Shtyhen pambarimisht gjyqet e mëdha. Avokatët, frikë nga të pandehurit
Proceset më të rëndësishme gjyqësore në Shqipëri shtyhen pambarimisht, pasi avokatët e të pandehurve nuk denjojnë të marrin pjesë në seancë. Sipas vëzhgimit të gazetës “Shqip”, shkak për mungesën e mbrojtësve ligjorë mbetet “frika” e tyre përballë klientëve, pasi këta të fundit, duke u bërë presion, arrijnë të shtyjnë pambarimisht proceset gjyqësore. Jo më kot, disa prej gjyqeve me të pandehur VIP-a të botës së krimit, zhvillohen prej vitesh në gjykatat shqiptare, ndërsa kanë arritur t’i zvarrisin çështjet në të tria shkallët e Gjyqësorit. Në fund, duke bërë disa vite burg, arrijnë “të shpallen të pafajshëm”, duke prekur sërish lirinë, edhe pse akuzohen për krime të rënda.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka ngritur e para shqetësimin për shtyrjen e seancave gjyqësore për shkak të mungesës së avokatëve. Në një deklaratë për shtyp, kjo gjykatë e cilësonte si pjesë të plotësimit të saj ligjor për të garantuar një gjykim të drejtë e transparent të kësaj kërkese. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, një ndër rastet me shtyrjen më të përsëritur të avokatëve gjatë seancës ka qenë edhe ajo e çështjes “Gërdeci”. Në fillim të gjyqit, disa herë radhazi procesi gjyqësor ndaj të pandehurve të kësaj çështjeje nuk ka mundur të nisë për shkak të mungesës së avokatëve, duke e shtyrë këtë çështje pafundësisht.
Gjykata që është prekur më së shumti nga shtyrja e gjyqeve është Gjykata e Krimeve të Rënda. Kjo gjykatë e ka pasur të pamundur së fundmi që të hapë shqyrtimin gjyqësor ndaj të pandehurit Dritan Dajti. Avokati ka ngritur disa herë shqetësimin se nuk takohet me klientin dhe ky i fundit nuk pranon të paraqitet në gjyq. Megjithëse avokati i Dajtit dha dorëheqjen, edhe mbrojtësi ligjor i caktuar nga gjykata, pra avokati i caktuar kryesisht, nuk denjon të marrë pjesë në seancë. Kjo, nga “frika” e klientit të i, i cili është as më shumë e as më pak, por Dritan Dajti, që akuzohet për vrasjen e katër punonjësve të policisë në Durrës, si dhe të një biznesmeni në vitin 1999. Në vitin 2003 ai arriti të arratisej nga burgu, ku dhe po gjykohej për vrasje.
Paralelisht, kjo gjykatë po vuan mungesën e avokatëve edhe në procesin gjyqësor ndaj të pandehurve të organizatave kriminale të Durrësit, të kryesuara nga Lul Berisha dhe Indrit Dokle. Kjo çështje është në gjykim prej dy vjetësh dhe ende nuk ka përfunduar dëshminë i penduari Adriatik Coli, i cili është dëshmitari i parë. Ndërkohë, një tjetër çështje që po shtyhet është edhe çështja e ashtuquajtur “Remzi Hoxha”, si dhe proceset e masakrës së Cërrikut dhe Qafë-Gjashtës. Ndërkohë, bandat e Lushnjës po gjykohen në këtë gjykatë në tre procese të ndryshme, ndërsa kreu i saj, Aldo Bare, megjithëse është ekstraduar, nuk ka dëgjuar ende akuzat e prokurorisë.
Pas problematikave të mësipërme, ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, paralajmëron masa administrative ndaj avokatëve, që bëhen shkak për shtyrjen pambarimisht të proceseve gjyqësore të rëndësishme në të gjithë Republikën e Shqipërisë. Në një prononcim për gazetën “Shqip”, Nishani deklaroi disa javë më parë se mungesa e avokatëve në një seancë gjyqësore pa arsye është e tolerueshme, ndërsa saktësoi se “kjo është një çështje me moralin e profesionit. Në çdo vend demokratik nuk mund të mendohet që një avokat të përdorë manovra të tilla për bërjen e drejtësisë”, deklaroi Nishani. Ai tha se shtyrja e gjyqeve në procese të rëndësishme është një fenomen që është shfaqur dhe duhet të parandalohet. “Përderisa është një fenomen që është shfaqur, duhen parashikuar masa alternative. është një shqetësim që nuk e ka vetëm ministria, por edhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë”, pohoi ministri, duke shpjeguar edhe masat që duhet të merren ndaj avokatëve në fjalë.
#