Kur politika shnderrohet ne biznes
Pak ditë më parë, deputeti Erion Braçe bëri publike një nismë, një guidë politike për të orientuar luftën e opozitës kundër korrupsionit, ose më saktë një front të kësaj lufte. Në fakt na është bërë zakon të themi “luftë”, por në të vërtetë mes ushtrisë së të korruptuarve dhe rojave të drejtësisë nuk është shkrehur asnjë pushkë deri tani dhe kudo sundon një paqe e pashembullt. Pjesë fanatike e asaj kategorie njerëzish të zhgënjyer dhe thellësisht mosbesuese te politika dhe iniciatorët e fushatave antikrim e antikorrupsion, mendoj gjithsesi se në propozimin e zotit Braçe ka elemente të një çështjeje që meriton të shndërrohet në debat publik. Kjo, ndoshta, edhe për faktin e vetëm, se ndër sojin e anëtareve të Parlamentit, rrallë ndodh të dalë ndonjë propozim konkret e me vlerë.
Në esencë, zoti Braçe i propozoi partisë së tij prodhimin e një strategjie, e cila të synojë institucionalizimin e ndëshkueshmërisë së të korruptuarve, sekuestron e pronës të vënë përmes korrupsionit dhe kthimin e saj në pronë publike, duke qenë se publiku është ai që është dëmtuar nga korrupsioni dhe… ndarjen e biznesit nga politika. Edhe pse sëmundja jonë më e rëndë nuk është mungesa e ligjeve, por zbatimi i tyre, sërish mendojmë se propozimi i deputetit Braçe, i cili padyshim që synon ndërhyrjet ligjore, duhet të mbështetet. E themi këtë, pasi duhet të jemi ne, jashtë selive të partive, që duhet t’u japim dorë të tilla nismave, pasi nga brenda ngrehinës, shumë syresh politikanë janë pikërisht të atakuarit e këtyre nismave dhe ata janë të prirur, në mos ta frenojnë, të heshtin. Dhe, gozhda më e madhe e këtij trungu që Braçe na propozon ta sharrojmë, është pikërisht bizneso-politika.
Ka opinione të kundërta lidhur me faktin, nëse mund të jetë apo jo një biznesmen politikan, apo një politikan të bëhet biznesmen. Ithtarët që e mbrojnë këtë dualizëm kujtojnë faktin se edhe Xhorxh Uashingtoni, para se të bëhej President, ishte prodhues dhe tregtar uiski. Por mes një prej baballarëve të Amerikës dhe ca matrapazëve të republikës sonë, ka një ndryshim të madh, jo vetëm kohor.
Sot Parlamenti shqiptar ka në gjirin e tij shumë biznesmenë dhe në dukje të parë, kjo nuk do të kishte asgjë të keqe, pasi në fund të fundit janë njerëzit e pasur ata që e rrotullojnë historinë. Por në realitetin shqiptar, rrugëtimi i këtyre njerëzve deri te karrigia e ligjvënësit është shumë i dyshimtë. Nëse një njeriu që ndjek karrierën normale në politikë i duhen vite dhe shumë punë të kalojë nga anëtari i thjeshtë i një partie në struktura më të larta e forume drejtuese, një njeri i pasur e blen karrierën e tij brenda një dite. Ashtu siç ai blen një makinë të re, një vilë të re, po ashtu blen edhe karrierën e tij, blen të shkuarën e tij dhe atë që nuk mundi ta bëjë dot, por padyshim që nuk blen dot dijen dhe politikëbërjen si profesion.
Referuar kësaj logjike, sot në Parlamentin shqiptar ka shumë biznesmenë, jo njerëz të pasur prej soji, por njerëz të pasuruar me punë të ndershme apo edhe marifete të tjera “Made in Albania” brenda një kohe të shkurtër. Nëse do të tentonim t’i numëronim, do të na duhej të bënim listën e gjysmës së deputetëve me prejardhje nga dhomat e tregtisë, nga të gjitha formacionet politike. Burime, që s’kanë kurrë për t’u konfirmuar, thonë se ata kanë paguar, kanë dhënë para në dorë, për të qenë në zonën e sigurt të listave të kandidatëve për deputetë. Duke ritheksuar edhe një herë se nuk ka asgjë të keqe që një njeri i pasur, apo biznesmen, të angazhohet në politikë, do të na duhet t’i kundërvihemi kësaj teze, me disa argumente që na ofron realiteti ynë:
Shumë prej këtyre njerëzve nuk kanë asnjë lidhje me politikën. Në jetën e tyre ata thjesht kanë shitur, kanë blerë, kanë prodhuar, kanë ndërtuar apo edhe trafikuar ndonjë “mall” dhe për pasojë, ata nuk mund dhe nuk duhet të jenë ligjvënësit tanë. Duke mos pasur asnjë lidhje me politikën, pra, duke mos e pasur politikën profesion, ata nuk do të sillen e nuk do të mendojnë kurrë si të tillë, por edhe nga karrigia e deputetit do të vazhdojnë të ushtrojnë profesionin e tyre, atë të biznesmenit. Në mos të njëjtin qëndrim, ne mund të ndajmë pa asnjë ekuivok të njëjtin konstatim, që kjo shpurë deputetësh nuk është parë të thotë ndonjë gjë të mençur në Parlament, pasi në fund të fundit kjo nuk është puna e tyre. Thjesht ata do të vazhdojnë të vjelin privilegjin që të jep karrigia e deputetit, pasi në fund të fundit për këtë arsye edhe e blenë atë, pra të bëjnë biznes edhe me politikën.
Ne që jemi jashtë ngrehinës së politikës nuk mund të bëjmë më shumë, përveçse të konstatojmë dhe, në rastin më të favorshëm, ta themi konstatimin tonë me zë të lartë që ta dëgjojnë sa më shumë njerëz të munden. Ndërsa zoti Braçe, që ka propozuar këtë nismë, ka një mundësi më shumë, duke qenë brenda politikës. Por që të mund të bëhet realitet një gjë e tillë, duhet të përmbysen skemat elektorale që e pollën këtë realitet. Mund të themi pa frikë, se, nëse njerëzit do të kishin votuar për kandidatët e jo për listat, shumë prej atyre deputetëve, majtas e djathtas, nuk do të ishin në atë sallë. Ata nuk janë të zgjedhurit e popullit, por të zgjedhurit e partisë. Ndaj zoti Braçe, që të mund të ndahet biznesi nga politika, në kuptimin e mirë të fjalës, duhet lënë populli të zgjedhë. Populli duhet të vendosë kush do të jetë deputeti i tij dhe jo të votojë, e pastaj të gërvishtim biletën e lotarisë për të parë se kush i ka rënë për pjesë në zonën e tij.