Disiplina ndeshkim barbar per Sadikun
Elbasani kundërshton ashpër vendimin e Komisionit të Disiplinës, për të pezulluar për dy vjet nga aktiviteti sulmuesin Armando Sadiku. Nëpërmjet shefit të klubit, Artim Kovaçi, ka ardhur edhe qëndrimi zyrtar, që e ka cilësuar një barbarizëm ndëshkimin e dhënë nga organi i FSHF-së, gjithmonë duke e krahasuar me masat e tjera të dhëna për raste të ngjashme. “Me standardet që po përdor Disiplinori po shkatërrohet gara dhe loja e futbollit në Shqipëri. Sadiku akuzohet se ka goditur anësorin, por pamjet filmike treguan se reagimi i tij nuk ishte për një masë kaq ekstreme”, ishin fjalët e zyrtarit të skuadrës verdheblu.
E diel, 20 dhjetor. Ndeshja Elbasani-Laçi 2-3. Në minutën e 24-t, Sadiku shënon golin e parë për vendasit, duke sjellë barazimin e përkohshëm 1-1. Deri në fund të pjesës së parë, kurbinasit shënojnë edhe dy herë me Buljan e Hysën, ndërsa rrjeta e Dalipit në të 66-n shkurton diferencën, por nuk u mjafton verdhebluve të evitojnë humbjen. Vetëm 8 minuta përpara fundit të ndeshjes, Armando Sadiku konteston ashpër te vijërojtësi për një pozicion jashtë loje, ndërsa gjyqtari Mustafaj e ndëshkon me karton të kuq. E mërkurë, 22 dhjetor. Mbledhja e Komisionit të Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit. Mes vendimeve të marra për fundjavën futbollistike, spikat pezullimi 24-mujor i Sadikut, “pasi ka goditur dhe pështyrë zyrtarin e ndeshjes”, si edhe gjobitja me 500 mijë lekë të reja. Sipas këtij vendimi, talenti 19-vjeçar nuk do të lejohet të marrë pjesë në asnjë aktivitet të sportit më popullor deri sa të jetë 21 vjeç. Praktikisht një karrierë e mbyllur. Megjithatë, ajo që të tërheq më shumë vëmendjen është fakti se vetëm tri javë më parë, për një episod të ngjashëm, Ditmar Bici është pezulluar vetëm për dy ndeshje nga Disiplina. Madje, për goditjen me kokë ndaj vijërojtësit Doda në ndeshjen e javës së 13, Teuta-Skënderbeu, efektivisht mbrojtësi i korçarëve qëndroi vetëm një ndeshje jashtë (në Kupën e Shqipërisë), ndërsa u kthye në fushë në javën e 14, pasi e konvertoi në pagesë financiare pezullimin e mbetur. Episod i njëjtë, dy protagonistë të ndryshëm dhe dy vendime krejtësisht të kundërta. Një lojtar (Bici) godet asistentin dhe humbet vetëm një ndeshje, ndërsa një tjetër (Sadiku) nuk mund të luajë për dy vjet, ku në total mes kampionatit dhe Kupës humbet 65-70 takime. Këtë herë nuk mund të flitet as për ndëshkime me dy standarde, pasi shifrat janë të frikshme dhe krahasimi bëhet i pamundur.
Ndëshkimi për Armando Sadikun ka zemëruar (me të drejtë) drejtuesit e Elbasanit. Shefi i klubit, Artim Kovaçi, doli në mbrojtje të autorit të pesë rrjetave në këtë sezon të Superiores (sulmuesi është golashënuesi më i mirë i ekipit, në kuotë të njëjtë golash me Dalipin). Ai deklaroi: “Pas heqjes së pikëve dhe problemeve të tjera që kemi, edhe ky pezullim i duhej Elbasanit. Ndëshkimi dyvjeçar për Sadikun është një barbarizëm nëse krahasohet me vendimet e tjera të dhëna për raste të ngjashme. Disiplina, me këto vendime dhe trajtimin e çështjeve me standarde të ndryshme, po shndërrohet në një nga faktorët që po e shkatërrojnë futbollin shqiptar. Për më tepër që këtu po flasim për një talent 19-vjeçar, i cili prej nervave të lojës humbi kontrollin. Megjithatë, pamjet filmike treguan se reagimi i tij nuk ishte i rëndë sa për të merituar një masë të tillë”.