E Shtunë, 31 Tetor 2026

"A1", kurbani mediatik i qeverisë

 
 
 
Prej tetë ditësh njëri prej kanaleve televizivë informativë në Tiranë është pa energji elektrike. Ndryshe prej televizioneve të tjerë, qoftë edhe atyre që janë grupuar në mjediset e ish-Kinostudios "Shqipëria e re", kanali televiziv, pjesë e grupit mediatik "Spektër" sh.a., nuk ka energji elektrike, sepse ia kanë prerë, pse ka refuzuar të paguajë një faturë afrofe prej 32 milionë lekësh. Edhe dje, kur qeveria e dhuratave të fundvitit vendosi të pezullojë kufizimet e energjisë për të gjithë pa përjashtim, TV A1 nuk kishte energji. Edhe dje, kur KESH-i na e lëshoi energjinë non-stop për mbarë vendin që festonte festën e Kurban Bajramit, A1 nuk kishte energji.
Por, kush është TV A1, që të marrë këtë ndëshkim kaq të paprecedent nga ana e gjigantit shtetëror që ka monopolin e furnizimit me energji elektrike? Është njëri prej kanaleve të shumtë televizivë, që çdo 60 minuta jep lajme, që një pjesë të ekranit e ka me titra që japin shkurt lajmet më të fundit, që ndryshe nga shumë televizione në Shqipëri nuk transmeton telenovela idiote, por filma familjarë apo dosierë të spikatur dhe që është ndër të paktët televizione që mund të shihet online.
Por ky televizion që është bërë befas armik i KESH-it dhe tutorëve të tij, nga ana tjetër, është televizioni më i hapur e më liberal në pikëpamje të informacionit në Tiranë. Po të bëhet një monitorim i rëndomtë ditor do të shohësh se në lajmet e televizionit, shumica e minutazhit apo e titrave të tij kanë të bëjnë me qeverinë, ministritë, apo ndërmarrjet shtetërore. Të gjitha këto të transmetuara pa ngjyrime dhe qëndrime politike. Në këto lajme, më shumë minuta ka ngrënë kryeministri Berisha nëpër takime apo mbledhje qeverie, apo drejtori i KESH-it, Gjergji Bojaxhi, kur dilte me pinca në dorë për të ndëshkuar debitorët anekënd vendit sesa drejtuesit e opozitës. Në këtë televizion, pa asnjë kompleks pranohen çdo ditë DVD-të që sjellin zëdhënësit e institucioneve, dhe po të rikthehemi te zgjedhjet e pjesshme në Tiranë për Zonën 31, më shumë kronika dha për kandidatin demokrat Edi Paloka, tashmë deputet dhe anëtar i Komisionit parlamentar të Medias, sesa për rivalët e tij nga PS-ja dhe LZHK-ja. Për ne që bëjmë emisione në studiot e këtij televizioni dhe ata që na kanë ndjekur, ata që kemi ftuar kanë qenë nga të gjitha krahët e politikës. Pra, nuk ka arsye të qenësishme për të bërë presion politik mbi televizionin, që ai të ndërrojë kurs, siç bën rëndom Ekzekutivi ynë me mediat kritike.
Por ka një arsye tjetër që të çon te ndëshkimi politik i këtij televizioni, që është pjesë e kompanisë mediatike "Spektër" sh.a. Para se t'i vinte radha televizionit, në 2-22 nëntor 2007, pallati ku ndodhet redaksia e gazetës "Shekulli" u la pa energji elektrike. (Sebepi ishte që KESH-i nuk merrte përsipër riparimin e kabinës elektrike, dhe 50 familje, me kryefamiljarë të njohur të vendit, apo zyra biznesesh të fuqishme, u lanë pa energji). U desh ndërhyrja e Entit Rregullator të Energjisë, që të rilidhej për 25 minuta energjia që u kish munguar prej 32 mijë minutash njerëzve dhe bizneseve te pallati në zemër të ish-Bllokut.
Drejtuesit e KESH-it, e justifikuan lënien pa energji të pallatit ku ndodhet "Shekulli" me shtetin ligjor dhe pagimin të detyrimeve prej gjithkujt, thua se nuk është kjo ajo ndërmarrja që humbet në rrjet 40 për qind të energjisë së prodhuar, që nuk guxon të faturojë dhe të vjelë energjinë në Bathore, Lazarat, apo dhjetëra "bastionet" që nuk njohin asnjë qeveri dhe faturat e tyre, një ndërmarrje që harxhon 400 milionë euro në vit për blerje energjie me prokurim të drejtpërdrejtë, që deri para se të vinte Bojaxhiu, kishte për drejtor një emigrant që la pas një gropë të thellë financiare, prej muajsh objekt i prokurorisë, ndërsa i akuzuari ka kërkuar edhe lënien e shtetësisë shqiptare, për të jetuar i qetë jetën si italian.
Këto dhe të zeza të tjera të kompanisë që ka monopol shpërndarjen e energjisë elektrike në vend, nuk tronditin as drejtuesit aktualë, as tutorët e tyre në qeveri. Por, befas, këta të gjithë bashkë nxihen kur "Shekulli" pa asnjë prapavijë dhe vetëm me qëllim informimi rimori një lajm të botuar te një gazetë kosovare se si KESH po e ndihmon KEK-un e Kosovës, ndërkohë që Beogradi kërcënon me bllokadë Kosovën që po shkon drejt pavarësisë.
Ky lajm ndoshta nuk u interesonte për publikim atyre që mund të bëjnë pazar me ndihmat patriotike, por nuk është ky kuti me të cilin matet lajmi në gazetën më të madhe të vendit. Dhe ndëshkimi gjendet te një organ tjetër mediatik, kësaj radhe TV A1, i cili duhet të jetë kurbani mediatik i radhës ndaj një grupi qeverisës që ka treguar se i do mediat si kolonizatorët e bardhë indianët e Amerikës, shekuj më parë: të heshtura.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›