E Shtunë, 31 Tetor 2026

Disa ide mbi reformën në Drejtësi

 
 
 
Më datë 12 Dhjetor, Këshilli i Lartë Drejtësisë, nën kujdesin dhe praninë personale të Presidentit të Republikës, organizoi takimin e zgjeruar lidhur me sfidat që përballet sistemi i drejtësisë, me synim shtjellimin e aksionit "reformë në drejtësi", aq të lakuar kohët e fundit. "Gjithmonë vjen një çast,- thotë filozofi i madh, Niçe,- kur duhet të zgjedhësh midis soditjes e veprimit. Kjo quhet të bëhesh burrë.". Kjo do të thotë të reshtësh së thëni reformë gjithë kohës, por të artikulosh veprimet që do t'i jepnin jetë asaj; të mos anatemosh tërë ditën e zotit gjyqësorin si të korruptuar, duke cenuar imazhin dhe autoritetin e një pjese të madhe të vendimmarrësve të së drejtës, por të identifikosh qartë individët që përbëjnë virusin e sistemit, në mënyrë që ta shërosh këtë të fundit e jo t'i zgjatësh pafundësisht agoninë. Me sa duket ky ishte dhe lajtmotivi i këtij takimi, ku ishin të ftuar deputetë, përfaqësues të trupit diplomatik, avokatë, përfaqësues të OJF-ve të ndryshme, si dhe gjyqtarë të niveleve të ndryshme të gjyqësorit.
Në optikën e Presidentit të Republikës, duhet të jenë pikërisht këta të fundit zëri i reformës. Kohët e fundit kjo është bërë mëse e qartë nga ana e tij, madje edhe disa ditë më parë kur iu drejtua Konferencës Gjyqësore Kombëtare, duke i ftuar juristët gjyqtarë të bëhen protagonistë të reformës, qoftë edhe duke i bërë publike qëndrimet e tyre, nëpërmjet medias. Duke marrë shkas pikërisht nga kjo, si dhe duke vlerësuar debatin që mund të hapet mes kolegësh, po parashtroj disa ide lidhur me atë se si e kuptoj reformën në drejtësi, pikërisht për ta ngacmuar këtë debat. Lidhur me drejtimet kryesore të reformës në sistemin e drejtësisë, mund të ndalesh në dy aspekte. Së pari, ndryshime sa i takon organizimit strukturor të gjyqësorit dhe, së dyti, sa i takon nevojës së ligjeve të reja a ndryshimeve në ligjet ekzistuese, qoftë të ligjit material, qoftë atij procedural.
Lidhur me ndërhyrjen në legjislacion sa i takon ndryshimit të organizimit dhe strukturës së gjyqësorit, mundet që pa qenë nevoja për amendime kushtetuese, duke mbetur tek ushtrimi i pushtetit nga Gjykatat e Shkallës së Parë, nëpërmjet ligjit për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor, ato të mund të funksiononin në dy nivele. Gjykatat e nivelit të parë të shkallës së parë do të gjykonin çështjet civile me vlerë të objektit të padisë deri në 1 milionë lekë, si dhe kërkesat pa palë kundërshtare, ndërsa, sa i takon çështjeve penale, do të gjykonin të gjitha ato çështje për të cilat ligji parashikon një dënim jo më të lartë se 4 vjet burgim në maksimum. Kjo do të lejonte që çështjet civile të kësaj natyre të mbesnin në juridiksionin gjyqësor, sikurse ndodh dhe në shumë vende të tjera, si dhe të mos kishte nevojë, për këtë shkak, të prekej një juridiksion i tillë i përcaktuar në një mori ligjesh të ndryshme. Kjo do të normalizonte dhe situatën e krijuar pas "shkrirjes" së disa gjykatave të ashtuquajtura të vogla, të cilat administrativisht vazhdojnë të funksionojnë në mënyrë të pakuptimtë, sa i takon misionit për të cilin u krye kjo gjë. Kjo u theksohet dhe në raportin e fundit të misionit të asistencës ligjore të Bashkimit Europian, Euralius. Kështu, këto gjykata mund të mbeten gjykata të nivelit të parë të shkallës së parë. Funksionimi i gjyqësorit në këtë mënyrë përbën një realitet të njohur e të konsoliduar në shumë vende, si Itali, SHBA, apo Finlandë, ku praktikisht kjo realizohet duke pasur kompetencë për të vendosur për këto çështje sekretaret gjyqësore apo në Gjermani a Austri, ku kjo realizohet nga reitzflegeri. Kjo gjë do i jepte një frymëmarrje më të madhe gjyqësorit, mundësi specializimit të gjyqtarëve, në kushtet e një zhvillimi të vrullshëm legjislativ, si dhe do të evitonte në një masë të caktuar zvarritjet në gjykime.
Sa i takon gjykatave administrative, parashikimi i juridiksionit administrativ jo vetëm që do të përbënte një çështje kushtetuese, pra, që do të kërkonte ndryshime kushtetuese, sikurse ndodh në Bullgari, Francë, Itali, Greqi, Hungari etj., ku një gjë e tillë parashikohet në Kushtetutë, por ndoshta do të ishte dhe i parakohshëm, për shkak të mungesës së një studimi thelluar, kostos financiare etj. Ndoshta do të ishte më e preferueshme dhe më me rëndësi ndërgjegjësimi lidhur me specializimin dhe konsolidimin apo forcimin e seksioneve të profilizuara brenda gjykatave ekzistuese.
Sa i takon ligjeve reja apo amendimeve të ligjeve ekzistuese, në kuptim të krijimit të një situate të re të ndjeshme e të prekshme nga publiku dhe operatorët e ligjit, mund të vlerësoja disa teza gjerësisht të diskutuara joformalisht mes gjyqtarësh dhe jo vetëm. Kështu, gjykimi në kohë të arsyeshme, në kuptim të nenit 6 të Konventës Europiane mbi të Drejtat dhe Liritë Themelore dhe nenit 42 të Kushtetutës, sa i takon çështjeve civile, kërkon ndërhyrje në Kodin e Procedurës Civile, lidhur me disiplinimin e sjelljes se palëve dhe rritjen autoritetit të gjykatës në këtë drejtim. Në shumë vende, mosbindja ndaj gjykatës përbën vepër penale ose të ngarkon me përgjegjësi civile e administrative, në formën edhe të sanksioneve të shprehura me gjobë. Përvoja ka treguar se jo në shumicën e rasteve është gjykata shkak për zvarritje të gjykimeve, por vetë palët ndërgjyqëse. Në këtë drejtim do të ishte me rëndësi edhe ndryshimi në rregullimin ligjor të profesionit të avokatisë, të mënyrës së përfaqësimit sipas nivelit të gjykatës. Lidhur me çështjet penale, do të konsiderohej zhvillim me impakt pozitiv sa i takon eficiencës së këtyre gjykimeve dhe mbrojtjes reale e jo thjesht formale e fiktive të të pandehurve, krijimi me ligj i Zyrës së Avokatit Publik për mbrojtjen e të pandehurve që kërkojnë që t'i caktohet një mbrojtës kryesisht nga shteti, pasi nuk kanë mundësi të paguajnë një të tillë. Kjo përbën një eksperiencë të konsoliduar tashmë pothuajse në të gjitha shtetet e SHBA-së.
Një tjetër moment me rëndësi, do të ishte dhe vënia në jetë e rekomandimit të Këshillit të Europës që në vitin 1995, që konsiston në unifikimin në një korpus të vetëm legjislativ, me qëllim evitimin e kontradiktave dhe harmonizimin më të mirë të mundshëm, të ligjeve që kanë të bëjnë me gjyqësorin, si, ligji për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor, ligji për KLD-në, ligji për KGJK-në, si dhe ligji për karrierën në gjyqësor, ku në këtë të fundit të përcaktohet qartë, ndër të tjera, promovimi i gjyqtarëve të karrierës, deri në Gjykatën e Lartë. Duhet të përcaktohet përqindja numrit të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë që plotësohet nga radhët e gjyqtarëve që vijnë nga karriera e pashkëputur në gjyqësor, që duhet të përbëjë pjesën më të madhe, në raport me atë që vjen nga bota akademike.
Gjithashtu një ligj për administratën gjyqësore është mëse i nevojshëm. Këtu mund të bëhet shumë sa i takon dhe përcaktimit të statusit ligjor të stafit ndihmës të gjyqtarit, përfshi, eventualisht, dhe ndonjë kompetencë në përgatitjen e rastit për gjykim apo edhe trajtimin e vetë rasteve jo shumë të rëndësishme ose pa konflikt.
*Autori është Kryetar i Gjykatës së Shkallës së Parë, Durrës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›