E Diel, 1 Nëntor 2026

Gruevski shkel ligjin që përcakton shqipen si gjuhë zyrtare

Qeveria e Maqedonisë shkel ligjin e miratuar nga Parlamenti i vendit dhe nuk jep pasaportat biometrike të shkruara në gjuhën shqipe. Në sportelet e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Pallatin e Televizionit të Maqedonisë në Shkup, ditëve të fundit janë shpërndarë pasaporta vetëm në gjuhën maqedonase e angleze dhe jo në gjuhën shqipe për aplikuesit shqiptarë. Kjo është bërë e ditur nga aplikues shqiptarë, të cilët kanë denoncuar rastin dhe kanë kërkuar sqarime pranë punonjësve të sportelit, se përse nuk janë pajisur me pasaportën me shkrimin në gjuhën shqipe. Këto ditët e fundit janë shpërndarë pasaporta pa shkrimin në gjuhën shqipe, ndërsa shumica e qytetarëve, pasi kanë marrë pasaportat, nuk kanë dashur të alarmojnë këtë rast. Dy biznesmenët nga Shkupi, që nuk duan tani për tani të zbulojnë identitetin e tyre, kanë reaguar për rastin duke refuzuar pasaportat pa shkrimin shqip. “Ne u revoltuam, kërkuam sqarim, ndërsa reagimi i parë i punonjëses maqedonase ka qenë se shkoni në Shqipëri për pasaporta shqip. Kjo na provokoi tej mase, mirëpo kur i thamë se do të njoftojmë rastin te gazetarët, atëherë filluan të ndryshojnë, duke na sqaruar se ka mungesë të furnizimeve me pasaporta që kanë shkrimin shqip dhe se ato pritet të mbërrijnë gjatë javëve të ardhshme në vend”, ka theksuar biznesmeni i revoltuar, i cili për INA thekson se kishte plotësuar aplikacionin në gjuhën shqipe. Ai ka alarmuar se gjatë ditëve në vijim, në sportelet e MPB-së në pallatin e TVM-së janë dhënë pasaporta pa shkrimin shqip, mirëpo qytetarët nga hallet nuk kanë reaguar vetëm e vetëm për t’i ikur rrëmujës së krijuar. Lidhur me këtë rast, në MPB nuk kanë dhënë hollësi, duke theksuar se do të informohen me detaje lidhur me këto të dhëna.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›