priftërinjve pedofilë. Në një tjetër intervistë botuar në të përditshmen katolike, "Avvenire", monsinjor Charles Scicluna, i ka cilësuar si “dashakeqëse dhe false” akuzat ndaj Papa Ratzinngerit dhe ka hedhur poshtë idetë se ai ka bërë një politikë okultizmi në rastin e priftërinjve pedofilë. Në intervistë, prokurori i Vatikanit tha se Kongregacioni i tij që kryen një aktivitet investigativ dhe gjyqësor mbi çështjen delikate që përfshin krimet e pedofilisë të bëra nga anëtarët e klerit, inkurajon peshkopët të denoncojnë abuzimet. “Në rastin e abuzimeve, shpjegon monsinjor Scicluna, ne nuk i imponojmë peshkopët të denoncojnë priftërinjtë e tyre, por i inkurajojmë t’u drejtohen viktimave për t’i ftuar t’i denoncojnë ata priftërinj prej të cilëve kanë qenë viktima”. Sipas tij, nga viti 2001 e deri më sot, Kongregacioni për Doktrinën e Shenjtë ka ekzaminuar rreth 3000 raste priftërinjsh dhe besimtarësh të akuzuar për abuzime në 50 vitet e fundit, por vetëm 10 për qind e tyre ka të bëjë me akte të vërteta pedofilie. “Rastet e priftërinjve të akuzuar për pedofili të vërtetë janë rreth 300 në nëntë vjet. Bëhet fjalë për shumë raste, por duhet pranuar që fenomeni nuk është kaq i përhapur sa duket”. Gjithçka nisi kur gazeta “Sueddeutsche Zeitung” raportoi se dioqeza e Mynihut dhe Freising konfirmuan në fillim të javës se kryepeshkopi Ratzinger e kishte lënë priftin, të njohur me inicialin H., që të qëndronte në një famulli në Mynih për “terapi”. H., dyshohej se kishte detyruar një djalë 11-vjeçar të kryente marrëdhënie seksuale orale me priftin në qytetin verior të Essenit. Ndërkohë që ishte në Mynih nga shkurti i vitit 1980, deri në gusht të 1982, nuk u raportua ndonjë “krim” nga ana e tij. Më vonë ai u transferua në qytetin Grafing, ku u shkarkua nga funksioni i tij për akuza të tjera lidhur me pedofilinë. Në vitin 1986, atij iu caktuan 18 muaj burg dhe një gjobë për abuzim seksual me të miturit, por detajet nuk bëhen të ditura nga dioqeza.
#