Disiplina, e ashpër me Kamza Basket-Elbasani

Komisioni i Disiplinës i Federatës Shqiptare të Basketbollit, i përbërë nga Fatjon Mati, Sajmir Shatku dhe Besmir Iljazi, është treguar i ashpër për ndeshjen e Kategorisë së Parë, Kamza Basket – Elbasani. Kjo ndeshje, e cila ishte në kalendar të shtunën e kaluar në sallën sportive në Bathore, është ndërprerë për shkak të zënkës mes lojtarëve të të dy skuadrave.
Kështu mbi bazën e pamjeve filmike dhe relacionit të vëzhguesit, mbështetur në rregulloren e Disiplinës dhe praktikës së Federatës Shqiptare të Basketbollit në rastet analoge, ka dënuar me një vit pezullim dhe 100.000 lekë të rinj lojtarin e Kamza Basket, Hymon. Ramiz Uruçi i Elbasanit është pezulluar për gjashtë muaj dhe 70.000 lekë të rinj.
Me të njëjtën masë është ndëshkuar dhe Çela i Elbasanit. Në të njëjtën kohë Davis i Kamza Basket, si dhe B.Skëndaj e I.Skëndaj të Elbasanit janë gjobitur me 30.000 lekë të rinj secili. Madje Davis të Kamza Basket i është tërhequr vëmendja se në rast përsëritje do të jetë pjesë e masave ndëshkuese të rënda.
Nuk kanë shpëtuar pa u ndëshkuar dhe gjyqtarët Olti Kasmi dhe Ani Balliu për neglizhencë dhe mos reagim për parandalimin e sulmeve fizike janë pezulluar për dy javë. E me të njëjtën masë është ndëshkuar dhe vëzhguesi Arben Kasmi, i cili nuk ka relatuar saktë ndaj gabimeve dhe neglizhencës së gjyqtarëve në fushë.
Dhe masa e fundit është përsëritja e ndeshjes Kamza Basket – Elbasani në një datë që do ta caktojë Federata Shqiptare e Basketbollit me të tjerë gjyqtarë e vëzhgues.