Shërbimi sekret, për herë të parë një histori
Që nga fillimet deri në fund të Luftës së Dytë Botërore
Pjesa e parë e historisë së shërbimit sekret shqiptar ka dalë në qarkullim së fundi nga shtëpia botuese "55", me titull "Shërbimi sekret shqiptar 1922-1944" dhe autor, Kastriot Dervishin, një punonjës i arkivave të Ministrisë së Rendit. Libri botohet me rastin e 85-vjetorit të krijimit të shërbimit informativ shqiptar dhe për herë të parë merret në shqyrtim një nga institucionet më misteriozë të shtetit shqiptar, për të cilën ekziston më shumë një legjendë dosjesh dhe rekrutësh të zellshëm. Në këtë pjesë të historisë botohen emrat e drejtuesve të parë të shërbimeve sekrete shqiptare, jeta e tyre, dhe kulmet e karrierës. Raportet agjenturore në vend, drejtimet e agjenturave të huaja kundër Shqipërisë, metodat e përdorura, si dhe ngjarjet kryesore janë disa prej pjesëve kryesore të "Shërbimi sekret shqiptar 1922-1944". Duke qenë se përfshin periudhën kur komunistët janë duke marrë pushtetin përfundimisht, autori është përpjekur të hedhë dritë mbi të kaluarën e udhëheqësit të ardhshëm komunist të Shqipërisë Enver Hoxhës, si dhe mbi lidhjet e tij me shërbimet sekrete të kohës. Libri ka 340 faqe me ilustrime dhe kushton 1.000 lekë. Pjesa e dytë e historisë së sekret të Shqipërisë (Sigurimi i Shtetit) përfshin periudhën 1944-1991.