Marshimi i gjatë i njerëzve me ngjyrë: flet aktori që do të interpretojë në kinema liderin afrikanojugor.
Takim me Morgan Freeman
“Po drejtoja një film në Zimbabve dhe Nelson Mandela po prezantonte autobiografinë e tij, ‘A Long Walk to Freedom’, kur një gazetare e pyeti se cili aktor ishte i përshtatshëm për të luajtur rolin e tij, nëse libri do të bëhej film dhe ai përmendi emrin tim. Megjithatë, mendoja se ishte e pamundur të interpretoja atë personazh, pasi nuk kisha skenar. Anand Singh, një producent afrikanojugor, që ka të drejtën kinematografike mbi librin, më kërkoi të takoja Madiba-n (pseudonimi i Mandelës) dhe unë pranova. I thashë Madiba-s se nëse do të isha unë aktori që do ta interpretoja, duhej ta njihja pak më shumë dhe kështu nisi marrëdhënia jonë”.
Aktori i famshëm Morgan Freeman tregon se si filloi, 15 vjet më parë, miqësia e tij me Nelson Mandelën, të cilin e ka interpretuar edhe në filmin “Invictus” (do të shfaqet në kinema më 26 shkurt), ku nobelisti përdor kampionatin botëror të “Rugby”-së (Regbi) në vitin 1995 si një instrument i fuqishëm i pajtimit kombëtar. “Në fakt ishte shumë e vështirë ta transformoje “A Long Walk to Freedom” në një film dhe kështu vendosëm të hiqnim dorë nga projekti”.
Morgan, ju arritët të bënit film “Invictus”, librin e John Carlin. çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje kur keni takuar Mandelën?
Në fakt asnjë detaj në veçanti nuk është i rëndësishëm. Ajo që të bën më shumë përshtypje tek ai është thjeshtësia, prejardhja, rrugëtimi i jetës së tij. Pasi e takon, ndjen që është një njeri që të pranon, që të sheh në sy dhe të pyet si je.
Cilat janë tri detajet që u është dashur t’i riprodhonit për të personifikuar Mandelën?
Fillimisht ishte ritmi dhe cilësia e zërit. Pastaj aksenti i tij, që ishte edhe pjesa më e vështirë. Më pas përpiqesha të ndaja dhe të riprodhoja disa detaje të vogla që i dallojnë vetëm njerëzit e tij më të afërt.
Po nga ana shpirtërore, si ia dolët?
Kam thithur esencën shpirtërore të Mandelës, duke e takuar shpeshherë gjatë këtyre viteve dhe në poste të ndryshme. Kam arritur ta kuptoj Mandelën, veçanërisht duke i mbajtur dorën. Ndryshe nga njerëzit e tjerë, të transmeton një energji të madhe. Nëse i mban dorën në kërkim të asaj energjie, është e sigurt se e merr, por kjo nuk ndodh me këdo. Ajo që më ka bërë më shumë përshtypje te Mandela është fakti se tek ai nuk ekziston tensioni të cilin e kam vënë re te të tjerët. Ai burrë është shumë i heshtur. Ose më saktë i qetë në shpirt.
Cili është mesazhi kryesor i filozofisë së Mandelës?
Beson se forcat më të fuqishme dhe shtrënguese në lidhjet njerëzore janë dashuria dhe falja. Thotë se sporti ka forcën për të ndryshuar botën, por edhe dashurinë e faljen.
Ju keni kaluar shumë kohë në Afrikën e Jugut dhe vini nga Misisipi, një nga “shtetet e të zinjve” të Amerikës. ç’mund të na thoni për lidhjet racore në dy vendet?
Ndryshojnë shumë nga njëri-tjetri. Kanë kultura totalisht të ndryshme. Afrika ka një histori të madhe koloniale. Në Amerikë jemi parë gjithmonë me përbuzje, nuk kemi pasur kurrë karta identiteti të veçanta për njerëzit me ngjyrë. Ju do të pyesni a ka pasur ndarje? Unë do të thosha po. Aparteid? Jo. Kjo është një diferencë shumë e madhe.
Një nga arsyet që Obama u zgjodh President është sepse nuk kishte atë inat që është i përhapur te një pjesë e popullsisë me ngjyrë…
Një nga arsyet pse Obama u zgjodh President është sepse njerëzit mund të shihnin tek ai të njëjtat gjëra që afrikanojugorët e bardhë, që luftonin për të pasur një shtet demokratik, shihnin te Mandela: shpresën. Kjo është ajo që ne shohim në Amerikë te Barack. Njerëzit duhet të na konsiderojnë si një komb.
Në Afrikën e Jugut nuk ka më Aparteid, por shumë përçarje…
është një traditë që trashëgohet brez pas brezi. Unë jetoj në Misisipi dhe këto tradita ende mbijetojnë. Prindërit ua mësojnë fëmijëve.
A jeni ndjerë ndonjëherë i diskriminuar si burrë ose si aktor?
Kjo është një temë pak delikate. është e lehtë që t’ia hedhësh fajin çdo disfate në jetë, diskriminimit. Megjithatë po, jam ndjerë i diskriminuar, sidomos nën armë, sepse ishim në një vend ku përçmoheshim. Atëherë ishin vitet ‘50, por tani gjërat kanë ndryshuar.
Filmi do të transmetohet këtë vit, pikërisht kur në Afrikën e Jugut do të zhvillohet Botërori i futbollit. Tani nuk ka rëndësi nëse është futboll ose “Rugby”...
Po, me të vërtetë që nuk ka rëndësi. Mjafton të mendosh për evenimentin sportiv: është krijuar për një arsye, për t’u mbledhur së bashku dhe për të festuar.
Ju pëlqen sporti?
Le të themi që nuk jam kundër sportit. Kam provuar të luaj golf, por nuk kam qenë kurrë i zoti në asnjë sport.
çfarë kuptimi ka për ju ky film?
Mund të jetë dhe them se mund të jetë “shndërrimi i rosakut të shëmtuar në mjellmë”, është filmi i pasionit tim.