E Diel, 1 Nëntor 2026

Disiplinori vë rregullin në vend, Kamza Luftëtari do përsëritet

KamzaGjergj Vyshka

Kryeneçësisë së kryebashkiakut Mziu, që duket sikur do të kënaqej nëse skuadra që financohet nga presidenti Naim Qarri do të humbiste pikët në tavolinë, Federata Shqiptare e Futbollit i është përgjigjur me tjetër gjë, që ka të bëjë me luajtjen e ndeshjes

Kamza Luftëtari, e vlefshme për javën e parë të Kampionatit të Kategorisë së Parë, do të përsëritet. Ky ka qenë vendimi i djeshëm i Komisionit të Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit, që në fakt e kishte shtyrë për një javë shqyrtimin dhe diskutimin e kësaj çështje. Siç është bërë i ditur dhe opinioni sportdashës, jo vetëm nëpërmjet gazetave sportive, por dhe nga kronikat e televizioneve, stadiumi i Kamzës, në javën e parë të kampionatit, ka qenë i bllokuar nga policia bashkiake, e cila vuri dhe furgonin e saj përpara hyrjes kryesore.

Edhe pse ishte lajmëruar policia e Komisariatit Nr.5, e cila ka qenë në gadishmëri të plotë, edhe pse janë paraqitur të dy skuadrat, së bashku me katërshen e gjyqtarëve nga Tirana me kryesor Edvaldo Dyrmishin, si dhe vëzhguesi Engjëll Pjetrushi dhe delegati i FSHF-së, Bujar Pregja, stadiumi nuk u hap. Dhe gjithçka ka ndodhur për shkak të një konflikti personal mes kryebashkiakut Mziu (ky i fundit ka deklaruar se nuk ekziston shoqëria aksionare me Qarrin, ndërsa ajo është shkrirë me vendim të Këshillit Bashkiak e jo vetëm kaq, por është krijuar dhe skuadra FC Kamza, e cila pret dhe licencimin nga Federata Shqiptare e Futbollit), dhe presidentit Qarri.

Madje është hapur dhe një kanal mes fushës për të rregulluar sistemin e vaditjes, kurse kryebashkiaku i Kamzës ka lajmëruar se stadiumi është në rikonstruksion. Në të tilla kushte, parë dhe gjithçka që ka ndodhur, ndonëse gjirokastritët kanë kërkuar dhe tripikëshin në tavolinë, Komisioni i Disiplinës ka vendosur përsëritjen e ndeshjes. Jo vetëm kaq janë dënuar nga pesë javë Karaj i Mamurrasit dhe Sharavaolli i Tomorrit, është gjobitur Luftëtari me 50.000 lekë të reja, si dhe është ndaluar për 12 muaj në stadium. Janë paralajmëruar Dinamo dhe Tërbuni, në një kohë që Vllaznia e ka fituar ndeshjen e parë në tavolinë në futboll për femra me Kamzën.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›