E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLSH: Administrata, dëm buxhetit të shtetit 1.5 miliardë lekë

TIRANE - Administrata i ka shkaktuar një dëm financiar prej 1.5 miliardë lekësh buxhetit të shtetit për vitin 2008-të. Shifrën skandaloze e ka bërë të ditur Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Robert Çeku, sot në Komisionin e Ekonomisë kur u diskutua për buxhetin faktik.

Çeku tha se duhet gjetur një mënyrë për këta që kanë shkelur ligjet e shtetit të paguajnë për dëmin që i kanë shkaktuar buxhetit. "Nuk mund t'i lëmë kështu thjesht me rekomandimet e KLSH me vërejtje apo me propozimet që mund të bëhen për largim nga puna", theksoi ai.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i ministrit të Financave, Ridvan Bode, i cili tha se "ju na bëni një propozim që këto të arkëtohen në mënyrë të menjëhershme nga buxheti i shtetit, por të drejtën e ankimimit e ka çdo individ dhe nuk mund ti presim rrugët për të shkuar në gjykatë", tha Bode.

Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka theksuar se duhet një reformë e thellë në sistemin gjyqësor me qëllim përmirësimin e tij. Për shkak të mangësive që ka ky sistem, ai e ka konsideruar të parakohshme edhe krijimin e Gjykatës Administrative, institucionit të pavarur që do të zgjidhë konfliktet shtet biznes.

Një pikë tjetër e diskutua ka qenë ajo për kontrollin e bizneseve VIP. "Brenda dy muajve si pasojë e presionit që ka bërë Brukseli do ti propozojë një projektligj komisionit të ekonomisë që KLSH të kontrollojë edhe në kompanitë tatim-paguese të mëdha, bizneset VIP", tha Çeku.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›