Faik Ballanca
Sot do të ishte 65 vjeç. Ndoshta edhe do të festonte mes miqsh e dashamirësish ditën e lindjes, atë të 21 dhjetorit të vitit 1945. Por fatkeqësisht, Faik Ballanca, prej 33 vitesh nuk jeton më. E ky është një hark kohor i mjaftueshëm për të shfaqur e vlerësuar cilësitë artistike të një krijimtarie letrare. Është e kuptueshme dhe e natyrshme që pas kaq vjetësh vepra letrare të bëjë firo, qoftë nga skarciteti ideologjik që iu injektua e iu vetinjektua letërsisë së ashtuquajtur të realizmit socialist, qoftë edhe nga shoshitja që i bën koha veprave letrare. Fatmirësisht, sot mund të pranojmë se pjesa dërrmuese e prozës së Faik Ballancës na paraqitet e freskët në thelbin e saj palcor. Ajo na flet me gjuhën e njeriut që e do njeriun dhe që mirësia i rrjedh nga shpirti nëpërmjet artit. Fati i krijuesit dhe fati i veprës së tij në shumicën e rasteve jo vetëm nuk janë puqur, po kanë ecur edhe në kahe të kundërta, çka shpjegohet me karakterin kontradiktor të natyrës së krijuesit dhe me subjektivizmin e vlerësimit të veprës së tij. Rrugëtimi i jetës së Faik Ballancës ishte mjaft i shkurtër dhe tragjik, ndryshe nga krijimtaria e tij, që nisi nga fillimet e viteve ’60 të shekullit XX dhe vazhdon të jetojë edhe sot e kësaj dite. Kam bindjen (e ardhmja e vërtetoftë), se do të mbetet e gjelbër dhe për shumë vjet. Energjia implicite gjuhësore te proza e Faik Ballancës është shndërruar në forcë artistike, që ushqen në mënyrë harmonike e diskrete gjithë elementët e strukturës së tekstit. Ai vlerëson çdo fjalë që përmban në vetvete detaje e hollësi të natyrës e të karakterit e temperamentit të njeriut dhe me një stil të tejdukshëm, larg çdo miniere, kompozon tregimet e tij. Mpiksja e artit me sekretin e thjeshtësisë dhe të vërtetës, krijojnë struktura fluide që përmbajnë magjinë e fjalës së derdhur nga fantazia e tij krijuese.
Intuita ishte për Faik Ballancën, receptori me të cilin kapte dukuri, ngjarje, fshehtësi të një realiteti të njohur e të panjohur për të, për t’i shndërruar me prizmin e tij, ku e bukura dhe e vërteta, të spërkatura herë-herë, lehtë e natyrshëm me një humor dashamirës, janë të shkrira në një masë qelqore homogjene.
Disa prej tregimeve të Faik Ballancës kanë karakter të theksuar dramatik. Kontradiktat që janë në bazë të subjekteve, krijohen nga vetë situatat ku këto vendosen ose zhvillohen midis protagonistit (mendësisë, gjendjes shpirtërore, zakoneve të tij) dhe mjedisit shoqëror që e rrethon. Dramatizimi intensifikohet shkallë-shkallë nëpërmjet elementeve pikante epike e lirike, po kurdoherë në prani të detajeve jetësore e të zbërthimeve psikike që janë të qenësishme në masën e duhur. Një pjesë e madhe e tregimeve kanë karakter lirik. Krahas kushtëzimit nga parapëlqimet e moshës, prirja drejt lirizmit, si dhe te disa shkrimtarë bashkëkohorë të Ballancës, mund të vlerësohet si një përpjekje e zgjuar për t’iu shmangur kërkesave “estetike” të diktaturës. Sedra e tij, që i kultivonte një krenari shpërthyese e një shpirt rebel, ishte e pandarë nga mençuria, që në jetën dhe krijimtarinë e tij shpërfaqen si thjeshtësi prekëse dhe humor i shëndetshëm. Për ata që e kanë njohur dhe kanë jetuar me të, nuk ka qenë e vështirë që, qoftë te personazhet rrëfimtarë, qoftë te shumë personazhe të tjerë, të zbulonin virtytet e naivitetit gjithë fismëri të shpirtit idealist të Faikut.
Në një nga librat e tij, Niçja thërret: “Më dëgjoni! Sepse unë jam ky njeri. Mbi të gjitha, mos më ngatërroni me të tjerët!”.
Edhe kur lexon Faik Ballancën, të mbetet në mendje Faik Ballanca. Shkrimtari lindi në vitin 1945, në Tiranë, në një familje intelektuale të ardhur nga Dibra e Madhe. Pasi kreu gjimnazin dhe mbaroi Fakultetin Histori-Filologji (dega e Gazetarisë), punoi gazetar dhe redaktor në gazetën “Zëri i Rinisë" dhe në revistën letrare “Nëntori”. Që nga viti 1962 nisi të botonte tregimet e para, përkthente dhe botonte prozë nga gjermanishtja, italishtja e frëngjishtja. Edhe pse e ndërpreu krijimtarinë letrare në moshë të re, Faik Ballanca arriti të krijonte individualitetin e veçantë si shkrimtar i vërtetë, në sajë të kulturës së gjerë, intuitës së hollë artistike dhe skrupulozitetit krijues. Ndërroi jetë në vitin 1977, në moshë fare të re. Disa nga veprat e tij janë "Rrëmbimi", "Mbasdite të lagura", "Katër orë larg shtëpisë", "Shtigje me helm", "I fundit", "Letra anonime", "Pritësit e rrufeve", "Tregime të përzgjedhura", si dhe "Perëndia e shtëpisë", "Kënga e fundit e Marko Boçarit", "Nomeja e largët" të botuara pas vdekjes.