Diplomati suedez: Zgjedhjet treguan se integrimi i Shqipërisë në BE nuk është i lehtë
Bjorn Lyrvall, drejtor i përgjithshëm i çështjeve politike në Ministrinë e Jashtme të Suedisë, e cila mban aktualisht presidencën e radhës së BE-së, ka deklaruar se integrimi i Shqipërisë në BE nuk është i lehtë. Deklarata është bërë gjatë seancës së Komisionit amerikan të Helsinkit në Kongresin amerikan lidhur me sfidat me të cilat përballen vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili duke vlerësuar arritjet e Shqipërisë në zgjedhje deklaroi se nuk janë plotësuar standardet më të larta të kërkuara.
Nisur pikërisht nga zgjedhjet, përfaqësuesi suedez në këtë seancë Bjorn Lyrvall deklaroi se integrimi i Shqipërisë në BE nuk do të jetë i lehtë.
"Shqipëria ka ecur gradualisht drejt integrimit evropian, proces ky që ka marrë hov gjatë viteve të fundit. Në takimin e ministrave të jashtëm të BE-së këtë muaj ne shpresojmë të arrijmë një marrëveshje për t'ia kaluar kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim komisionit përkatës. Por siç treguan edhe zgjedhjet e 28 qershorit, rruga drejt anëtarësimit në BE nuk do të jetë e lehtë. Shqipëria duhet të shtojë reformat në sistemit juridik, dhe të luftojë më me efikasitet krimin e organizuar dhe korrupsionin"- tha ai.
Lidhur me zgjedhjet e 28 qershorit, në Shqipëri zv.ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Xhons tha se Shqipëria bëri përparim të dukshëm krahasuar me zgjedhjet e mëparshme, duke përfshirë përmirësimet në regjistrimin e votuesve, kartat e identitetit dhe kornizën ligjore.
"Sipas vlerësimeve të ODHIR-it, zgjedhjet e 28 qershorit përmbushën shumicën e standardeve, megjithatë nuk arritën të përmbushnin standardet më të larta të zgjedhjeve demokratike. Fushat në të cilat duhet bërë përmirësim është numërimi i votave, mbulimi i zgjedhjeve nga media dhe presioni i krijuar nga partitë politike"- tha ai.