E Diel, 1 Nëntor 2026

Disa pro, disa kundër skanerëve të mëdha nëpër aeroporte

Vendet europiane janë qartas të ndara në lidhje me mundësinë e instalimit të skanerëve “të plotë truporë” nëpër aeroportet europianë. Italia dje u është bashkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë për sa u takon planeve për instalimin e skanerëve  në vijim të tentativës për të hedhur në erë një avion nga një nigerian ditën e  Krishtlindjeve. Uashingtoni po kërkon rritjen e masave të sigurisë në të gjitha fluturimet që kanë destinacion Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo është një ndërmarrje shumë e madhe duke qenë se aeroportet europiane kryejnë rreth 800 fluturime në ditë për në SHBA.
Ndërkaq, ka edhe vende që janë kundër masave të tilla gjithëpërfshirëse dhe ekstreme. Kështu Belgjika i ka cilësuar ato “shumë më të mëdha nga sa duhen” duke argumentuar se aktualisht masat e sigurisë nëpër aeroportet europiane janë të një niveli tashmë të lartë. Edhe Spanja ka shprehur mosbesim në lidhje me skanerët që kontrollojnë gjithë trupin e njeriut, ndërkohë që qeveritë gjermane dhe franceze ende nuk e kanë thënë fjalën e tyre. Në lidhje me masat do të duhet arritja e një konsensusi mes vendeve të Bashkimit Europian, sepse është një çështje që u takon të gjitha vendeve.
Arsyet e mospranimit të këtyre aparaturave janë nga më të ndryshmet. Disa vende duan sigurinë e plotë që ato nuk janë të dëmshme për shëndetin e njeriut, duke qenë se përdoren me rreze, vende të tjera duan më shumë siguri për efektshmërinë teknike të skanerëve. Në Itali, ministri i Brendshëm, Maroni, deklaroi se skanerët do të instalohen shumë shpejt në aeroportin roman, Leonardo da Vinçi dhe në Venecia dhe për këtë do të blihen tre skanerë të mëdhenj.
Në fakt, që nga akti terrorist i mbetur në tentativë, BE ka rivlerësuar të gjitha rregullat e sigurisë, por vende të ndryshme duan që masat e sigurisë të rriten konform legjislacionit të vendeve përkatëse në lidhje me të drejtat e njeriut dhe ruajtjen e privacisë. Ndërsa në Shtetet e Bashkuara janë vendosur edhe skanerë të tjerë dhe akoma do të vazhdojnë të vendosen në të ardhmen e afërt. Amerikanët janë të interesuar për një vendim të përbashkët të të gjitha vendeve të BE-së sesa vendime të ndryshme për vende të ndryshme dhe për këtë u kanë lënë kohë vendeve që të marrin vendimet  e tyre konform ligjeve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›